Të hënën, seanca e fundit në parlament

14:46 | 22/07/201814:460

17 pika në rendin e ditës nga të cilat 12 projekt ligje për t’u votuar është axhenda e deputetëve për të hënën në parlament. Nuk dihet nëse do të ketë ndonjë surprizë në seancën e fundit parlamentare veçanërisht për dy projekt ligjet që kërkojnë votim me shumicë prej 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Njëri prej tyre është Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.  Mazhoranca socialiste kërkon që:

Deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe me qëllim plotësimin e nevojave për funksionimin e sistemit të drejtësisë, ngarkohet Shkolla e Magjistraturës të organizojë, jo më vonë se muaji Tetor, konkursin për pranimin e 25 kandidatëve për magjistratë për vitin akademik 2018-2019 dhe të dyfishit të këtij numri për vitin akademik 2019-2020.

Pasi votimi dështoi dy herë, socialistët i bënë thirrje Lëvizjes Socialiste për Integrim t’i bashkojnë votat. Por LSI përveç se kërkon dialog institucional dhe  thirrje nga foltorja e parlamentit është shprehur se “Ligji për disa kuota studentësh nuk zgjidh kolapsin aktual, por thjesht legalizon korrupsionin e përzgjedhjes së studentëve”.

Projektligji i dytë që socialistët nuk mund ta votojnë të vetëm është ai për disa ndryshime në kodin rrugor.

Ndërsa Projektligji “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë” do të bëhet me votim me shumicë të thjeshtë votash.

Janë socialistët ata që në komisionin e ligjeve vendosën të shtojnë një amendament në nenin 13 të projektligjit, i cili përcakton që nuk mund të ushtrojnë funksionin e avokatit, ato persona që janë shkarkuar nga funksioni publik për arsye të integritetit etik me vendim të organit kompetent.

Lidhur me këtë sugjerim, Dhoma e Avokatisë u shpreh me rezerva ndaj këtij propozimi, pasi profesioni i avokatit është një profesion i lirë, i vetërregulluar në ushtrimin e të cilit nuk mund të përjashtohen personat e larguar nga ushtrimi i funksionit me vendim të një organi administrativ, duke sjellë në vëmendje se është gjykata që në vendimin e formës së prerë mund të japë si dënim plotësues, heqjen e të drejtës për ushtrimin e një veprimtarie, si dhe faktin që masa displinore i nënshtrohet afateve të parashkrimit.

Komisioni lidhur me këtë çështje, vendosi që formulimi të jetë sipas draftit integral të rakorduar ndërmjet relatorit dhe propozuesit, sipas të cilit kandidatët për avokat nuk duhet të jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale sipas rasteve të përcaktuara nga pikat “i” deri “iii” të gërmës “dh” të nenit 13, pika të cilat nuk i të refletuara në këtë nen që mbi të gjitha sqaron mënyrat e shpërblimit të avokatit.

Me shumicë të thjeshtë, deputetët kanë mundësinë të votojnë për të dytën herë  shtyrjen e afatit të punës të komisionit të reformës zgjedhore, i cili në të vërtetë nuk mundi dot ta përfundojë në Korrik veprimtarinë, duke kërkuar edhe 6 muaj të tjera për realizimin e reformës zgjedhore, një kusht i vendosur edhe nga Bashkimi Evropian për çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono