Sulmi ndaj rafinerive, Irani paralajmëron SHBA-të

18:24 | 19/09/201918:240

Regjimi iranian ka paralajmëruar të enjten Shtetet e Bashkuara se çdo sulm ndaj Republikës Islamike do të çonte në një luftë të re në Lindjen e Mesme. Duke iu përgjigjur kërcënimeve të ardhura pas sulmeve ndaj rafinerive saudite të naftës, Teherani ka deklaruar se do të reagojë duke përdorur forcën.

Irani paralajmëroi të enjten presidentin Donald Trump që të mos përfshihet në aktivitete luftarake në Lindjen e Mesme, pas sulmeve ndaj impianteve saudite të naftës, për të cilat Uashingtoni dhe Riadi fajësojnë Teheranin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka cilësuar sulmet e fundjavës së kaluar një “akt lufte” dhe ka diskutuar për një reagim të mundshëm me Arabinë Saudite dhe vende të tjera të Gjirit.

Të mërkurën, vetë presidenti Trump bëri një paralajmërim, duke thënë se ka në dispozicion shumë opsione për të reaguar ndaj Republikës Islamike, e cila mohon çdo përfshirje në sulmet e 14 Shtatorit.

Gjithashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë urdhëroi Departamentin e Thesarit për të vendosur më shumë sanksione ndaj Iranit. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian është përgjigjur duke thënë për CNN se vendi i tij nuk do t’i injorojë kërcënimet dhe se do të veprojë nëse do t’i duhet të mbrohet nga ndonjë sulm amerikan, ose saudit, që sipas tij do të çonte në një luftë të hapur.

Mohammad Javad Zarif ka deklaruar se sekretari i Shtetit Mike Pompeo është pjesë e të ashtuquajturit “Grupi B”, ku sipas Teheranit bën pjesë edhe princi saudit i kurorës, të cilët po përpiqen të mashtrojnë presidentin Trump, duke e nxitur për opsionin e luftës.

Riadi zyrtar, që e cilësoi sulmin një “test të vullnetit global”, publikoi të mërkurën pjesët e mbetura të dronëve dhe raketave iraniane të përdorura në sulmet ndaj rafinerive, duke deklaruar se janë një provë e pakontestueshme e agresionit të Teheranit./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono