Ruajtja e fertilitetit në rastet me kancer

12:09 | 24/01/202012:090

Dr. Elton Peçi, mjek gjinekolog, Specialist në Mjekësinë Riprodhuese & Fertilizim In Vitro në Spitalin Amerikan 2, jep më shumë informacion për ruajtjen e fertilitetit në rastet me kancer.

Është fakt se progreset në fushën e onkologjisë kanë bërë të mundur që gjithnjë e më shumë pacientë t’i mbijetojnë kancerit. Mirëpo, mjaft pacientë që e kalojnë me sukses betejën me kancerin, mësojnë se e kanë të pamundur të kenë fëmijë më pas. Kjo për shkak të efekteve shkatërrimtare që mund të ketë kanceri dhe terapia kundër tij mbi fertilitetin. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme konsulta edhe me një mjek specialist në infertilitet dhe në Fertilizim In Vitro përpara se të fillohet trajtimi kundër kancerit.

Shkaqet e mundshme të infertilitetit në pacientet me kancer janë:

Trajtimi mund të prekë direkt organet genitale, për shembull në rastet me tumor të ovarit (vezores) tek femrat, pjesë e terapisë është edhe heqja e saj kirurgjikale. Në rastet me kancer testikular tek meshkujt, kërkohet heqja kirurgjikale e testikulit.

Pavarësisht se në cilin organ është lokalizuar kanceri, edhe sikur të jetë larg organeve të riprodhimit, pjesë e terapisë janë edhe radioterapia dhe kimioterapia, të dyja këto mund të dëmtojnë deri në shkatërrim rezervën ovariane tek femrat, apo spermatogjenezën (prodhimin e spermës) tek meshkujt, duke shkaktuar kështu direkt infertilitet.

Cilat janë efektet e kimioterapisë në fertilitetin e femrës dhe të mashkullit?

Disa preparate kimioterapeutike mund të shkaktojnë infertilitet. Kimioterapia përdoret për të trajtuar shumë lloje kanceri, jo vetëm atë të organeve riprodhuese por edhe ato të organeve të tjera. Një efekt anësor i kioterapisë është se përveç qelizave kanceroze dëmtohet rezerva ovariane (ovocitet ose vezët) tek femrat dhe spermatogjeneza (prodhimi i spermës) tek meshkujt. Dëmtimi në disa raste mund të jetë aq serioz sa mund të shkaktojë edhe menopauzë të parakohshme tek femrat ose mungesë totale të prodhimit të spermës tek meshkujt.

Më poshtë paraqiten edhe efektet e kimiopreparateve të ndryshme mbi fertilitet;

Me efekt të lartë dëmtues: Cyclophosphamide, Cholarambucil, Melphalan, Busulfan, Nitrogen Mustard, Procarbazine

Me efekt intermediar dëmtues: Cisplatin, Adriamycin, Bleomycin, Actinomycin D

Me efekt të lehtë dëmtues: Methotrexatem 5-Fluorouracil

A ka mundësi një pacient me kancer të ruajë fertilitetin?

Sigurisht që po.

Kjo përmes teknikave artificiale të riprodhimit (Fertilizimi In Vitro), prandaj është shumë e rëndësishme konsulta edhe me një mjek specialist në infertilitet dhe në Fertilizim In Vitro përpara se të fillohet trajtimi kundër kancerit.

Cilat janë mundësitë për ruajtjen e fertilitetit për një femër me kancer?

Alternativat e ruajtjes së fertilitetit janë ruajtja e embrioneve (embryo freezing) dhe ruajtja e ovociteve (egg freezing). Të dyja këto alternativa bëjnë pjesë në teknikat artificiale të riprodhimit.

  • Ruajtja e embrioneve (embryo freezing) është një mundësi që u përshtatet më shumë femrave që kanë tashmë partner. Në këto raste, pas një stimulimi ovarian që nuk zgjat më shumë se 10 – 14 ditë, ovocitet (vezët) e përftuara aspirohen përmes një teknike minimal invazive që quhet Oocyte Pick – UP (OPU). Këto ovocite fertilizohen më pas me spermatozoidet e partnerit dhe embrionet e formuara kriprezervohen (ruhen në temperatura shumë të ulëta). Pas mbarimit të terapisë së kancerit dhe në rast të fitimit të betejës me këtë sëmundje, përmes embrioneve të ngrira këto femra mund të kenë mundësinë të bëhen nëna.
  • Ruajtja e vezëve (egg freezing) është një mundësi për femrat me kancer, të cilat ende nuk kanë një partner. Në këto raste, pas një stimulimi ovarian, që nuk zgjat më shumë se 10 – 14 ditë, ovocitet (vezët) e përftuara aspirohen edhe këtu përmes teknikës Oocyte Pick – UP (OPU). Më pas këto ovocite kriprezervohen (ruhen në temperatura shumë të ulëta). Pas mbarimit të terapisë së kancerit dhe në rast të fitimit të betejës me këtë sëmundje, përmes ovociteve të ngrira këto femra mund të kenë mundësinë të bëhen nëna. Dhe kjo sërish përmes Fertilizimit In Vitro të këtyre ovociteve me spermatozoidet e partnerit.

Cilat janë mundësitë për ruajtjen e fertilitetit për një mashkull me kancer?

Një mashkull me kancer mund të ruajë fertilitetin e tij përmes ruajtjes së spermës (sperm freezing). Në këto raste, përpara fillimit të terapisë, sperma e ejakulatit mund të kriprezervohet (të ruhet në temperatura shumë të ulëta). Pas mbarimit të terapisë së kancerit dhe në rast të fitimit të betejës me këtë sëmundje, përmes spermatozoideve të ruajtura në ngrirje këta meshkuj mund të bëhen prindër përmes Fertilizimit In Vitro të ovociteve të partneres.

Përmes teknikave moderne të krioprezervimit (vitrifikimit) tashmë është e mundur ruajtja e spermatozoideve, ovociteve dhe embrioneve për 10 apo edhe më shumë vite. Departamenti i Mjeksisë Riprodhuese dhe Fertilizimit In Vitro në Spitalin Amerikan 2, që prej 10 vitesh aplikon teknikën e vitrifikimit në ruajtjen e fertilitetit, duke u ardhur në ndihmë shumë pacientëve me kancer në përpjekjet e tyre për t’u bërë prindër.


Për t’u bërë pjesë e grupit klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI ABC NEWS ALBANIA: https://www.facebook.com/groups/AbcNewsAlbaniaGroup

Të lidhura

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono