Haradinaj sfidon BE-në në Bruksel: Nuk hiqet taksa për Serbinë

16:20 | 17/12/2018

Kryeministri Haradinaj i ka thënë sërish “JO” kërkesës së BE për heqjen e taksave për produktet serbe. Në një takim me Federika Mogerinin dhe komisionerin Hahn në Bruksel, Haradinaj ka nënvizuar se me Serbinë nevojitet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe jo një gjysmake që zgjidh vetëm çështje të caktuara.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka sfiduar Bashkimin Europian edhe në Bruksel, gjatë takimit të asociim-stabilizimit Kosovë-BE. Në një letër zyrtare të Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini dhe komisionerit Johannes Hahn, autoriteteve të Kosovës u kërkohej heqja e taksës për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja në këmbim të heqjes së emërimit “UNMIK” dhe zëvendësimit të tij me “Kosova” në marrëveshjen e CEFTA-s. Por kryeministri Haradinaj i ka thënë sërish JO kërkesës zyrtare të Bashkimit Europian, përgjigje që ka shkaktuar edhe anulimin e konferencës për shtyp të parashikuar në godinën e Këshillit të Ministrave të Bashkimi Europian. Haradinaj ka folur i vetëm për mediat, duke i cilësuar legjitime kërkesat e Kosovës dhe duke nënvizuar se me Serbinë duhet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe jo e pjesshme, që nënkupton heqjen e taksave.

Haradinaj: “Kosova ka disa kërkesa legjitime, si heqja e vizave, pasi është e papranueshme të jetojmë në geto. Pastaj kërkojmë barazi mes palëve. Shtetësia e Kosovës është konfirmuar nga GJND dhe mes të tjerash kërkuam vazhdimin e dialogut. (Taksat) Jemi të angazhuar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, kemi përgatitur një draft, por nuk ka kohë për të zgjidhur vetëm një pjesë (atë të taksave), por gjithë çështjen”.

Në deklaratën e tij, Bashkimi Europian ka insistuar në heqjen e këtyre tarifave duke thënë, se mbajtja në fuqi e tyre dëmton interesat ekonomike të Kosovës dhe popullit të saj, duke zvogëluar rrjedhën e tregtisë dhe duke ulur atraktivitetin e Kosovës si një vend për investime dhe biznes. Bashkimi Europian nënvizon gjithashtu rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit. Në deklaratë theksi vihet te përshpejtimi dhe intensifikimi i punës për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve të dakordësuara, në veçanti marrëveshjen e 2015 për Shoqatën e Komunave me Shumicë Serbe. /abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono