Rekomandim pozitiv dhe krizë politike

15:02 | 01/06/201915:020

Rekomandimi pa kushte që Shqipëria mori për të dytin vit radhazi nga Komisioni Europian, nuk e zbuti krizën politike në vend. Palët janë të paktën publikisht, secili në llogoren e vet, ndërsa mazhoranca e opozita po lobojnë fort secila në kah të kundërt në Bungestagun Gjerman. Këtë dinamikë të javës politike që lamë pas na sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Për herë të dytë KE dha një rekomandim pa kushte për Shqipërinë, një mundësi e re për hapjen e negociatave të vendit tonë me BE. Lobimi i aktorëve politikë në Shqipëri, jo në një linjë, u ndje i fortë, teksa kriza politike vijon prej tre muajsh. Rama e coi në 6 nr e letrave në fb për bashën; CDU/CSU e bënë për herë të tretë, ofertën për ndërmjetësim të krizës politike, ndërsa BE kaloi me sukses sprovën ndaj partive euroskeptike në zgjedhjet për PE.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Sic kishin paralajmëruar, në ditët e fundit të mandatit, Komisioni Junker, rekomandoi për herë të dytë, hapje të negociatave pa kushte për Shqipërinë. Në raport vërehet se Shqipëria ka dhënë rezultate për kushtet e identifikuara nga Këshilli qershorin e kaluar. Përcaktimet si vend mesatarisht i përgatitur në reformën e administratës publike, kriterin ekonomik, lirinë e shprehjes; një vend me një farë përgatitje në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e sistemin e drejtësisë, shoqërohen në 114 faqet e raportit me vlerësimin se është bërë progress. Raporti ndalet më gjatë tek reforma në drejtësi, ku thuhet se në përgjithësi ka përparim. Evidentohet ngritja e KLP e KLGJ dhe KED, si hapa për forcimin e pavarësisë e llogaridhënies së gjyqësorit. Mes detyrave, zgjedhja e PP dhe bërja funksionale e trupave të reja të hetimit, SPAK dhe BKH, sapo të përfundojë vettingu i kandidatëve. Në raport evidentohet se Vettingu ka dhënë rezultate të prekshme, nën udhëheqjen e Komisionit Europian.

Raporti pranon se gjatë vitit të monitoruar, GJK nuk ka kryer dot detyrën, pasi ka mbetur me 1 anëtar nga 9 që duhej të kishte, ndërsa GJL ka mbetur me 3 nga 18 anëtarë. Plotësimi i vakancave, përfshi Inspektorin e lartë të drejtësisë thuhet në raport, ka nisur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. 30 mijë është nr i dosjeve të mbetura në pritje, sipas raportit, por shifra ka shkuar në 44 mijë dosje në pamundësi shqyrtimi. Reforma në drejtësi mbetet pika e fortë ku mbështetet rekomandimi pa kushte.

Qasja duket interesante në drejtim të situatës politike. Raporti vlerëson se vendi ka vijuar përparimin në axhendën e reformave të BE. Ndërsa kriza politike vecohet si një çështje e brendshme përmes konstatimit se bojkoti i opozitës u pasua me djegie mandatesh, e mosregjistrimin në zgjedhjet e caktuara më 30 qershor.

Me tone relativizuese, Mogherini tha se kriza politike në Shqipëri është një realitet i parë, e jo vetëm në vendin tonë

Mesazhet vijnë të ngjashme në Tiranë, edhe në komunikimin telefonik mes ambasadorit të BE Soreca dhe Kryeministri  Rama. Të dy bashkohen se është momenti që BE të mbajë premtimin për hapjen e dyerve, e mbështetja gjendet tek një zë brenda qeverisë gjermane.

Referenca e Kryeministri  ishte për këtë editorial të ministrit për Evropën në kabinetin e kancelares Merkel, Michael Roth. Editoriali i botuar jo vetëm në gazetën gjermane por edhe në faqen zyrtare të MJ mban titullin  “BE duhet të mbajë premtimet e saj ndaj Ballkanit”, me shtjellimin se si Shqipëria ashtu edhe MV po punojnë me një axhendë ambicioze reformash e compromisesh të dhimbshme për t’iu afruar BE. Ndërsa shkruan se me zgjidhjen e cështjes së emrit, MV e Greqia bënë histori, Roth ndalet në mënyrë të detajuar tek rasti I shqipërisë.

Editoriali vinte pas dy ofertave të partive kryesore të koalicionit qeverisës CDU/CSU për ndërmjetësim e madje edhe mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve vendore. Por në Tiranë janë të paktën dy aktorët e rëndësishëm, që konsiderojnë zërin e z.Roth.

Në krah të ambasadorit të BE, Kryeministri  refuzon edhe ofertën e presidentit për të rishikuar dekretin datën e zgjedhjeve.

Komunikim me opozitën vlerëson 6 letrat e postuara në FB, dhe sheh tek ajo rolin pengues për konfirmimin e rekomandimit të KE nga Këshilli Europian

Korridoreve politike e diplomatike janë rikthyer zërat se ndryshe nga një vit më parë, këtë vit, vendimi për Shqipërinë e Maqedoninë mund të vijë vecmas, duke lënë në pritje Shqipërinë, edhe për shkak se MV e ka kryer detyrën e vet, ndryshimin e emrit. E nënvizoi ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov për amerikanen FT.

Edhe komisioneri Hahn duket në dijeni të këtij skenari.

Nga tre vendet themeluese të BE skeptike, Franca është në parim kundër zgjerimit në këtë moment me cdo vend, por Gjermania e Hollanda kanë gjëra konkrete për Shqipërinë dhe janë dy vendet e vetme të BE, ku vendimi për hapjen ose jo të negociatave merret në parlament. Në Hollandë, 6 javë pasi parlamenti i kërkoi qeverisë pezullimin e vizave për shqipërinë, për shkak të shqetësimeve në lidhje me krimin e organizuar, qeveria ia përcolli njoftimin KE të premten e 31 majit. Në këtë letër, i kërkohet Komisionit të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Hollanda dhe në konsultim me vendet anëtare, të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar, por duke nënvizuar bashkëpunimin me qeverinë dhe autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Do jetë KE ai që do vlerësojë kërkesën, e të informojë më pas PE e Këshillim Europian. Ky akt vjen pak ditë pasi deputetët hollandezë që vizituan Tiranën në fillim të Majit, dorëzuan raportin e tyre në parlament, ku flitet për djegien e mandateve nga opozita e krizën politike, një situatë që sipas deputetëve është shenjë e marrëdhënieve të vështira politike në Shqipëri, të cilat po pengojnë avancimin e demokracisë

Sytë janë nga Gjermania e kancelares Merkel, vendi më me ndikim në BE. Aty duket i intensifikuar lobimi në hije i qeverisë dhe opozitës shqiptare. Editorialin e socialdemokratit Roth, Rama e rimori edhe gjatë fjalës në kuvend.

Por të njëjtën ditë, po zyrtarisht erdhi një tjetër qëndrim nga Gjermania, krejt i kundërt me atë të Roth, por i ngjashëm me një qëndrim pas rekomandimit, të ish Kryeministri  Berisha. Ishte grupi i kancelares CDU/CSU që ndryshe nga aleati Roth, shprehej se deri tani Shqipëria nuk kishte përmbushur asnjë nga kushtet e para një viti, e vendimi do merrej në shtator.

Grupi parlamentar i kancelares përsëriste për herë të tretë ofertën për të ndërmjetësuar një dialog pa kushte, e pa përjashtuar asnjë temë.

FAZ dhe DW dy media autoritare gjermane, duke i përcjellë këto qëndrime, shkruajnë se Shqipëria përcan koalicionin qeverisës në Gjermani. Duhet thënë se koalicioni qeverisës, nuk është në ditën më të mirë, për shkak të rënies në vota në zgjedhjet për parlamentin Europian. Pavarësisht rënies me mbi 5% në raport me zgjedhjet europiane të 5 viteve më parë, CDU/CSU ruajti kryesimin si forca politike më e votuar në Gjermani, e ndjekur nga të Gjelbrit, një parti proeuropiane jo në qeveri. Ndërsa aleatja qeverisëse e Merkel, PSD e ministrit Roth u rendit e treta, me një rënie prej 11% në raport me 5 vite më parë.

Pra investimi gjerman për Shqipërinë në këtë panoramë mbetet mbresues, edhe në kushtet kur si vendi që konsiderohet motor i BE, ka peshë në zgjedhjen e drejtuesve të ardhshëm të Unionit. Merkel e Makron u dukën më të lehtësuarit, që euroskeptikët nuk morën dot avantazhin e pretenduar në zgjedhjet e fundit për PE, edhe pse në Francën e Macron, rezultuan më të votuarit, duke e lënë koalicionin ku bën pjesë partia e shefit të Elizesë në vend të dytë. Zgjedhjet e rezultatet e tyre sollën tërmete politike në dy vende të BE, që do shkojnë në zgjedhje të parakohshme Greqia e Austria. 32 vjecari Kurz që humbi votëbesimin në parlament, pavarësisht se partia më e votuar në Austri, ishte mungesa që spikati në darkën informale të liderëve të BE, tentative e parë e përbashkët për kompromis për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të Unionit. Por numrat e brishtë vështirësojnë kompromisin, pasi dy blloqet e mëdha politike të qendrës së djathtë e të majtë, PPE e Social demokratët, që morën respektivisht 179 dhe 153 vende, për herë të parë nuk arrijnë dot të vetëm, shumicën në parlamentin 751 vendesh. Do t’u duhet të llogarisin të tretët, me 105 vende, Aleancën e liberalëve e demokratëve për europën, ku bën pjesë edhe partia e Makron. Të katërtit me 69 vende janë renditur të gjelbrit, e me këto shifra, zgjedhja e pasardhësit të Junker, është pengesa e parë, mes Merkel e Makron që kanë marrë përsipër edhe rajonin tonë.

Makron nuk pranon zbatimin e parimit tradicional në BE, se posti i takon partisë që ka marrë më shumë vota, e që në rastin konkret është kandidati i PPE Manfred Ëeber. Në mbërritje për darkën informale në Bruksel, Kancelarja Merkel e përmendi Ëeber si kandidatin e vetëm që mbështetet prej partisë së saj, anëtare e PPE. Por presidenti francez Emmanuel Macron, as që e përmendi z. Ëeber si kandidat të mundshëm. Macron përmendi emrin e kryenegociatorit të Brexit, francezit Michel Barnier, të liberales daneze Margret Vestager dhe hollandezit të qendrës së majtë Frans Timermans, si kandidatë që kanë cilësitë e duhura sipas tij. Përvec Jean-Claude Juncker, në postet më të larta të BE, do zëvendësohen edhe presidenti i Këshillit Europian, polaku Donald Tusk, presidenti i Bankës Qendrore Europiane, italiani Mario Draghi dhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme, italiania Federica Mogherini. Lobimi mes udhëheqësve të BE dhe grupeve parlamentare do testohet zyrtarisht në samitin e 20-21 Qershorit, të Këshillit Europian. Tek ky samit pritet të jepet edhe vendimi për Shqipërinë e MV, edhe pse Gjermania është shprehur se Bundestagu do vendosë në shtator. Shqipëria duket se po përcan edhe deputetët nga i njëjti grup në Gjermani. Një ditë pasi pati një qëndrim të grupit CDU/CSU, një deputet i CDU, publikoi një deklaratë në Tëitter. Më hashtagun Shqipëria e meriton respektin tonë, edhe pse ka rrugë të gjatë përpara, deputeti i CDU, Olav Gutting, u tërheq vëmendjen kolegëve të tij, për mesazhet që dërgojnë nga Gjermania.

Çka do thotë se vendimmarrja në Bungestag do jetë vetëm matje numrash. Vetë Basha thotë se është Kryeministri pengesa për integrimin e paralajmëron edhe refuzimet nga disa vende të BE.

Duket thënë se aktorët politikë ne pozitë e opozitë, nuk po arrijnë të bashkohen për integrimin.

Gjithaq vullneti nuk është parë as nga mazhoranca, të paktën ai i premtuar një vit më parë, në prani të komisionerit Hahn.

Kjo ndarje në këtë moment të ri të përsëritur për Shqipërinë, vjen në një kohë kur vendi përballet prej tre muajsh me një krizë politike, e asnjëra pale as mazhoranca e as opozita, të paktën publikisht, nuk tërhiqet prej pozicionit të vet.  /ABC news Albania 24/7

 

 

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono