Ronaldo tek Juventusi me 120 milionë euro rrogë në 4 vjet


18:51 | 10/07/2018

Kristiano Ronaldo nis një epokë tjetër të madhe në karrierën e tij. Transferimi i tij tek Juventusi pritet të jetë një sukses i madh sportiv dhe financia.

Nëntë vjet më parë ishte ylli i rruzullit.

Plot 85 000 tifozë mbushën plot e përplot “Santiago Bernabeun” për të parë Kristiano Ronaldon me fanelën e Realit.

U vendos rekordi botëror prej 94 milionë eurosh, dhe nisi një epokë e jashtëzakonshme, që sot mbërriti në fund, pasi Ronaldo kaloi zyrtarisht tek Juventusi.

Reali i Madridit pranoi 105 milionë euro dhe ra dakord që të mbetej pa yllin ndoshta më të madh të historisë së tij, i cili nuk dëshironte më të qendronte.

CR7-ta, pas 4 golave për Portugalinë në Kupën e Botës në Rusi, vendosi për etapën e madhe të radhës, dhe besohet të fundit në karrierë, ndërsa do të fitojë 120 milionë euro në 4 sezone.

Kur të përfundojë kjo kontratë, ylli portugez do të jetë 37 vjeç, por me ambicien që ka, është krejt normale që të luajë në nivele të larta deri në atë moshë.

Për momentin, Kristiano ndodhet me pushime në Greqi, për t’u shlodhur pas një sezoni tepër të gjatë dhe tepër të lodhshëm, në të cilin fitoi Championsin, por dështoi në ligën spanjolle dhe në Botëror.

Juventusi e ka nisur ndërkaq stërvitjen nën drejtimin e trajnerit Alegri, por Ronaldo do të mbetet me pushime deri të dielën.

Në Greqi udhëtoi vetë presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, që mesa duket i dha fund marrëveshjes me portugezin.

Superylli me numrin 7 nuk harroi të botonte një letër të hapur për tifozët madrilenë, ku I falenderoi për mbështetjen, dhe i siguroi se vitet në Madrid kishin qenë ndoshta më të lumturat në jetën e tij.

Me Realin shënoi 450 gola në 438 ndeshje, si dhe fitoi 16 trofe të mëdhenj, përfshi 4 Champions.

Po ashtu, fitoi 4 Topa të Artë me fanelën “merenges” nga 5 gjithsej në karrierë.

Juventusi është i bindur se biznesi me Ronaldon do të jetë me fitim, pavarësisht shpenzimit të 225 milionë eurove në 4 vjet.

Pritet që Kristiano të jetë imazhi i Ferrarit, ndërsa të rriten të ardhurat e klubit nga e drejta televizive, biletat, sponsorët dhe shitja e fanelave në të gjithë botën. /abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono