Shkrimtari serb Filip David: Kosova nuk është kurrë pjesë e Serbisë

13:42 | 07/06/201913:420

Kosova nuk është dhe nuk ka për të qenë kurrë pjesë e Serbisë. Është kjo deklarata e shkrimtarit të njohur nga Beogradi, Filip David. Në një intervistë për mediat në Bosnje, ai theksoi se Serbia fatkeqësisht nuk ka ndonjë politikan të gatshëm që do të bënte një marrëveshje historike me shqiptarët. Një ‘konflikt i ngrirë’ sipas tij, më së shumti dëmton vetë Serbinë për shkak se rrezikon anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, interesat serbe në Kosovë dhe mund të prodhojë një luftë të re.

Intelektuali i njohur me prejardhje hebreje, Filip David që si fëmijë kishte përjetuar krajatat e pushtimit nazist, në Luftën e Dytë Botërore, duke u prezantuar me emër e mbiemër serb, nga vitet e tetëdhjeta ishte në mesin e pak njerëzve të cilët iu kundërvunë ngritjes dhe politikës së Milosheviqit dhe kjo bëri që regjimi ta fuste atë në listën e tradhtarëve. Edhe për shkak të daljes në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve – në ish-Jugosllavi.

Duke folur për portalin Klix të Sarajevës, Filip David vlerëson se në Serbi vështirë pranohet fakti se Kosova nuk është më pjesë e saj:

“Natyrisht se nuk është e as që do të jetë kurrë më. Ndonëse të gjithë e dinë edhe në Serbi, natyrisht se edhe më tej është mëkat të thuash publikisht diç të tillë. I ashtuquajturi ‘konflikt i ngrirë dëmton më së shumti vet Serbinë sepse rrezikon rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, interesat serbe në Kosovë dhe kërcënon vazhdimisht një luftë të re. Disa, që është marrëzi, shpresojnë zgjidhje ushtarake, sikur është e mundshme që me armë Kosova të kthehet në përbërje të Serbisë. Një marrëveshje e mirë me Kosovën do të mbronte minoritetin serb, do të mbronte pëmendoret kulturore serbe, do të sjellte qëndrueshmëri dhe do të ishte shembull i zgjidhjes së çështjeve të hapura. Alternativa është lufta deri në shfarosje, qoftë deri në serbin dhe shqiptarin e fundit, diçka që dëshirojnë patriotët e këtushëm duke mos njohur në çdo rrethanë pavarësinë e Kosovës” – thotë Filip David duke pranuar se nuk e kupton këtë lloj atdhetarizmi vetëvrasës.

“Nuk e kam kuptuar kurrë këtë lloj atdhetarizmi vetëvrasës, këtë patriotizëm që vajton mbi gërmadha. Serbia fatkeqësisht nuk ka ndonjë politikan të gatshëm që të bëj një marrëveshje historike me shqiptarët. Këtë munden vetëm burrështetasit e mëdhenj. Vuçiqi nuk është i tillë”- nënvizon intelektuali Filip David. Ai rikujton se media e kontrolluar nga presidenti serb bën çdo ditë thirrje për konflikt të armatosur, helmon popullin me gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra dhe kur herë-herë Vuçiqi përmend nevojën e marrëveshjes, media e tij sakaq e përgënjeshtron që nuk do të guxon ta bëj pa dijeninë dhe pëlqimin e tij. Kjo politikë që shtrihet mes demagogjisë dhe gënjeshtrave, thotë David, emërtohet shpesh – politikë skizofrenike.

Duke komentuar përplasjet e fundit mes udhëheqjes së Serbisë dhe Kosovës për shkak të operacionit të policisë kosovare, shkrimtari i njohur vlerëson se moszgjidhja e statusit të Kosovës bën që të rritet rreziku dhe dëmi i përgjithshëm për shkak se një konflikt i madh nuk mund të kalojë pa përfshirjen edhe të fuqive të mëdha.

I pyetur nëse Serbia ka hequr dorë nga pretendimet ndaj Bosnjë-Hercegovinës, Filip David thotë se Republika Serpska duhej të ishte beden i fundit për mbrojtjen e mosnjohjes së Kosovës.”Nëse Kosova bëhet e pavarur, atëherë kështu do të bëhet edhe me Republika Serpskën”– rikujton ai argumentin e Beogradit duke vlerësuar se ky kërcënim ka tonin e vërejtjes dhe të shantazhimit. /ABC news Albania 24/7


Për t’u bërë pjesë e grupit klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI ABC NEWS ALBANIA: https://www.facebook.com/groups/AbcNewsAlbaniaGroup

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono