Shpërthejnë 2 anije-cisternë në Gjirin e Omanit

21:43 | 13/06/201921:430

Dy anije tregtare që transportonin naftë kanë shpërthyer në Gjirin e Omanit. Incidenti ndodh në një kohë tensionesh të thelluara mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke bërë që të aludohet për shpërthime të qëllimshme.

Dy anije cisternë që transportonin naftë kanë shpërthyer në Gjirin e Omanit, për fat të mirë pa shkaktuar humbje në radhët e ekuipazheve. Autoritetet iraniane deklaruan se shpëtuan të gjithë personat që udhëtonin në dy anijet tregtare, 21 në japonezen “Kokuka” dhe 23 në norvegjezen “Front Alteir”.

Shtetet e Bashkuara kontestuan lajmin e Republikës Islamike, duke deklaruar se ishte marina amerikane që u erdhi në ndihmë ekuipazheve, të cilat kishin braktisur mjetet lundruese.

Ende nuk dihet se çfarë shkaktoi shpërthimet, por ato vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Teheranit dhe Uashingtonit. Një zyrtar iranian deklaroi për BBC se, Irani nuk ka gisht në këtë incident.

“Është dikush që po përpiqet të destabilizojë marrëdhëniet e Iranit me komunitetin ndërkombëtar”, tha zyrtari në kushte anonimati.

Incidenti i ndodhur në një nga akset detare më të rëndësishme në botë për tregtinë e naftës vjen një muaj pasi 4 anije cisternë u sulmuan kur ndodheshin në ujërat pranë Emirateve të Bashkuara Arabe.

Asnjë grup nuk mori përsipër përgjegjësinë për këtë incident, që gjithashtu nuk shkaktoi viktima. Asokohe, Shtetet e Bashkuara fajësuan Iranin për episodin, akuza të cilat u hodhën poshtë nga Teherani. Ndërkohë, pas incidentit të së enjtes, çmimet e naftës u rritën me 4 për qind./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono