Shkëlqimi dhe rënia e Valdrin Pjetrit, “topi” i Shkodrës sërish në portën e Metës

14:38 | 14/08/2019

Institucionet shqiptare kanë nisur komunikimet me shtetin italian për të konfirmuar nëse Valdrin Pjetri ka qenë vërtetë i dënuar siç PD deklaron. Nëse kjo vërtetohet, atëherë Shkodra duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, teksa socialistët do të ngelin sërish në dorë të Ilir Metës për të caktuar një datë të re. Ndërsa Edi Rama ende nuk ka vendosur nëse do të lejojë që Këshilltarët socialistë në Shkodër do të lejojnë ose jo betimin e Valdrinit, parashikuar në 21 gusht.

Valdrin Pjetri është politikani i lëvizjeve drastike. Ai arriti që brenda vitit, të jetë edhe Drejtor i Përgjithshëm i Hipotekave, edhe Prefekt i Shkodrës, edhe kandidat fitues për këtë bashki, e njëkohësisht, me bekimin gjithnjë e në rritje të Edi Ramës, të bëhej edhe drejtues politik i socialistëve në qarkun më të madh verior.

Por kështjella politike e Valdrin Pjetrit e ndërtuar shpejt nga mbështetja e pa kursyer e Edi Ramës, u thërrmua po kaq shpejt të martën, kur demokratët publikuan vendimin e dënimit të tij të fshehur në Itali për trafik droge.

Edi Rama e ngriu marrëdhënien e Valdrinit me Partinë Socialiste derisa të dalë e vërteta ligjore.

Pavarësisht kësaj, Pjetri është i pari socialist që u shpall fitues për bashkinë e Shkodrës, ku selia rozë nuk kishte mundur asnjëherë të tejkalonte demokratët.

Edhe pse e fitoi Shkodrën pa një rival në garë, Pjetri mund të jetë i pari kryebashkiak fitues që nuk do të mundë as të bëjë betimin e tij dhe të vendosë shiritin simbolik kuq e zi.

Ceremonia e marrjes së zyrës së Voltana Ademit nga i preferuari i Ramës në Shkodër ishte parashikuar në datën 21 gusht, por qarqet politike nuk e kanë marrë vendimin nëse kjo gjë do të ndodhë në këtë datë, apo do të ngrijë derisa të flasë drejtësia.

Institucionet kanë nisur letër-porosi në Itali për të marrë një konfirmim zyrtar  nëse dokumentet e publikuara nga PD, janë origjinale. Nëse prokuroria konfirmon vërtetësinë e tyre, KQZ brenda 5 ditëve duhet ti ndërpresë mandatin, pasi dënimi për trafik droge, përbën ndalim të përjeshtëm në funksione publike.

Nëse Valdrin Pjetrit i ndërpritet mandati, atëherë, presidenti i Republikës, duhet të caktojë një datë të re për zgjedhje të pjesshme në Shkodër. Por në kushtet kur Ilir Meta nuk e njeh 30 qershorin dhe pasojat e atyre zgjedhjeve, pikëpyetja më e madhe e socialistëve është se çfarë do të bëjnë nëse kreu i shtetit nuk dekreton kurrë një datë të re për zgjedhjet lokale në Shkodër.

Socialistëve ju duhet një strategji juridik-politike për të dalë nga kurthi i së shkuarës së Valdrinit, ndërsa Edi Ramës i duhet një emër i ri për drejtimin e Shkodrës, të cilën e shpalli objektivin e tij strategjik./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono