Rikthehet Kuvendi, opozita e nis nga Shkodra

18:35 | 03/09/201818:350

Të vetëm i ngjitën shkallët e Kuvendit, socialistët për në seancën e parë plenare të sesionit të fundit parlamentar për këtë vit.

Kolegët opozitarë i braktisën pasi siç u shprehën vetë ata ishte e padenjë të merrnin pjesë në një fasadë parlamentare ndaj dhe zgjodhën Shkodrën qytetin që është përmendur së fundi për 6 vrasjet e kryera.

Kryeministri Edi Rama nuk ia ktheu nga foltorja reagimin për gjysmën bosh të sallës së Kuvendit, por nga rrjetet sociale.

“Kur duhet të jetë në Tiranë, shkon në Shkodër. Kur duhet të hyjë në zgjedhje, futet në çadër. Kur duhet të shkojë në punë, rrotullohet në gjumë. Kur humbet, shpall fitoren. S’kemi ç’i bëjmë, duhet të bëjmë dhe pa të”.

Zëri i socialistëve në këtë sesion të tretë të legjislaturës së 9 u bë Taulant Balla që iu kundërvu kryetarit të Partisë Demokratike.

“Në vitin 2010 kur ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë ishte kryetari aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ato arritën në nivelin më të lartë, 18 vrasje vetëm në qarkun Shkodër, krahasuar me 8 vrasje gjatë periudhës Janar-Gusht 2018”, u shpreh Balla.

Por kjo nuk do të thotë mosreagim të menjëhershëm edhe nga ministri i shumicës qeverisëse.

“Z.Ministër i Brendshëm ne kemi besim te puna juaj dhe e policisë dhe presim reagimin sa më të shpejtë e sa më të fortë, një përgjigje kuptimplotë ndaj kujtdo që ka gisht në shqetësimin e qytetarëve shkodranë”, tha Balla.

Me shifra vendosi të flasë edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Vrasjet me dashje në Shqipëri në mandatin e parë të PD-së kanë qenë rreth 230 vrasje, ose me një mesatare prej rreth 53 vrasjesh në vit. Në mandatin e dytë të tyre me një mesatare prej 72 vrasje në vit. Në mandatin  tonë të parë, mesatrja e vrasjeve në vit ka qenë 43 dhe për këtë vit janë 23 të tilla”, tha Xhafaj.

Pavarasësisht se këto të dhëna tregojnë se nuk është ministri i Brendshëm që i rëndojnë statistikat e vrasjeve në vend, ai dha garancinë se bandat kriminale nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë.

“Ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund këtyre ngjarjeve dhe shpresoj që shumë shpejt do të përgjigjen përpara ligjit si autorët, ekzekutorët ashtu edhe nxitësit e këtyre ngjarjeve të rënda penale”, theksoi Xhafaj.

Një mesazh për opozitën kishte edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

“Ftoj të gjitha grupet politike që të ndajnë luftën për betejën e pushtetit të radhës nga lufta jonë e përbashkët për integrimin e vendit tonë në Europë”, u shpreh Ruçi.

Seanca përfundoi në më pak se një orë me me miratimin e programit 6-javor dhe kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit.

Gjithashtu u miratua me 74 vota pro projektvendimin “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, ” të ndryshuar.”

Në fund kolegët socialistë jashtë sallës së Kuvendit patën mundësinë të takohen pas periudhës së pushimeve verore.

/abcnews.al

 

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono