Studentët e Universitetit Politeknik braktisin mbledhjen me Ramën

18:01 | 20/12/2018

Një pjesë e studentëve të Universitetit Politeknik braktisën mbledhjen që po zhvillohej me kryeministrin Edi Rama mbrëmjen e kësaj të enjteje. Ishte një nga studentet e fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës që mori fjalën dhe tha se kryeministri e ka marrë në telefon duke i quajtur studentët që kanë protestuar dembelë mendorë.

Në fjalorin tuaj cilat fjalë konsiderohen fjalë ofenduese. Fjala zhvatje me vetëdije konsiderohet ofenduese?

Edi Rama: Skandaloze!

Studentja: Pse është skandaloze, kur ajo po bëhet realisht.

Edi Rama: Këtë s’ta shpjegoj dot realisht.

Studentja: Unë e kuptoj nuk e shpjegoni. Edhe mbrëmë nuk më keni dhënë përgjigje. Keni thënë që gjatë gjithë këtyre ditëve jeni treguar në një nivel shumë të lartë dembela mendorë.

Edi Rama: S’është fjalia ime kjo!

Studentja: Është fjalia juaj zoti Rama. Më keni marrë në telefon në orën 10:30 të natës. Të mbaroj unë dhe pastaj fol ashtu siç ia bëre të gjithëve.

Edi Rama: Lexoje në mënyrë korrekte fjalinë.

Studentja: Po ta them unë. “Ti dhe kushdo mendon si ti mua më merr të keqen për zhvatjen me vetëdije dhe paturpësia në lëshimin e këtij lloji të neveritshëm fjalësh  jo që nuk ëhstë argument, por flet sa 1000 fjalë për nivelin e dembelizmit mendor që në mënyrë spektakolare është shfaqur gjatë gjithë këtyre ditëve”. Çfarë jemi ne për ju? Lolot e qeverisë?

Edi Rama: Ky është një tregues tjetër i një të vërtetë shumë të thjeshtë. Unë i repsektoj të gjithë ata që më shkruajnë.

Studentja: Nuk ke bërë asnjë respekt zoti Rama. Ju nuk doni dialog. Ju doni vetëm të bëni monolog me veten tuaj. Nuk na blini dot siç ke blerë 1000 Freshistë.  Nuk na ulni dot poshtë duke na thënë që do iu heqim prindërit nga puna, duke na kërcënuar me makina. Zërin tonë do e dëgjoni. Ju vetëm doni të flisni. Kjo nuk është dialog, është e manipuluar. Dialogu duhet të ishte bërë me të gjithë studentët jo veç e veç. Kemi qenë të gjithë bashkë ditën e parë dhe ju doni të luani atë lojën kukafshehti se ja se po futem unë me rektorin, hajd se po futem unë me dekanin. Kush do të dëgjojë monolog le të rrijë këtu. Ne po largohemi”, tha studentja.

Menjëherë sapo studentët dolën nga salla, kryeministri e quajti të falur sjelljen e tyre duke patur parasysh se çfarë modelesh përcjell politika.

“Jam prej ditësh i shqetësuar për nivelin e edukatës në komunikim. Natyrisht që duke jetuar përditë dhe se çfarë modelesh dhe çfarë niveli mjeran komunikimi frymëzon politika këta janë të falur. Por sidoqoftë unë besoj që prindërit shqiptarë nuk mësojnë këtë lloj edukate. Është skandaloze që të akuzosh, të shpifësh, të fyesh, të bërtasësh, të sillësh siç nuk ka shanse të bësh në universitet e planetit dhe të quash veten protestues që proteston për të drejtat e tyre”, tha Rama.



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono