Reforma në drejtësi/ligji me nene të shfuqizuara kthehet në Kuvend

13:19 | 14/01/2018

Prej tetë muajsh Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka shfuqizuar një numër nenesh të ligjit për funksionimin e organeve të drejtësisë, duke e kthyer në Kuvend për rishikim. Bëhet fjalë për një nga 7 ligjet kryesore që përcaktojnë edhe ngritjen dhe funksionimin e organeve të drejtësisë si Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Konferenca e Kryetarëve, e para për këtë sesion parlamentar, vendosi nisjen e punës për reflektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin “për funksionimin e organeve të sistemit të drejtësisë”. Ky i fundit është një nga 7 ligjet organike të reformës në drejtësi, që prej majit 2017 me disa nene të shfuqizuara me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Prej tetë muajsh kjo e fundit konfirmoi, vetëm pjesërisht, ankimimin e Partisë Demokratike, duke kthyer tek ligjvënësi edhe nenin përgjegjës për përcaktimin e kompetencave të këtij Këshilli.

Kushtetuta e vendit, në nenin 149/a të saj përcakton përgjegjësitë e drejtpërdrejta të këtij Këshilli.

_______________

KUSHTETUTA

Neni 149/a

  1. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ushtron këto përgjegjësi:
  2. emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon prokurorët e të gjitha niveleve;
  3. vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve;
  4. i propozon Kuvendit kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, sipas ligjit;

ç) miraton rregullat për etikën e prokurorëve dhe mbikëqyr respektimin e tyre;

  1. d) propozon dhe administron buxhetin e tij;
  2. dh) informon publikun dhe Kuvendin mbi gjendjen e prokurorisë;
  3. e) ushtron funksione të tjera të caktuara me ligj.

Gjithashtu…

  1. Ligji mund të parashikojë krijimin e komisioneve vendimmarrëse pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ndërkohë i njëjti ligjvënës, minus anëtarët demokratë të tij, vendosi në ligjin e “për funksionimin e organeve të sistemit të drejtësisë” në nenin 159 të saj se..

Neni 159

  1. Kompetencat e këshillit që nuk përmenden në pikën 2 të nenit ushtrohen nga komisionet. Ato që përmenden, ushtrohen nga mbledhja plenare bazuar në propozimet e komisioneve përkatëse.

 

Ajo që ndodhi ishte se në pikën 2 të këtij neni, nuk listohej as edhe një kompetencë e vetme e cituar në Kushtetutë si përgjegjësi e këtij Këshilli, duke ia kaluar ato de facto komisioneve të përhershme pranë këtij organi.

Neni 160

  1. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka në përbërje komisionet e përhershme si më poshtë: a) Komisioni i Planifikimit Strategjik, i Administrimit dhe Buxhetit; b) Komisioni Disiplinor; c) Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale; ç) Komisioni i Zhvillimit të Karrierës.
  2. Komisionet vendosin me shumicën e votave në prani të të gjithë anëtarëve. (3 anëtarë për komision).

Për këtë arsye vendimi i gjykatësë Kushtetuese, në paragrafin 21 të saj thotë se..

  1. Gjykata vlerëson se të gjitha kompetencat e parashikuara nga Kushtetuta duhet të implementohen si të tilla në ligj dhe nuk mund t’u delegohen komisioneve.

Duke theksuar se komisionet janë organizma ndihmës në varësi të këshillit të Prokurorisë, nuk mund të ushtrojnë atribute të njohura shprehimisht nga Kushtetuta për KLP-në. Duke dalë në përfundimin se neni 61 dhe 159 i ligjit për funksionimin e organeve të sistëmit të drejtësisë bien ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë.

I tillë ishte edhe fati për nenin 5 dhe atë 103 të këtij ligji, të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese me arsyetimin se mënyra e paqartë e shprehjes në ligj për shkeljet disiplinore të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij të Gjyqësorit, përmes referimit në një ligj tjetër, nuk garanton mbrojtjen juridike të këtyre organeve.

Ndërsa diskutohet se ajo që ndalonte krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ishtë kandidatura që vjen nga shoqëria civile, sot në proces përzgjedhës, fakti qëndron se pjesë të ligjit organik që përcakton mënyrën e vendimmarrjes në këtë institucion, është konsideruar antikushtetues nga Gjykata dhe ligjvënësi shqiptar është i detyruar ta sjellë ligjin në binarët kushtetues.

84 është numri i votave të nevojshme në Parlament për miratimin e ligjit organik të institucionit kushtetues. Duke përllogaritur mungesën e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim në kahun e mazhorancës, duket se partia në pushtet, sot mund ta ketë më të vështirë të arrijë shumicën e 3/5 në parlament për plotësimin e një prej ligjeve më të rëndësishëm në paketës së 7 ligjeve organike dhe padyshim më voluminozi prej tyre./abcnews.al

 



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono