SHBA, sulm me armë zyrave të anti-emigracionit në Teksas

14:31 | 14/08/2019

Zyrat e Agjencisë për Emigracionin dhe Doganat në Teksas të Shteteve të Bashkuara janë sulmuar me armë mëngjesin e së mërkurës.

Autoritetet që kanë marrë në dorë hetimet e kanë konsideruar sulmin një akt të përgatitur kundër agjentëve të përfshirë në operacionet kundër emigracionit ilegal.

Breshëri plumbash janë qëlluar ndaj zyrave të Agjencisë për Emigracionin dhe Doganat në Teksas të Shteteve të Bashkuara.

Autoritetet, përfshirë FBI-në, e kanë vlerësuar episodin si një sulm të përgatitur kundër oficerëve federalë.

Ngjarja ndodhi në 3 të mëngjesit me orën lokale, 9 me orën tonë, në zyrat e agjencisë në San Antonio.

Dy godina fqinje u bënë gjithashtu objekt sulmesh, por për fat të mirë në të treja rastet nuk pati të lënduar.

FBI, që ka marrë në dorë hetimet, ka deklaruar se po kontrollon kamerat e mbikëqyrjes për të arritur tek autorët.

Ndërkohë, përmes një deklarate, vetë Agjencia për Emigracionin dhe Doganat fajësoi për të shtënat “retorikën politike” dhe keqinformimin që sipas saj u është bërë politikave të administratës së presidentit Donald Trump.

Agjencia në fjalë është kritikuar ashpër për trajtimin që u është bërë emigrantëve pa dokumenta, të cilët mbahen në qendrat e burgimit të ngritura në afërsi të kufirit SHBA-Meksikë.

Ndërkohë, në vijim të reagimit mbi ngjarjen FBI ka deklaruar se personat përgjegjës për sulmin kishin bërë kërkime, pasi e dinin me saktësi katin e ndërtesës ku ndodhen zyrat e agjencisë.

Sipas Byrosë Federale të Hetimit, vetëm fati ka shpëtuar disa agjentë nga plumbat e qëlluar.

Të shtënat u verifikuan pak kohë pas sulmeve në El Paso dhe Dejton, që thuhet se kishin si bazë urrejtjen ndaj emigrantëve meksikanë./ABC News Albania 24/7



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono