Ritvan Zykaj në gjykatë, dëshmitarët ikin nga Shqipëria

14:27 | 15/04/2019

Të martën në Gjykatën e Vlorës do të jetë gjyqi ndaj autorit të masakrës së Selenicës, Ritvan Zykaj, por prokuroria dhe gjykata kanë marrë informacion se disa nga dëshmitarët janë larguar nga vendi. Kurse ata që do të paraqiten, pritet të tregojnë detaje të frikshme rreth ngjarjes dhe autorit të saj.

Disa nga dëshmitarët e masakrës së Selenicës do të mungojnë në sallën e gjyqit ndaj Ritvan Zykajt. Ata janë larguar nga fshati i tyre, por edhe nga Shqipëria. Por sipas prokurorit Saimir Smaka, mungesa e tyre nuk do të pengojë zhvillimin e gjyqit, pasi do të merren për bazë deklaratat para grupit hetimor.

Seanca e tretë ndaj të frikshmit Zykaj vjen pas dy seancave paraprake, ku autori i masakrës nuk ka qenë i pranishëm. Të martën, gjyqtari Ervin Trashi do të dëgjojë ata dëshmitarë që kanë mbetur në Resulaj të Selenicës ose deklaratat në polici.

Ndërkohë Ritvan Zykaj vazhdon të qëndrojë në dhomat e izolimit në Policinë e Vlorës. Ai nuk flet me askënd dhe askush nuk ka shkuar ta takojë. Policët që kanë mundur ta shikojnë nga afër, tregojnë se Zykaj shfaqet si një qenie jo e zakonshme.

As qesh e as qan, por me një pamje psikopati të frikshme. Ai është vrasësi i tetë kushërinjve të tij në 10 Gusht të vitit të kaluar, midis tyre një fëmijë tetë vjeç dhe një adoleshente.

Zykaj qëlloi mbi ta me automatik pa asnjë pendim, njëri pas tjetrit. Momentin kur u arrestua tha se i urrente ngaqë e quanin hajdut pulash./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono