Shqipëria, klimë “të zezë” për investimet e huaja

21:35 | 11/07/201921:350

Departamenti amerikan i Shtetit e ka vlerësuar si katastrofike klimën e biznesit në Shqipëri. Në raportin vjetor mbi mundësitë për investimet e huaja, Uashingtoni thotë se vendi vuan nga korrupsioni i lartë në institucione, favorizimi i sipërmarrjeve të lidhura me politikën dhe ligjet e dështuara të qeverisë për të bërit biznes.

Shqipëria është një vend i korruptuar, ku mungon transparenca, ligjet janë joefikase dhe favorizohen kompanitë sipërmarrëse të lidhura me politikën. Kështu thuhet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me klimën e investimeve, i publikuar këtë të enjte.

Sipas raportit, investitorët e huaj ankohen për korrupsionin e lartë, sidomos në gjyqësor, për mungesën e transparencës në prokurimet publike dhe për kontratat e pafuqishme.

Dokumenti vlerëson se pavarësisht reformës në drejtësi, investitorët e huaj e perceptojnë klimën e biznesit si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes.

Një tjetër shqetësim në rritje për investitorët e huaj, sipas raportit të Departamentit të Shtetit, është se entet rregullatore e kanë të vështirë të interpretojnë legjislacionin kontradiktor dhe rregulloret dhe përfundojnë duke favorizuar kompanitë e lidhura me politikën.

“Rregullat dhe ligjet për qeverisjen e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime domethënëse me komunitetin e biznesit. Gjithashtu, biznesmenët e huaj ndodhen nën presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me qeverinë”, vijon raporti.

Një tjetër pikë ku Departamenti i Shtetit ndalet në analizën e tij është partneriteti publik-privat, që sipas tij ka reduktuar ndjeshëm shanset për një konkurrencë të drejtë në treg.

“E drejta e pronës mbetet një tjetër sfidë për Shqipërinë, pasi titujt e pronësisë janë shumë të vështirë për t’u siguruar dhe legjislacioni për këtë është i papërshtatshëm”, nënvizon më tej raporti.

Sipas dokumentit, një tjetër problematikë në këtë fushë është edhe fenomeni i korrupsionit në gjykata për të përfituar ilegalisht prona. Gjithashtu, Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave nuk është funksionale dhe dështon në implementimin e procedurave – thotë raporti.

Sa i takon legjislacionit, Departamenti i Shtetit vlerëson se ligjet e miratuara nga qeveria, si ai për Investimet Strategjike dhe ai për krijimin e zonave ekonomike nuk kanë dhënë rezultate.

“Shqipëria perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin perëndimor dhe vazhdon të shënojë progres të dobët në fushat e forcimit të kontratave, regjistrimit të pronave, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe sigurimin e energjisë elektrike”, përfundon raporti./ABC News Albania 24/7


Për t’u bërë pjesë e grupit klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI ABC NEWS ALBANIA: https://www.facebook.com/groups/AbcNewsAlbaniaGroup

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono