Rama: Zgjedhjet nuk i luan as topi, as burri i fallxhores (Video)

18:59 | 16/06/2019

Gjatë takimit elektoral në qytetin e Pogradecit, kryeministri Edi Rama ritheksoi se zgjedhjet do të mbahen më 30 Qershor. Ai deklaroi se konkurrentët, të cilët sipastij duhet të ishin përballë, kanë dalë në çeta për të frenuar drejtësinë.

“Dua t’ju them se kjo është një fushatë që në një aspekt është shumë e thjeshtë sepse është një fushatë zgjedhjesh vendore dhe si e tillë për ne kudo ku shkojmë, aty ku kemi qeverisur katër vjet nuk kemi nevojë të themi shumë fjalë se janë punët që flasin më shumë se të gjitha fjalët. Ndërkohë aty ku shkojmë ku të tjerët kanë qeverisur si këtu në Pogradec është vetë realiteti që flet për nevojën e madhe të ndryshimit që ju dhe të gjithë pogradecarët e pogradecaret do të sillni më 30 Qershor duke votuar Ilir Xhakollin.

Kjo zgjedhje do kishte qenë më e mira të ishin zgjedhje vendore dhe garë mes konkurrentësh, por ne konkurrentët s’i kemi. Madje i kemi, ishin rrugës kur po vinim këtu, një çetë e vogël atje, grupe të shpërndara nëpër rrugë që dalin në rrugë dhe të kujtojnë ato grupet e dëshpëruara të enveristëve në vitin 1990 dhe në fillim të 91-shin, kur dilnin për të frenuar të pafrenueshmen, demokracinë. Sot ata dalin për të frenuar të pafrenueshmen, drejtësinë. Nuk kanë për ta frenuar dot. Aq sa e frenuan ata atëherë, aq mund ta frenojnë dhe këta sot.

Unë dua që t’jua them shumë thjeshtë pse jemi në këtë situatë dhe pse ne nga ana jonë nuk lëshuam asnjë milimetër fill për ta dhe pse këmbëngulëm se zgjedhjet do të bëhen në 30 Qershor dhe nuk i luan as topi, as burri i fallxhores”, tha Rama.

Më tej, kryetari i Partisë Socialiste nënvizoi arsyen pse nuk shtyhet data e zgjedhjeve.

“Shumë njerëz fillimisht thoshin “pse të mos shtyhen zgjedhjet? Pse tani të hyjmë në një histori me një kokëçarje të madhe, sherr shamata, ne tani kemi gjithë këtë mundësi me turizmin. Duam qetësi”. Pastaj, “U lodhëm me këtë histori, merruni vesh edhe kaq”. Në fakt po ta marrësh nga ana ime meqë jam unë ai që jam vënë në shënjestër si arsyeja kryesore e këmbënguljes në të kundërt, vendosuni për një moment në pozicionin tim. Çfarë arsyeje do kisha unë po të ishte thjesht dhe vetëm personale për rehatin tim dhe për qetësinë time që të mos i shtyja zgjedhjet. Unë jam kryeministër, qeverinë e kemi, shumicën e kemi shumë solide, mbështetjen nga parlamenti e kemi të palëkundur, në nivelin vendor kemi 75% të territorit që i qeverisim ne socialistët, kemi thuajse të gjitha bashkitë kryesore, atëherë çfarë problemi ka për ne? Këtë pyetje mund ta bësh vetëm kur s’ke parë filmin.

Se ky nuk është film i ri, ky është një film që ne e kemi parë. Kjo është një seri e re. Dy vite më parë po këta, bënë po këtë, ikën nga parlamenti, ngritën një bunker plasmasi përpara dritares sime, vinte Luli dhe këndonte himnin dhe thoshte “jo kurrë, asnjëherë, me këtë qeveri, me këtë kryeministër nuk hyj në zgjedhje. S’do ketë zgjedhje”. Ndërkohë Shqipëria, prisnin votën për Vettingun. Ikën sepse nuk donin të votonin Vettingun. Sigurisht ikën për të krijuar një mundësi rrëmuje, një mundësi konfuzioni, një mundësi paqartësie dhe për të na lëkundur që në t’u hapnim rrugë atyre”, tha Rama./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono