Ronaldo shënon, por Napoli i afrohet Juventusit

16:36 | 21/10/2018

Ronaldo arrin një tjetër kulm në karrierën e tij të lavdishme. Ylli portugez ia doli pasi shënoi ndaj Xhenoas në Serinë A.

Shkëlqimi ndoshta nuk është ai i pari, por rekordet vijnë.

Kristiano Ronaldo u bë i pari lojtar në Europë që kap shifrën e 400 golave të shënuar në 5 ligat më të mëdha, ndërsa rivaliteti i ashpër me Lionel Mesin vazhdon. Superylli realizoi sërish në Itali, në ndeshjen e barazuar 1-1 ndaj Xhenoas në Torino.

Edhe pse ka vetëm 5 gola në Serinë A, në 9 ndeshje të luajtura, pra poshtë standardit të tij tek Reali, sërish CR7-ta nuk ndalet. Gjatë karrierës shënoi 84 herë për Mançester Junajtidin në Premier Ligë, dhe 311 në La Liga me Madridin.

Rivali i tij më i madh, Mesi, e ndjek me 390 gola. Kristiano duket se po e përmbush përgjithësisht detyrën, por këtë herë ai nuk ishte i mjaftueshëm për Juventusin, në ndalesën e parë në kampionat pas 8 fitoreve radhazi.

Nga kjo përfitoi Napoli, që fitoi 3-0 në fushën e Udinezes disa orë më vonë, për ta ngushtuar diferencën me kryesuesit në 4 pikë. Kampionët mbeten favoritë për titullin, por duket se do të ketë konkurrencë, siç e shkruajnë me gëzim mediat italiane.

“Është gjallë”, titullon për Serinë A, “Il Korriere delo Sport”.

Gazeta “Tutosport” e Torinos i kërkon pikërisht Kristianos: “Ronaldo, na zgjo ti”. Trajneri Masimiliano Alegri pranoi gabimet e ekipit të tij, duke thënë se futbollistët mesa duket ishin me mendje tek ndeshja në Champions ndaj Mançester Junajtidit.

“Kjo që ndodhi do të na vlejë si leksion”, ishin fjalët e tij.

Juventusi ndërkaq po ndjek me shqetësim akuzat për përdhunim ndaj Ronaldos. Klubi italian ka në total rreth 300 milionë euro për portugezin, me synimin për t’u bërë klub global, dhe nuk dëshiron që investimi gjigand të rrezikohet.

Kampionët e Italisë janë larg fuqisë financiare dhe jehonës botërore të gjigandëve si Real Madrid, Barcelona, Mançester Junajtid apo Bajern, dhe mendojnë se vetëm një emër i madh global si Ronaldo mund t’i ndihmojë, edhe pse mosha 33-vjeçare është një tjetër rrezik i madh./abcnews.al




Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono