Shumë emra, por pak siguri në garën për trajnerin e ri të Kombëtares

14:52 | 27/03/2019

Shumë emra, por pak siguri për pasardhësin e Kristian Panuçit në stolin e Kombëtares. Duka ka propozime në numër të madh, por puna pritet të nisë javën e ardhshme.

U mbyll një sfidë, por mbetet një tjetër më e madhe. Kombëtares së Shqipërisë i duhet një trajner i përhershëm, dhe presidenti i Federatës, Armand Duka, ka nisur një proces që e njeh shumë mirë, por në të cilin nuk është asnjëherë i sigurt.

Kristian Panuçi u largua, dhe besohet se kjo ishte lëvizja e duhur, por tashmë duhet gjetur një pasardhës.

Emrat e bërë publikë janë të shumtë, veçse është tepër e vështirë të thuhet se janë kandidatë konkretë apo manovra të vetë trajnerëve e menaxherëve të tyre.

Edi Reja, që ishte në “Loro Boriçi”, Luixhi De Kanio, që ka qenë edhe më parë pretendent për stolin kuqezi, si dhe Roberto Donadoni, ish-trajneri i Italisë dhe I disa skuadrave të tjera në Serinë A.

Në skenë ka dalë, ndoshta si I vetëofruar Safet Sushiç, ish-trajner i Bosnjë-Hercegovinës, veçse edhe për këtë nuk ka asnjë siguri lidhur me lajmet.

Burime në Federatë pohojnë se është e pamundur të mësohet gjë, pasi gjithçka është në dorë të Dukës, por gjithsesi theksojnë se kërkimi për trajner do të nisë seriozisht nga e hëna e ardhshme.

Presidenti ka qenë jashtë vendit, dhe këtë të enjte do të jetë në Prishtinë, në një takim të federatave ballkanike.

Vështirësia për të zgjedhur është tepër e madhe, për shkak të kufizimit të burimeve financiare në Federatë, dhe të faktit se trajnerët e cilësuar të mirë, siç mund të jetë Donadoni, kanë pretendime të mëdha.

Dëshira e numrit 1 të federatës besohet se është që të ketë sërish trajner italian, ndonëse një teknik si Sushiç arriti në finalet e Kupës së Botës në 2014, në stolin e Bosnjë-Hercegovinës.

Po ashtu, ekziston edhe mundësia për një trajner shqiptar, ku kandidati më i përshtatshëm për momentin duket Besnik Hasi.

Ish-kapiteni i Kombëtares doli kampion i Belgjikës tek Anderlehti, si dhe drejtoi Legian e Varshavës në Poloni dhe Olimpiakosin e Pireut në Greqi. /abcnews.al

 

 


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono