Tërmeti në mediat e huaja, nga CNN tek Bild e Rai News

13:33 | 22/09/201913:330

Lajmi për tërmetin e fuqishëm që tronditi ditën e shtunë Shqipërinë ka bërë xhiron e botës, duke u raportuar në mediat më prestigjoze ndërkombëtare. Nga CNN deri tek “Der Spiegel” dhe “Rai News” kanë shkruar për dëmet dhe të lënduarit, si dhe për faktin se ishte lëkundja më e fuqishme në dekada.

Tërmeti i fuqishëm që tronditi vendin ditën e shtunë ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat ndërkombëtare, nga ato europiane tek ato të Shteteve të Bashkuara. Në Europë, Euronews e ka hapur artikullin e posaçëm me titullin “Tërmet në Shqipëri, lëkundja 5.6 ballë ndihet deri në kryeqytetin Tiranë”.

Media prestigjioze shkruan se epiqendra ishte në qytetin e Durrësit dhe citon Ministrinë e Mbrojtjes që ka thënë se ishte tërmeti më i fuqishëm i 30 viteve të fundit. Vëmendje i kanë kushtuar edhe mediat e njohura britanike “Express” dhe “The Mirror”.

Të dyja tabloidet e kanë vënë theksin tek numri i të plagosurve, rreth 70, dhe tek fakti që ishte tërmeti më i fuqishëm ndër dekada. “Disa banesa u shkatërruan dhe njerëzit vërshuan menjëherë jashtë tyre”, shkroi “The Mirror” në edicionin e saj online.

Në Shtetet e Bashkuara, CNN ka bërë gjithashtu një raportim të detajuar mbi lëkundjen e fuqishme sizmike. Rrjeti informativ amerikan citon Qendrën Gjeologjike të Shteteve të Bashkuara, sipas të cilës epiqendra e lëkundjes ishte në bregdetin e qytetit-port të Durrësit, 35 kilometra në perëndim të Tiranës.

Një pasqyrim të ngjashëm ka bërë edhe agjencia e lajmeve “Reuters”, e cila ka përmendur edhe faktin se lëkundja e parë u pasua nga një lëkundje tjetër e fuqishme. Ndërkohë, nga mediat italiane, Rai Neës njoftoi se 100 persona mbetën të plagosur nga tërmeti, që dëmtoi rreth 400 banesa dhe madje u ndje deri në rajonin e Pulias.

I njëjti burim mediatik shkruan më tej se Italia është shprehur e gatshme t’i ofrojë ndihmë Shqipërisë. Në të njëjtat linja e ka raportuar lajmin edhe e përditshmja “La Repubblica”, që në titull ka shkruar për 60 të plagosur dhe për frikë e panik të ndjerë edhe në rajonin e Pulias.

Edhe agjencia shtetërore e lajmeve “ANSA” i ka bërë një raportim të detajuar në faqe të parë ngjarjes, duke vënë në dukje bilancin e të lënduarve, mbi 100 persona dhe atë të shtëpive të dëmtuara, rreth 400.

Ndërkohë, në Gjermani kanë qenë revistat prestigjoze “Der Spiegel” dhe “Bild” që kanë raportuar lajmin online, si dhe rrjeti informativ “Deutsche Welle”, që ka dhënë të njëjtat detaje sikundër mediat e tjera të sipërpërmendura./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono