Thaçi: Do t’i përgjigjemi çdo kërcënimi

22:53 | 14/03/201922:530

Kosova është gati t’i përgjigjet çdo kërcënimi që vjen nga Serbia. Me këto fjalë, presidenti Hashim Thaçi ka reaguar ndaj paralajmërimeve të Beogradit se, është gati të ndërhyjë ushtarakisht në veri të Mitrovicës.

Presidenti Hashim Thaçi, në cilësinë e komandantit suprem të FSK-së, ka deklaruar se Kosova do t’i kundërpërgjigjet Serbisë dhe kërcënimeve të saj. Reagimi i tij ka ardhur pasi ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç dhe ai i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviç deklaruan se Beogradi është gati të ndërhyjë ushtarakisht në veri të Mitrovicës. “Kosova do t’i përgjigjet drejtpërdrejt çdo kërcënimi të Serbisë. Do t’i përgjigjet me ushtri dhe polici, si një komb, nëse ajo nuk ndalet me retorikën luftënxitëse”, ka thënë Thaçi. Ai ka shtuar se, për ruajtjen e integritetit territorial dhe pavarësisë së Kosovës nuk do të ketë kompromis. Më herët, ndaj deklaratave të Daçiç dhe Stefanoviç reagoi edhe numri dy i Ministrisë kosovare të Mbrojtjes, Burim Ramadani, i cili i etiketoi si “luftë speciale” paralajmërimet e tyre. Në një prononcim për gazetën “Ekspres”, Ramadani nuk e përjashtoi ndërhyrjen në veri, por nënvizoi se çdo aktivitet i trupave të Kosovës do të jetë i koordinuar me KFOR-in. “Kjo është një luftë speciale dhe dezinformuese e Serbisë dhe është shumë agresive. Pretendimet se Kosova do të sulmojë qytetarët e vetë janë një absurditet dhe një tufë broçkullash si ato të viteve ‘90”, deklaroi Ramadani. Të enjten, ministri Daçiç deklaroi se Beogradi i ka gati për veprim trupat ushtarake në rast se Kosova tenton të ndërhyjë në veri. “Serbia do të ndërhyjë ushtarakisht në veri të Mitrovicës në rast të ndonjë përpjekje të Kosovës për të sulmuar serbët, apo për të zaptuar Trepçën”, tha Daçiç. Në të njëjtën linjë, ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviç bëri me dije se edhe trupat policore serbe janë në gjendje gatishmërie. Teksa publikoi një raport të dikasterit të tij, Stefanoviç nënvizoi megjithatë se përveç disa incidenteve sporadike të lidhura sipas tij me pakicat, situata e sigurisë në Kosovë është relativisht e qetë. /abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono