Shefat e shërbimeve në QSUT peng i ministres së Arsimit

16:09 | 13/02/2019

Shërbimet spitalore në QSUT vijojnë të drejtohen nga shefa të paligjshëm. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu thotë se e ka firmosur listën e fituesve, ndërkohë zyrtarizimi i emrave ka mbetur në tryezën e ministres së Arsimit Besa Shahini.

Ministrja e Arsimit Besa Shahini po mban peng 41 drejtuesit e shërbimeve në spitalin më të madh në vend. Shefat e rinj të shërbimeve në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë janë përzgjedhur që në muajin nëntor të vitit të shkuar, por duhet të zyrtarizohen nga ministrja e Arsimit Besa Shahini dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Mansatirliu.

Manastirliut thotë se ajo e ka firmosur listën e fituesve e tashmë ajo është mbi tryezën e koleges së Arsimit.

Ministrja e Shëndetësisë sqaroi këtë çështje pasi inauguroi urgjencën e re të shërbimit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku  bëri të ditur gjithashtu praktikën e re që do të ndiqet në këto shërbime.

 “Nuk do të lejohen familjarët në urgjenca, përvec rasteve kur kërkohet nga mjeku. Gjej rastin të bëj një apel, një lutje për qytetarët, të mirëkuptojnë personelin mjekësor”.

Kjo masë e Ministrisë së Shëndetësisë vjen pak ditë pasi një mjek infeksionist u godit nga i afërmi i një pacienti, ndërsa po i shërbente një tjetër të sëmuri. Kolegët e tij kërkuan përmirësim të kushteve të punës dhe shtim të stafit për t’ju përgjigjur fluksit të shtuar të pacienteve. Sa i përket kësaj çështjeje ministrja Manastirliu deklaroi:

 “Mungesa për katër vite e specializimeve patjetër që ka sjellë probleme sa i takon mjekëve të specializuar, por pas më pak se 1 muaji, diplomohen 300 mjekët e parë specialistë, ku mes tyre ka edhe infeksionistë që kanë kontratë me Ministrinë dhe do të shërbejnë në disa spitale rajonale, si dhe janë 4 mjekë që mund të rekrutohen, sipas procedurave, menjëherë nga drejtoria e QSUT-së. Sa i takon personelit infermieror, fituesit e shpallur nga konkursi transparent, po ashtu mund të punësohen sipas pikëve, edhe në këtë shërbim”.

Ndërkohë urgjenca e re e shërbimit infektiv është planifikuar për t’i shërbyer 40 mijë pacientëve ne vit.

Numri i shtretërve nga 6 ka shkuar në 15, janë krijuar dy bokëse izolimi për sëmundjet ngjitëse ndërsa qendra e imazherisë për ekzaminimet e skanerit, grafisë  apo ekove është përfshirë brenda godinës. /abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono