Spaho zbulon kur do të jenë protestat e opozitës

21:04 | 21/03/2019

Opozita do të vazhdojë të protestojë sa herë të ketë seancë plenare. Ishte kjo deklarata e ish-kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, i cili gjatë emisionit “Mbrëmje ABC” me Mirela Milorin tha se po diskutohet një datë tjetër ku do të protestohet përpara Kuvendit.

“Çdo të enjte do të ketë protestë kur mblidhet parlamenti. Do të ketë edhe një protestë të radhës përballë Kryeministrisë që mund të jetë 6 ose 13 Prill. Shumë shpejt do e vendosim. Po konsultohemi me të gjithë aktorët”, tha Spaho.

Të shtunën e 23 Marsit, Partia Socialiste pritet të zhvillojë Kongresin e saj, por është lajmëruar që mund të ketë edhe një miting nga ana e simpatizantëve të saj. I pyetur nëse Partia Demokratike do të zhvillojë një anti-miting të shtunën, Spaho tha se nuk ka dijeni nëse do të ketë ndonjë aktivitet nga selia blu, por nuk e përjashtoi dhe mundësinë e një proteste.

Përsa i përket frikës për një konflikt civil, Spaho tha se kokëfortësia dhe mungesa e tolerancës mund të çojnë në një përplasje.

“Nga sa jam në dijeni nuk di të ketë aktivitet tonin të shtunën, por nuk e përjashtoj të zhvillojmë një protestë, pasi jemi në një cikël protestash. Nuk e shikoj si anti miting, por si përpjekje për të përçuar edhe njëherë më shumë mesazhin tonë te kjo mazhorancë. Është e mira që mazhoranca ta shikojë me kthjelltësi rrugën ku po e fut vendin. Të shikojë defektet dhe problemet që ka pasur në qeverisje dhe të përpiqet të marrë disa përgjegjësi dhe ti vërë në rrugën e zgjidhjes. Këto problematika nuk janë krijuar për faj të opozitës. Nuk dua ti referohem një rasti konkret si ky i ditës që po flisni ju, po kokëfortësia, mungesa e tolerancës mund të çojë në përplasje civile. Këtë nuk e them unë për herë të parë. Shikohet si një opsion që do jetë produkt i intoleranës, i kokëfortësisë, i të vazhduarit në atë rrugë që ka nisur në 2013-n. Ndryshe pse do kishim ardhur këtë? Dhe për këtë nuk mund të akuzohet opozita. Është produkt i sjelljes së mazhorancës. Opozita nuk qeveris”, tha Spaho.

Gjithashtu, Spaho u shpreh se do ishte kundër hyrjes së PD-së në zgjedhjet lokale të Qershori.

“Vendimi nuk është marrë, por nëse do më pyesnit mua e shikoj pakuptim pjesëmarrjen në zgjedhje lokale sa kohë luftojmë për zgjedhje të përgjithshme”, tha Spaho./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono