Sezoni veror, Greqia synon rekord të ri vizitorësh

17:49 | 25/06/201917:490

Greqia synon të arrijë një rekord të ri turistësh këtë sezon veror. Sektori i turizmit vazhdon të jetë lokomotiva e rritjes ekonomike të shtetit helen, duke përbërë 12 për qind të prodhimit të brendshëm dhe më shumë se gjysmën e vendeve të punës.

Greqia pret këtë vit të shënojë rekord të rri në numrin e turistëve të huaj. Optimizmi bazohet në statistikat e vitit të kaluar, kur 33 milionë turistë shpenzuan në Greqi 16,4 miliardë euro. Një pjesë e këtyre turistëve vijnë nga Shqipëria, thotë Antonis Seretis, pronar i një zyre turistike në Athinë.

“Kemi një numër të vogël turistësh që preferojnë t’i kalojnë pushimet në ishujt grekë. Janë të shumtë ata që vijnë me makinat e tyre dhe pastaj marrin tragetin për në ishullin e destinacionit. Ka të tjerë që prenotojnë nëpërmjet zyrave turistike në Shqipëri, ashtu sikurse ka një pjesë që prenotojnë direkt nga interneti”, tha Antonis Seretis.

Edhe pse u godit mjaft rëndë në fillimet e krizës së thellë dhjetëvjeçare të Greqisë, turizmi arriti të mbijetonte. Dhe jo vetëm kaq, por është bërë lokomotiva e vetme që e mban në lëvizje ekonominë greke. Të ardhurat nga turizmi përfaqësojnë rreth 12 % të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm. Më shumë se gjysma e vendeve të punës në Greqi kanë lidhje direkte apo indirekte me sektorin e turizmit.

Elementët kryesorë të ofertës turistike të Greqisë janë deti dhe dielli. Por vitet e fundit janë bërë dhe mjaft investime, kryesisht në ndërtimin e hoteleve superluksozë. Vetëm për 2018-n investimet në fushën e turizmit e kaluan vlerën 5 miliardë euro. Megjithatë, në disa ishuj si Mykonos apo Santorini, mbipopullimi ka arritur nivele kritike, thotë biznesmeni Seretis. Kjo ka sjellë si rezultat që një numër i konsiderueshëm grekësh t’i kalojnë jashtë Greqisë pushimet e tyre. Por a mundet që kjo situatë të shfrytëzohet, me qëllim që një pjesë e turistëve të destinuar për Greqinë, të shkojë në vendet fqinje?

“Kam përshtypjen që po të bëhen fushatat e nevojshme publicitare edhe nga vendet fqinje, ka shumë mundësi që turistë të cilët vijnë nga larg, të vizitojnë edhe vendet fqinje. Sepse edhe vendet fqinje kanë zona interesante, ku turisti do të dëshironte të shkonte…” tha Seretis./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono