Rastet kur futbollistët përzihen me politikën, Nano: Thjesht luani në fushën e blertë, asgjë më tepër

21:42 | 15/10/201921:420

Futbollistët duhet të merren me fushën e blertë dhe jo me politikën. Është ky mendimi i gazetarit Mustafa Nanos. Në monologun gjatë emisionit “Provokacija” në televizionin ABC News Nano renditi rastet ku sipas tij, sporti është përfshira nga gjeste politike.

Fillimisht, ai solli në kujtesë gjestin e Xhakës dhe Shaqirit, të cilët në një ndeshje ndaj Serbisë bënë me duar simbolin e shqiponjës. Më pas, kujtoi rastin e disa ditëve më parë në Breshia të Italisë, ku ndeshja u ndërpre pasi tifozët serbë mësynë në fushë pasi disa shqiptarë valëvisnin flamurin.

Në fund, vëmendjen e Nanos e kishte marrë gjesti i lojtarëve turq në nderim të ushtrisë, e cila po lufton në veri të vendit. Gjest, që sipas Nanos, e turpëron vendin.

Monologu i plotë:

Ju kujtohet gjesti i Xhakës dhe Shaqirit gjatë ndeshjes Serbi-Zvicër, ku ata pasi shënuan gol, bënë një gjest që tërhoqi vëmendjen e gjithë dynjasë. Gjesti është i famshëm, janë lojtarë të shkëlqyer, unë i admiroj, por gjesti i tyre ishte i gabuar. Unë e kam kritikuar qysh atëherë. E kritikova sepse nuk jam dakord me aq që bëhet nga ana e sportistëve për të përzierë sportin me politikën. Ai ishte një gjest i gabuar. Siç ishte i gabuar edhe një gjest i disa shqiptarëve në Breshia teksa po luhej një ndeshje miqësore mes Breshias, ku luan Balotelli dhe një skuadër serbe. Një apo dy shqiptarë kishin shkuar atje jo për të parë ndeshjen, por me kishin shkuar me qëllime politike. Kishin shkuar me flamur me vete dhe nisën t’i valëvisnin, duke tërhequr edhe vëmendjen e tifozëve serbë. Këta të fundit kaq duan në rrethana të tilla, morën zjarr, pushtuan fushën dhe ndeshja u prish, shqiptarët dhe serbët u bënë gazi i botës. Treguan që ata nuk druhen përpara ngasjes për të ngatërruar sportin me politikën dhe treguan që nuk e kanë për gjë që problemet e tyre, të lagjes së Ballkanit ti zhvendosin në vende të tjera të botës, në këtë rast në Itali.

Jemi përsëri te dukuria e përzierjes së sportit me politikën, e cila mori një përthyerje spektakolare dy tre ditë më parë me futbollistët turq të cilët me ndeshjen me Shqipërinë gjeti një minutë interesante për të festuar dhe për të gëzuar me tifozë. Ata u afruan tek ultrasit dhe nderuan në mënyrë militare. Ky ishte një homazh që u bëj ushtarëve turq që janë në një luftë. Nuk janë në luftë kundër pushtuesit se askush nuk i ka pushtuar turqit. Janë në një luftë në veri të Sirisë. Kjo ishte një shfaqje brutale që manifeston edhe njëherë përpjekjet e sportistëve të caktuar për të përzierë sportin me politikën. Unë prisja që këta të bënin mea culpa më pas sepse parashikoja një presion të madh nga ana e faktorit ndërkombëtar. Kjo trysni u bë, por nuk funksionoi. Mbrëmë ata kanë luajtur ndeshjen me Francës, arritën një barazim dhe në fund bënë të njëjtën gjë. Shkuan tek tifozët e tyre dhe nderuan në mënyrë militare.

Unë jam i sigurt që ata janë me idenë që duke bërë këtë gjë ata nderojnë kombin e tyre. Kam përshtypjen që në këtë mënyrë kombi turk, turpërohet. Gjeste të tilla e prishin imazhin ndërkombëtar të Turqisë. Zërat kundër janë shtuar. Një pjesë janë duke kërkuar penalizmin në terma sportivë të Turqisë dhe unë do isha shumë i lumtur që kjo do të ndodhte se do merrte dhe Shqipëria tre pikë. Nuk e meritonte në termat sportivë, por janë dënime që duhen dhënë. Shpresojmë që edhe në mungesë të një penaliteti, lojtarët turq ta kenë nxjerrë leksionin që politika nuk duhet të përzihet me sportin dhe ata janë vetëm futbollistë që duhet të luajnë në fushën e futbollit, asgjë më tepër./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono