Revoltohet piloti i Ferrarit: Na vodhën fitoren

16:35 | 10/06/2019

Polemika të ashpra pas Çmimit të Madh të Kanadasë në Formula 1. Sebastian Fetel i Ferrarit kritikon vendimin që i dha fitoren rivalit të tij, Ljuis Hamilton.

Nuk ishte aspak momenti për shampanjë.

Një Sebastian Fetel i tërbuar doli nga Ferrari i tij në përfundim të Çmimit të Madh të Kanadasë, i bindur se ndaj tij ishte bërë një padrejtësi.

Gjermani, në mënyrë demonstrative, hoqi shenjën me numrin 1 të fituesit, përpara Mercedesit të Ljuis Hamiltonit, dhe vendosi aty numrin 2.

Protesta vazhdoi duke mos e vendosur makinën e tij në krah të dy të tjerave, sipas renditjes së podiumit.

Edhe pse Feteli e kaloi i pari vijën e mbërritjes në pistën e Montrealit, ai nuk u shpall fitues, pasi ishte ndëshkuar me 5 sekonda shtesë në kohën e tij, gjë që ia dha suksesin Hamiltonit.

Komisarët e garës vendosën kështu pas një incidenti që thuajse solli përplasje.

Fetel doli nga pista në xhiron e 48-të, dhe kur u kthye thuajse u godit me Hamiltonin që po përpiqej ta parakalonte.

Vetëm frenimi dhe manovrimi i kampionit të botës bëri që të mos ndodhte e keqja.

Komisarët, me në krye italianin Emanuele Pirro, theksuan se gjermani shkeli rregulloren që parashikon se një pilot duhet të kthehet në pistë në mënyrë të sigurt, gjë që sipas tyre Feteli nuk e bëri.

Piloti I Ferrarit u nis nga vendi i parë, dhe kryesoi thuajse gjatë gjithë Çmimit të Madh, ndonëse në fund fitorja I iku nga duart.

“Ky nuk është sporti me të cilin unë kam rënë në dashuri, – tha Feteli pas garës, – sot po na duket vetja si juristë, dhe kjo nuk ka kuptim. Unë jam një puritan, më pëlqen të hedh shikimin pas dhe të kujtoj kohët e vjetra, pilotët e dikurshëm. Unë bëra thjesht një veprim prej piloti, dhe Ljuisi reagoi, por për mua kjo është normale. Dikur këto gjëra kanë qenë të zakonshme. Nuk më dhemb fakti që humba sot, por po shkelet fryma e këtij sporti”.

Hamiltoni nuk u shpreh i lumtur për mënyrën sesi u mbyll gara.

“Natyrisht, nuk ishte kjo mënyra sesi e doja fitoren, – tha Hamiltoni, – u përpoqa të fitoja në pistë dhe të parakaloja. E detyrova Fetelin të gabonte, ai doli nga pista, dhe më pas desh u përplasëm, por kështu e kanë garat. Feteli ka mendimin e tij, por unë mendoj se kur kthehesh në pistë, duhet ta bësh brenda normave të sigurisë. Gjithsesi, vendimin nuk e mora unë”.

Kjo ishte fitorja e 7-të e Hamiltonit në Kanada, dhe e 78-ta në karrierë, vetëm 13 suksese larg rekordmenit Shumaher.

Pesë herë kampioni i botës thelloi kryesimin në renditjen e Formula 1, me 162 pikë ndaj 133 të shokut të tij të skuadrës, Valteri Botas./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono