Rama u tërheq vëmendjen kryebashkiakëve për sezonin turistik

19:42 | 13/04/2018

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar më tepër angazhim nga kryetarët e bashkive për të garantuar një sezon turistik cilësor. Sipas shefit të qeverisë, hotelet nga veriu në jug të vendit janë të prenotuara.

Kryeministri Edi Rama paralajmëron një sezon veror të pazakontë për sa i përket numrit të turistëve.

“Të gjitha hotelet e dhomat e ofruara nga operatorët turistikë, nga Velipoja në Sarandë, janë të prenotuara. Kërkesa ndaj Shqipërisë rritet ndjeshëm vit pas viti dhe ndërkohë që punojmë për nxitjen e investimeve të reja, duhet të rrisim me patjetër cilësinë në çdo aspekt”.

Për këtë mblodhi në kryeministri kryetarët e bashkive dhe prefektët, të cilëve iu kërkoi një koordinim më të mirë të punëve me institucionet e tjera.

“Dua t’i ftoj kryebashkiakët t’i drejtohen këshillave bashkiake për të forcuar masat kundër ndotësve me gjoba si ato që vendosen në çdo vend normal që zhvillon turizëm. Derdhja e ujërave të zeza, zhurmat duhen sanksionuar përmes ekstremeve.”

Megjithkëtë kryeministri u shpreh se jo të gjitha bashkitë kanë mundësi të përballojnë vetëm këtë sfidë prandaj qeveria ka hartuar një plan masash.

Plani u detajua nga ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, i cili fillimisht u ndal tek pastrimi i vendit, një aksion që nis javën e ardhshme dhe kulmon me 22 Prill.

“Prefektet kanë përcaktuar hartë të detajuar zonat e ndotura në lumenj. Bashkitë do të merren me lumenjtë. Bregdeti do të pastrohet nga ministritë”.

Ndërsa renditi problemet e sezonit turistik, Klosi vuri theksin tek siguria në plazhe.

“31 jetë të humbura nga pakujdesia e ruajtësve të bregdetit janë një imazh negativ, kujdes me mjetet motorike.”

Ndërkohë ministri i Mjedisit dhe Turizmit deklaroi se bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë ka nisur aksioni për të identifikuar spitalet, klinikat dhe kompanitë që nuk respektojnë rregullat mjedisore për trajtimin e mbetjeve spitalore./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono