Serbi, “betejë” për filmin e luftës

22:44 | 25/04/2019

Një film që paraqet historinë e luftës në Kosovë dhe momentin kur forcat ruse u futën nga Bosnja dhe u përqendruan në aeroportin e Prishtinës ka krijuar tensione në Serbi. Tema e filmit ka shtyrë drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanovc që ta ndalojë shfaqjen e tij, ndërsa një parti serbe ka kërkuar shkarkimin e drejtorit.

“Mexha” është turqizëm për kufirin. Rreth këtyre çështjeve Ballkani lufton me shekuj. Në Mexhën e Ballkanit, një film i produksionit serbo-rus, në stilin e filmave aksion amerikan tregon historinë kur forcat nga Moska vendosin të marrin Aeroportin e Prishtinës në Sllatinë.

Forcat ruse në fakt ishin futur në Kosovë, por për një betejë të tillë nuk dihet shumë. Ata janë tërhequr nga misioni me KFOR-in katër vite më vonë. Kështu ka qenë premiera në kryeqytetin serb. Atmosferë festive. Ky film nxiti reagime në Serbi dhe Rusi.

Kështu disi ishte planifikuar të shfaqej edhe në qytetin e Bujanovcit, në jug ku shqiptarët e serbët jetojnë bashkë. Jeton Ismaili, drejtor i Shtëpisë së Kulturës, të cilën e kontrollon komuna, ka marrë vendim për ta ndaluar shfaqjen e këtij filmi.

Ai beson se një gjë e tillë mund të ngrejë tensionet në këtë qytet. Vendimin e marrë nuk e kthen dhe thotë se Shtëpia e Kulturës është e gatshme për bashkëpunime, por për të afruar popullin.

Jeton Ismaili, drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Bujanovc: “Është një qytet multietnik. Sa i përket llojit të filmit, unë them se në të paraqitet një farë urrejtje mes popullit shqiptar dhe atij serb”.

Produksioni i filmit nuk e ka komentuar këtë ngjarje shumë. Por, në Serbi reagimet kanë qenë të shumta. Ndalimin e filmit e kanë komentuar edhe zyrtarët.

Vlladan Vukosavljeviç, ministër i Kulturës, Serbi: “Besoj se këtë situatë do ta zgjidhim me një mendje të shëndoshë. Presim që qeverisja lokale të ndërmarrë një lëvizje të kuptueshme. Gjithsesi, ky lajm nuk është i mirë pasi nuk është në përputhje me politikat kulturore dhe as me politikat e këtij shteti apo pushteteve lokale. Këtë e trajtojmë si një incident, natyrën e të cilit jemi duke e verifikuar”.

Por në Bujanovc kjo nuk bën përshtypje. Ismaili thotë se nuk e tërheq vendimin.

Jeton Ismaili, drejtor i Shtëpisë së Kulturës, Bujanovc: “Filmi, sa të jem unë drejtor, nuk do të shfaqet në Bujanovc. Sa i përket pasojave, dihet si vendosen drejtorët në Bujanovc. Partia serbe ka kërkuar shkarkimin tim, të shohim ç’do të ndodhë”.

Pak projekte të përbashkëta artistike ka në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Historitë e luftës duket se pas dy dekadave e kanë mexhën më të gjatë./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono