Samiti i Londrës mbledh 6 shefat e qeverive të Ballkanit Perëndimor


15:44 | 09/07/2018

Nesër në samitin e Londrës do të mblidhen 6 kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. I pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë shqiptare do të zhvillojë një takim me homologun grek Aleksis Tsipras me të cilin do të disktutojnë ecurinë e negociatave Shqipëri–Greqi.

Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri grek, Aleksis Tsipras, priten të takohen në Londër në samitin e vendeve të Ballkanit. Burime nga qeveria greke kanë bërë të ditur se se dy homologët do të takohen në Londër, për të diskutuar mbi negociatat mes dy vendeve mbi paketën e çështjeve të pazgjidhura mes tyre.

Kjo është një ndër qëllimet e organizimit të Samitit të Londrës i cili synon të lehtësojë bashkëpunimin politik, të ndihmojë rajonin të zgjidhë mosmarrëveshjet dypalëshe dhe të hedhë pas shpine çështje të trashëguara nga e shkuara.

Samiti i Londrës është i pesti në serinë e samiteve në kuadër të Procesit të Berlinit, nismës diplomatike të kancelares Merkel, në vitin 2014, për t’i dhënë impulse të reja afrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Kryeministrja britanike, Theresa May do të presë shefat e qeverive të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë dhe do të përsërisë angazhimin e hershëm të Londrës ndaj rajonit dhe sigurisë europiane.

Çdo vit, Procesi i Berlinit bën bashkë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerë të Bashkimit Evropian dhe përfaqësues të institucioneve europiane, për të punuar së bashku në mbështetje të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.

Një ditë para para takimit të shefave të 6 qeverive, janë mbledhur ministrat e Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit.

“Në këtë samit për herë të parë kemi një kombinim të elementeve që  kanë të bëjnë me sigurinë, me fushën që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës me zhvillimin ekonomik të rajonit dhe tërë procesin e ndërlidhjes”.

Ministri Ditmir Bushati gjatë ndërhyrjes së tij vuri në dukje se forcimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian për çështjet e sigurisë është kusht thelbësor për forcimin e sigurisë rajonale dhe adresimin e sfidave të përbashkëta në këtë drejtim./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono