Studentët në të gjithë vendin në protestë

16:23 | 06/12/2018

Studentët në Korçë, Elbasan, Durrës, por edhe një pjesë e tyrë në Vlorë, protestuan për katër kërkesat e tyre ekonomike. Tubimet në Korçë dhe Elbasan ishin më masive.

Korça
Ishte masiv dhe i fuqishëm reagimi i studentëve të Korçës. Që në mëngjes, ata bojkotuan mësimin dhe para godinës së Universitetit “Fan Noli”, u bashkuan studentë nga të gjitha fakultetet e tij. Më pas ata marshuan në bulevardin Republika, duke u ndalur e bllokuar sheshin qendror të qytetit të Korçës. Qarkullimi në dy anët e rrugës u bllokua. Njëlloj si studentët e Tiranës, Elbasanit e Durrësit, edhe ata të Universitetit të Korçës protestuan kundër tarifave të larta, përfshi tarifën për provimet e prapambetura si dhe kërkuan përmirësim të kushteve universitare.

Studenti 1: “Ne solidarizohemi me të gjithë studentët. Kërkesat tona i kanë thënë të gjithë ata që po protestojnë. Ne i kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë ti mbështesim.”

Student 2: “Për provimet e mbartura thonë se është 6500 lekë të vjetra për një kredit. P.sh. Dikush që mund të jetë student i mirë mund ta lerë provimin e mbartur sepse nuk i pëlqn nota, pse duhet të paguajë ai prapë shtesë?!…”

Durrës
Studentë të universitetit Aleksandër Moisu në Durrës, i cilësuan poshtëruese deklaratat e kryeministrit Edi Rama se protestojnë ata që janë ngelësa. Rinia nuk është ngelëse, por është një rini që përpiqet për të mësuar e studiuar, që merr para borxh për të paguar tarifat e rritura të Edi Ramës, thanë protestuesit.

Studenti 3: “Nëse nuk e ndalim tani këtë fenomen, pavarësisht se prek vetem një pjesë, atëhere ky tren i madh tarifash dhe kartonash nuk do të ndalet kurrë.”

Studenti 4: “Të ulet dhe tarifa kryesore që është e vitit dhe të hiqen edhe tarifat e provimeve të prapambetura. Çfarë i kushton atyre të na sjellin një fletë provimi që ta bëjmë aty.”

Studenti 5: “Jam në master shkencor në UAMD dhe tarifa është shumë e lartë dhe e papërballueshme. Prindërit janë pa punë dhe meritokracia nuk ekziston nëse kam mbaruar me rezultate shumë të mira nuk është se mund të futem në punë. Ërderisa punët janë me militantë politikë, unë kërkoj thjesht drejtësi, përmirësim të cilësisë së shërbimit dhe uljen e tarifës.”

Elbasan
Edhe studentët e Elbasanit kanë bojkotuar mësimin, duke iu bashkuar kërkesave të shpallura nga ata të Tiranës. Nga fakultete të ndryshme ata u mblodhën dhe protestuan në sheshin para universitetit. Në këtë protestë nuk u panë pedagogët, por politikanë të cilët kanë thënë, se shkuan aty me kërkesën e vetë studentëve.

Studenti 6: “Kauza jonë është që vendimi të anulohet dhe nuk do të ndalemi deri sa kjo gjë të realizohet.”

Studenti 7: “Është shumë shumë e tepërt që ne studentët të paguajmë këto tarifat dhe taksa që janë të papërballueshme për xhepat tanë dhë për prindërit tanë.”

Studenti 8: “Kërkesa tjetër është përgjysmimi, sepse është aluduar që do të ngrihet taksa jonë vjetore. Sigurisht që kjo është një pengesë për ne dhe përveç krediteve duhet të përgjysmojmë dhe tarifën tonë sepse jemi universitet publik dhe tarifa jonë është e barabartë me të privatit.”

Shkodra
Pritej të ishte më e fuqishme protesta e studentëve në Shkodër. Por në një njoftim të tyrin, tubimi ishte parashikuar të premten. Megjithatë studentët e disa fakulteteve të Universitetit të Shkodrës, protestuan para godinës së rektoratit. Ata thanë se tarifat kanë rënduar. buxhetin e tyre.

Studenti 9: “Kërkojmë dhe mbështetjen e pedagogëve të Universitetit të Shkodrës, sepse edhe ata janë të akuzuarnga shumë eksponentë që kanë qenë ata që kanë kërkuar rritjen e këtyre tarifave.”

Studenti 10: “Kemi absolutisht nevojë për ndihmën e pedagogëvenë qoftë se ata nuk e kanë kërkuar një gjë të tillë, janë akuzuar padrejtësisht dhe të vijnë këtu me ne nëse nuk e kanë kërkuar dhe ta kërkojmë rrëzimin e VKM-së që është e pakuptimtë dhe shkatërruese për studentët.”

Studenti 11: “Këtu është duke u shkelur Kushtetuta haptazi. Ne që e studiojmë Kushtetutën me imtësi ne e kuptojmë më mirë se të gjithë.”

Studenti 12: “Që të paguajmë një taksë mbi taksë është komplet e palogjikshme. Nuk kemi ngrohje, nuk kemi ftohje, ne juridiku nuk kemi një sallë ku të zhvillojmë mësimin.”

Në Vlorë dhe në Gjirokastër studentët nuk arritën të organizoheshin. Disa nga ata u thanë gazetarëve se nuk kishin informacion, por edhe kanë patur frikë nga drejtuesit e Universiteteve./abcnews.al




Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono