Rruga e Arbrit, Rama: Të përfundojë pranverën e vitit 2021

13:45 | 11/10/2018

Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet që po kryhen në Rrugën e Arbrit. Ai i kërkoi kompanisë ndërtuese që pranverën e vitit 2021 punimet të kenë përfunduar. Nëse qeveria tregohet korrekte me pagesat sipas përfaqësuesit të firmës, rruga mund të jetë gati dhe më herët.

Mes batutash ia lanë nga një porosi njëri-tjetrit. Bëhet fjalë për përfundimin e Rrugës së Arbrit që do të lidhë Peshkopinë me Tiranën në më pak se një orë. Punimet që po kryhen, kryeministri Edi Rama i inspektoi bashkë me ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri, për të cilin kjo rrugë dëshmon efektivitetin e Partneritetit Publik –Privat.

“Meqë jemi dhe në kuadër të PPP-ve, kjo është prova e parë që po ecim me ritëm edhe më të shpejtë se sa projektet që paguhen me buxhetin e shtetit. Veprën mund ta fillosh ti, por vepra mund të shkojnë dhe 10 vjet siç kanë vajtur. Me këtë ritëm që kanë këta do bëhet për aq kohë sa e kemi parashikuar”, u shpreh ministri.

Thuajse në të gjithë gjatësinë e rrugës po punohet. Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar sqaron se aktualisht janë investuar mbi 25 milionë euro.

“Janë 35 kilometra dhe punohet aktualisht në 29. Në këtë 14 kilometërshin që jemi aktualisht, kanë mbaruar dy ura, nga ura e Çerenecit e deri në Bllatë e është duke u punuar në dy ura të tjera. Nga 4 tunele, një tunel 500 metra ka mbaruar së hapuri si galeri dhe në të gjithë tunelet e tjera është duke u punuar”, tha Qendro.

Ndërtimi i urave dhe tuneleve i shpjeguan inxhinierët kryeministrit mbetet pjesa më e vështirë e kësaj vepre. Ndërsa shefi i qeverisë nga ana e tij u ndal te panorama që rruga do të ofrojë në përfundim të saj.

“Do jetë një rrugë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e aseteve dhe vlerës që do krijohet në zonat rreth e rrotull. Është fantastike për agroturizëm, për bujqësi. Është Shqipëri e pazbuluar kjo pjesë”, theksoi kryeministri.

Rruga e Arbrit, si pjesë e rrugës së vjetër Egnatia dhe tashme pjesë  e Korridorit 8, është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit. Investimi kap vlerën e 240 milionë eurove ndërsa punimet po kryhen ne Partneritet Publik-Privat./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono



TE FUNDIT