Rama-universiteteve: Po heshtni ndaj Vettingu-t të pedagogëve

14:34 | 25/03/2019

Portali i Transparencës Universitare është një nga kërkesat e studentëve që mori zgjidhje sipas kryeministrit Edi Rama. Në aktivitetin ku u prezantua ky portal, kryetari i qeverisë i kërkoi universiteteve të mos anashkalojnë vlerësimin e titujve shkencorë, në të kundërt tha ai do ti kërkojë ndihmë parlamentit.

U fshi edhe një pikë nga lista e kërkesave të studentëve. Bëhet fjalë për Portalin e Transparencës Universitare U-transparenca.al. Në të përfshihen vendimmarrjet e ndryshme për buxhetet, por edhe kontratat e që do të lidhen në të ardhmen mes universiteteve dhe institucioneve të ndryshme publike. Megjithatë ka ende një kërkesë që kryeministri Edi Rama thotë se nuk po plotësohet, i ashtuquajturi Vetting i pedagogëve për vlerësimin e titujve shkencorë.

“Konviktet ne mund t’i ndërtojmë edhe pa pyetur universitetet, por Vettingun, vlerësimin e titujve akademikë ne nuk e bëjmë dot nëse universiteti nuk e merr përsipër. Tregtinë e librave, teksteve të pedagogëve në këmbim të notës ne nuk e ndalim dot nëse universiteti nuk e merr përsipër”, tha Rama.

Pret akoma që zgjidhja të vijë nga vetë universitetet në të kundërt do t’i kërkojë ndihmë parlamentit për të ndarë pedagogun e vërtetë nga ai sharlatan tha kryeministri Edi Rama.

“Nuk do doja që t’i drejtohesha parlamentit dhe t’i kërkoja ndihmë parlamentit për të ndërhyrë, por që studentët kanë të drejtën e zotit dhe të prindërve dhe të ardhmes së tyre që të jenë të shqetësuar, me faktin që jo të gjithë pedagogët meritojnë të paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe nga tarifat e tyre dhe t’ju shfaqen përballë si doktorë, si profesorë, si asistentë ndërkohë që janë thjeshtë sharlatanë kanë shumë të drejtë”, tha ai.

Duke iu rikthyer angazhimit për punësimin e studentëve ekselentë i lajmëroi se së shpejti do të ketë një tjetër thirrje për ti rekrutuar në shërbimin e diplomatit, jo se ka vende të lira pune, por sepse nevojitet pastrimi i administratës nga nepotizmi dhe klientelizmi.

“Në një fazë të dytë që po i bëjmë ristrukturimit të shërbimit për të goditur gjithë këto pasojat e rënda të nepotizmave dhe të klientelizmave të së shkuarës kemi bërë një pastrim që nuk mjafton, duhet të shkojmë më thellë. Dhe përsëri dhe aty thirrja do të jetë për ata që janë më të mira”, tha kryeministri.

Këto deklarata kryeministri Rama i bëri gjatë prezantimit të Portalit të Transparencës Universitare të cilin shpreson që universitetet ta vënë në funksionim dhe studentët ta monitorojnë në vijim së bashku me qeverinë./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono