Risitë e paketës “Anti – Shpifje”

19:20 | 03/07/201919:200

Në një deklaratë për media ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi risitë e paketës “Anti – Shpifje”, pasi sot Këshilli i Ministrave ka miratuar “Paketën Anti- shpifje”.

Deklarata e plotë 

Sot, Këshilli i Ministrave miratoi “Paketen Anti-shpifje”, pas një pune disa mujore me grup ekspertësh dhe një sërë konsultimesh me aktorë ndërkombëtare dhe vendas.

Kjo paketë synon rregullimin në disa ligje kryesore për shërbimet e medias në tërësi dhe publikimeve elektronike në veçanti. ​
Kjo inisiativë erdhi si pasojë e një fenomeni shqetësues jo vetëm për Shqipërinë por edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian, ku media shpesh herë përdoret si instrument duke pasur për referencë jo faktet konkrete por lajmet e rreme.

Tashmë dihet se një shqetësim i vërejtur në shoqërinë tonë është përhapja në kohë reale e lajmeve të pavërteta, duke u shndërruar pas çdo dite në një problematikë për pavarësinë e gazetarëve, dinjitetin e qytetarëve dhe jetën familjare.

Mungesa e transparencës të një sërë platformash online, mungesa e rregjistrimit të tyre si në cdo shtet evropian, kanë qënë arsyet e rishikimit të kuadrit ligjor ekzistues
me qëllim parandalimin dhe zvogëlimin e efekteve negative që përcjell në shoqëri keqinformimi dhe përhapja e lajmeve të rreme.

Rritja e përdorimit të shërbimeve jo lineare dhe platformave online, e bën të nevojshme përditësimin e kuadrit ligjor rregullues, në mënyrë që të reflektojë zhvillimet e tregut mediatik dhe të arrihet një balancim i drejtë midis ofruesve të shërbimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Kjo me qëllim që të garantohet konkurrenca e mediave që operojnë si ato elektronike dhe media tradicionale. Paketa e re ligjore e miratuar sot nga Këshilli i Ministrave, synon që të rregullojë rregjistrimin e platformave që ofrojnë shërbime mediatike dhe publikimeve elektronike.

Regjistrimi i portaleve i shërben transparencës mbi pronarët e mediave, shmangies së konfliktit të interesave, ndikimit të papërshtatshëm të aktorëve politik,
garantimin e pavarësisë së gazetarëve si dhe pluralizmit të medias.
Më konkretisht:
Paketa Antishpifje konsiston në ndërhyrjet ligjore në ligjin “Për mediat audiovizive, ligjin “Për komunikimet elektronike, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” si edhe në VKM-në për masat e mbrojtjes së fëmijëve nga aksesi në përmbajtje të paligjshme në internet.
Këto ndërhyrje sigurojnë:

1.​procedura të shpejta administrative mbi trajtimin e ankesave për programet e publikuara nga Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike

2. reagim të shpejtë të institucioneve publike në rast të konstatimit të cënimit të të drejtave të indidëve,
duke parashikuar një procedurë të qartë me hapa konkretë për trajtimin e ankesave.

3.​Krijimin e një regjistri që administrohet nga AKEP ku regjistrohen Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike, të pajisur me numër të regjistrimit të personit të tatueshëm, ose të regjistruar në regjistrat tregtarë.

3.​Ofruesit e shërbimeve mediatike do të monitorohen nga AMA.

Paketa antishpifje në asnjë dispozitë të saj, nuk cenon lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e tregut por synon përcaktimin e disa standardeve etike
në mënyrë që të respektohet dinjiteti dhe të drejtat themelore të njeriut.

Së fundmi, ju informoj, se kjo paketë është konsultuar jo vetëm me aktorë vendas, grupe interesi dhe gazetarë, por edhe partnerë ndërkombëtarë si OSBE dhe Bashkimi Evropian./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono