S’ka akord FSHF-Qeveri për rimbursimin e TVSH-së në arenën kombëtare

18:35 | 12/02/2019

Nis gjyqi mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe qeverisë për rimbursimin e TVSH-së së “Arenës Kombëtare”. Institucioni i futbollit ka besim se do të dalë fitues, dhe që stadiumi do të jetë gati në 11 qershor.

Nuk ka akord, pavarësisht lajmërimit për inaugurimin. Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon të jetë në gjyq me qeverinë shqiptare, për rimbursimin e TVSH-së në ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar. Burime brenda institucionit bëjnë me dijë se pikërisht ditën e parë të kësaj jave, të hënën, u zhvillua seanca e radhës.

Federata kërkon rimbursimin e një shifre që besohet se i kalon 2 milionë eurot, dhe këmbëngul se ligji ia njeh këtë të drejtë, aq më shumë që kompania që po ndërton stadiumin bashkë me të, është rimbursuar. Në Federatë thonë se presidenti Duka është 100 për qind optimist se gjyqi do të fitohet, duke theksuar se e drejta është me të.

Pak javë më parë, pikërisht për këtë problem, mbërriti në Tiranë Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Theodhoridhis, i cili pati një takim me kryeministrin Rama, në prani edhe të Dukës. Në takim, Theodhoridhis dhe Duka propozuan që qeveria dhe federata të pajtonin, secila, nga dy kompani të mëdha ligjore ndërkombëtare, për të dhënë verdiktin se kujt i takon e drejta.

Në institucionin e futbollit mendojnë se qeveria mund të jetë në vështirësi financiare, që nuk pranon dhënien e 2 milionë eurove, por ka edhe nga ata që dyshojnë se kjo është çështje që do të zgjidhej nëse do të përdoreshin mënyra jo korrekte ndaj ligjit.

Federata ka lajmëruar se “Arena Kombëtare” do të jetë gati për ndeshjen e eleminatoreve të Europianit ndaj Andorrës, në 11 qershor të këtij viti, ndonëse në njoftimin e saj nuk jepet emri i stadiumit, por vetëm Sheshi Italia, pranë të cilit ndodhet impianti.

Sfidën e parë në grup, atë ndaj Turqisë, kombëtarja pritet ta luajë në “Loro Boriçi” në 22 mars. /abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono