Studentët: Protestë deri në plotësimin e gjithë kërkesave

17:59 | 06/12/2018

Protesta masive e studentëve prej disa ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit detyroi Ministrinë e Arsimit të pranojë kërkesën e studentëve që u bë shkak për këtë protestë, heqjen e tarifës për provimet e mbartura. Por studentët u shprehen se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e të gjithë kërkesave të tyre.

Studentë në Tiranë, Korçë, Elbasan, Durrës e Shkodër bojkotuan mësimin, duke kërkuar rishikim të tarifave universitare. Për rreth gjashtë orë ata përsëritën kërkesat e tyre përpara Ministrisë së Arsimit.

Studenti 1: “Duam vetëm të drejtat tona. Të ulen taksat, shpenzimet që paguajmë çdo vit. Çdo muaj familja ime paguan mbi 500 mijë lekë për shkollimin tim”.

Studenti 2: “Me VKM-në që është miratuar në fakultetin tim duhet të paguanim 6.700 lekë për çdo kredit të mbartur. Kjo është arsyeja pse u revoltuam. Nisëm të ngrinim zërin kundër kësaj tarife”

Studenti 3: “Ishte heqja e VKM-së për tarifim shtesë të çdo krediti. Ishte shtyerja e datës së pagesës që e kishim sjellë në datën 15 Dhjetor dhe e donim të shtyhej në fund të Janarit siç ka qenë gjithmonë dhe e treta ishte shlyerja me këste”.

Studenti 4: “Nuk kemi një bankë të saktë. Klasat na mbyllen gjithmonë për të punuar. Nuk është se janë kushtet të mira”.

Rruga e Durrësit u bllokua, ndërsa qarkullimi i automjeteve ishte i pamundur. Megjithatë studentët bënë dhe përjashtime. Pavarësisht thirrjeve për të mos hedhur objekte në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit disa studentë zemërimin e shprehën me vezë dhe letra higjenike. Pak pas mesditës, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, mblodhi rektorët e dekanët e universiteteve dhe deklaroi, se neni 4 i VKM-së së qeverisë, që përcakton tarifë për provimet e mbartura, do shfuqizohet menjëherë, pasi ata vetë ta vendosin një gjë të tillë.

“Pas vendimmarrjes tuaj, patjetër që qeveria do të abrogojë këtë pikë të VKM-së së fundit. Pra do të hiqet neni 4 dhe nuk do ketë kosto shtesë për studentët përsëritës që mbartin provimet nga një vit i mëparshëm. Është i qartë si drita e diellit që qeveria nuk bën as ulje dhe as ngritje të tarifave të studimit. Janë universitetet ato që me strukturat e veta përcaktojnë tarifën e studimit, përcaktojnë kuotat për çdo program studimi dhe përcaktojnë kriteret e pranimit”, u shpreh Nikolla.

Edhe pas këtij vendimi studentët e universiteve publike nuk kanë ndërprerë protestën. Ata kërkojnë gjithshtu përgjysmimin e tarifave të shkollimit dhe përmirësimin e kushteve të akomodimit të tyre.

Studenti: “Duke qenë se ata u tërhoqën nga pika 4 kjo do të thotë se mund të tërhiqen dhe nga pikat e tjera sepse jemi shumë dhe ata nuk mund t’i përballojnë këtij presioni. Ne kërkojmë përgjysmim të tarifave të studimit në çdo nivel të arsimit të lartë deri në arsim publik falas dhe kërkojmë kushte më të mira. Kërkesat e studentëve nuk kanë fund. Lista është shumë e gjatë prandaj sot duhet të kërkojmë të gjitha kërkesta që të përfitojmë sa të mundemi nga ato”.

Pyetje:Përgjysmimin e tarifave ministrja tha që e kanë në dorë universitetet”?

Studenti: “Kjo nuk është e vërtetë. Kjo është gënjeshtër. Këta kanë përdorur gjithnjë të njëjtin atrgument. Tavanin e tarifave e vendos qeveria dhe universitetet vendosin nëse do e respektojnë atë tavan apo do shkojnë më poshtë. Kështu që qeveria mjafton të ulë tavanin, të rrisë buxhetin dhe tarifat tona do ulen menjëherë”.

Pas këtyre deklaratave vjen edhe reagimi i dyte i ministres së Arsimit. Ministrja Nikolla tregoi se ka marrë një kërkesë nga Këshillat Studentorë për 3 kushtet e tjera të vendosura nga studentët ndërsa paralajmëroi ngritjen e një grupi pune.

“Kam marrë një kërkesë nga Këshillat studentore që e miratoj me të dyja duart. Një kërkesë që thotë se për kërkesat 2, 3 dhe 4 të ngrihet një grup pune për Këshillat studentorë, ministria dhe universtitetet. Jam dakord dhe besoj se kjo është rruga e duhur që ne të ërmirësojmë shumëçka, por mbi të gjitha të ndërtojmë një dialog, mbi të vërteta ku bordet e administrimit, Senatet e Universiteteve dhe çdo aktor tjetër të jenë në universitete, të bëjnë transparente dhe të debatojnë dhe me studentët për gjithçka që merret vendim për jetën universitare”, u shpreh Nikolla.

Por as ky vendim i Ministrisë së Arsimit nuk i largoi studentët nga sheshi para ministrisë.

Studentja 5: “Nuk do pranojmë që do bëhemi pjesë e këtyre bisedave të izoluara. Thirrja jonë ka qenë shumë publike. Kemi thënë për të dalë në shesh, dhe për të komunikuar atje të gjitha vendimet që merren”.

Studentët shprehen se do të përshkallëzojnë protestat deri në realizimin e të gjitha kërkesave të tyre./abcnews.al





Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono