The Indipendent: Si dhe pse Putin po pengon integrimin e Ballkanit në BE


14:02 | 18/05/2018

Në një analizë të gjatë të së përditshmes “The Indipendent” shpjegohet pse dhe si Presidenti rus, Vladimir Putin, po pengon integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në shkrim analizohet edhe vëmendja e Kremlinit ndaj Shqipërisë, si pjesë e këtij rajoni.

Duke theksuar idenë fikse të Presidentit rus, Vladimir Putin, për të mbështetur dobësimin e Bashkimit Europian, The Indipendent në një analizë të gjatë, rendit arsyet dhe mënyrat se si kreu i Kremlinit po mban pezull gjashtë vendet e Europës juglindore për të qenë pjesë e BE-së. Denis Mekshejn, shkruan ndër të tjera në analizën e tij se fushëbeteja e rradhës mes Rusisë dhe Europës, është Ballkani Perëndimor, ku Bashkimi Europian ka bërë të qartë se pas rreth dy dekadash në dhomën e pritjes për anëtarësim, gjashtë vendet: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia mund të bëhen pjesë e BE-së në vitin 2025. Popullsia totale e këtyre gjashtë vendeve, vijon më tej analiza, është 18 milionë – e barabartë me popullsinë e Austrisë dhe Hungarisë. Këto vende të vogla të Europës juglindore mund të shpresojnë se do të ndryshojnë duke u anëtarësuar në Bashkimin Europian njësoj si Irlanda, Portugalia dhe Greqia që u transformuan kur iu bashkuan Europës, por dhe ekonomikisht si Polonia.

Por Kremlini nuk e do aspak një integrim më të madh europian dhe për këtë arsye aktualisht po përdor Serbinë, duke mbështetur nacionalistët që nuk pranojnë pavarësinë e Kosovës. Rusia vazhdon të luajë kartën e sllavëve dhe ortodoksëve kundër shtetit me mazhorancë muslimane të Kosovës. Agjencia ruse e lajmeve Sputnik, ka shumë zë në Beograd dhe ministri rus i Mbrojtjes Shoigu ka vendosur një qendër për shërbim humanitar në Serbi, ku ka njerëz me uniformë që duken më shumë si ushtarë. Gjithashtu Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, çdo mëngjes këshillohet me Rusinë dhe ishte një ndër të parët që vrapoi në Moskë për të uruar Putin për mandatin e tij të katërt si President i vendit.

Tashmë Rusia ka kthyer vëmendjen në Shqipëri, ku Kryeminstri socialist Edi Rama, i cili është edukuar si një artist në Francë, po shpreson në hapjen e negociatave me BE-në. Por kërkesa kryesore e Brukselit për Tiranën zyrtare është pastrimi i sistemit gjyqësor, dhe zëvendësimi i gjyqtarëve të përfshirë në skandale korruptive.

Në shkrimin e The Indipendent përmenden dhe replikat e një viti më parë mes përfaqësueses së lartë për politika të jashtme në Bashkimin Europian, Federika Mogerini dhe liderit aktual të opozitës Basha, kur Mogerini kërkoi që të zëvendësoheshin gjykatësit, të cilët kishin bashkëpunuar me politikanë demokratë. Akuzë, që nga lideri demokrat u cilësua si e pavërtetë.

Gjithashtu në analizën e The independent përmendet dhe pagesa prej 875 mijë dollarësh ndaj një lobimi amerikan, që merrej me mbledhjen e fondeve për fushatën elektorale të Donald Trump, për një fotografi të kryetarit demokrat, Basha me kreun aktual të Shtëpisë së Bardhë, (pas të cilës dyshohet se qëndronin dy kompani ruse).

Në analizë theksohet se Partia Demokratike ishe gati të paguante rreth 1 milion dollarë për të marrë mbështetjen e administratës amerikane në mënyrë që shqiptarët pro amerikanë të votonin partinë që ishte më pranë Trump. Në rast se Partia Demokratike do të kishte mundur në zgjedhjet e fundit atë socialiste atëherë do të kishte pasur një përballje të fortë të vendit me Brukselin dhe shpresat për hapjen e negociatave do të zbeheshin, vijon më tej analiza.

Një panoramë kjo që përputhet më së miri me përpjekjet e Rusisë për të mbajtur Ballkanin Perëndimor sa më të paqëndrueshëm dhe për të parandaluar që Bashkimi Europian të normalizojë rajonin. Por ka dhe çështje të tjera që i shkojnë për shtat Kremlinit në këtë drejtim, si përshembull problemi i çështjes së emrit të Maqedonisë mes Athinës dhe Shkupit. Problem që nëse nuk zgjidhet mund të pengojë grupin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit. Por për Rusinë mbajtja e këtij cepi të Europës të paqëndrueshëm është pjesë e politikës së saj europiane.

Pas përballjes së vogël me Perëndimin në Siri, Vladimir Putin po kthen vëmendjen e tij në diçka më me vlerë, që përbën dhe fiksimin e tij të përhershëm: prishja e kohezionit gjeopolitik europian. Rusia është e vendosur të përshpejtojë përfundimin e lojës duke inkurajuar çdo lëvizje që dobëson kohezionin e Bashkimit Europian. Die Spiegel raporton se shërbimi gjerman i inteligjencës, ka informacione të qarta se Rusia mbështet me forcë ndarjen e Katalonjës nga Spanja, një ndarje e Spanjës, njësoj si Brexit, dobëson unitetin e Bashkimit Europian – një objektiv i përhershëm ky i politikës së jashtme të Kremlinit.

Rusia mund të bëjë marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në baza dy palëshe, por Putin preferon marrëdhënie dy palëshe me shtete te veçanta të Europës duke refuzuar idenë e 28 vendeve që bien dakord për një politikë të përbashkët të jashtme ose për një siguri të përbashkët.

Kjo është arsyeja se pse Kremlini ndihmoi partitë anti-BE si Fronti Kombëtar në Francë, si dhe u përpoq të manipulojë mediat sociale gjatë fushatës për Brexit. Shkrirja e Europës në vende të ndara mbetet objektivi kryesor i politikës ruse./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono