Rama: Në 5 vite u sekuestruan asete kriminale sa për 10 vite

14:23 | 17/12/2018

U prezantua nga Këshilli i Europës në Kryeministri Raporti për Shqipërinë për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. I pranishëm ishte dhe kryeministri Rama i cili theksoi se vlera e aseteve kriminale të sekuestruara gjatë 5 viteve të fundit ishte më e madhe se ajo e sekuestruar në 10 vite.

Teori dhe teorema konspirative i emërton kryeministri Edi Rama kritikat që dëgjon e lexon mbi pastrimin e parave në Shqipëri.

“Është folur prej shumë kohësh dhe po ashtu është shpifur kaq shumë për luftën e qeverisë ndaj pastrimit të parave, në veçanti për këtë vlerësim, ku janë shitur dhe si zbulime investigative ekskluzive, copëza letrash e dokumentesh të nxjerra nga materiale krejtësisht të rëndomta, pa u kuptuar, ose duke u kuptuar, por duke u shitur për të krijuar keqkuptime”.

Në prezantimin e Raportit për Shqipërinë të vlerësimit të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i Këshillit të Europës shefi ekzekutivit sheh me vend të sqarojë rolin e qeverisë.

“Sa që ky raport vjen vërtetë në kohën e duhur si një dokument që vlerëson me objektivitet përputhshmërinë teknike dhe efektivitetin e luftës sonë kundër pastrimit të parave, që duke u krahasuar me vlerësimin e mëparshëm të bërë nga po ky Komitet, por dhe krahasuar me vendet e rajonit apo edhe të BE-së të vlerësuara së fundmi, na vendos në një pozicion mjaftueshmërisht të mirë për të qenë krenarë për punën që kemi bërë”.

Kryeministri Rama tregon se në përfundim të vlerësimit në vitin 2011, Shqipëria përfundoi në të ashtuquajturën “listë gri”, listë problematike, duke u konsideruar si një vend me risk shumë të lartë për pastrim parash dhe financim terrorizmi, nga ku doli në vitin 2015, në sajë të punës që qeverisë që drejton ai vetë.

“Ka shumë të tjera arsye për të parë përmirësimet e bëra, por më lejoni të prek njërën. Vlera e aseteve kriminale të sekuestruara në 5 vitet e fundit është 5 herë më e madhe, sesa vlera e aseteve kriminale të sekuestruar në 10 vjet të marra sëbashku, para 5 viteve të fundit”.

Daniel Thelesklaf, Kryetar i organizmit të Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave, MONEYVAL, gjatë prezantimit të raportit u shpreh se, Shqipëria është një prej dy vendeve që kanë marrë vlerësim pozitiv, nga shumë vende në mbarë botën, sa i përket punës që bankat dhe institucionet financiare po kryejnë për të parandaluar luftuar pastrimin e parave dhe financimin terrorist. Të gjitha vendet e tjera të BE-së nuk kanë marrë një vlerësim kaq pozitiv –tha kreu I MONEYVAL duke I kujtuar edhe sfidat që e prisein Shqipërinë.

“Ashtu si në shumë vende të tjera, sfida kryesore për Shqipërinë është që të prodhojë rezultate të prekshme nga ana e agjencive ligjzbatuese. E di që ky është një proces i gjatë, kërkon kohë, por ekziston nevoja që të përshpejtohen hetimet, ndjekjet nga Prokuroria, të cilat janë në përputhje me profilin e riskut të vendit. Pra ne kemi mësuar që ka pasur një vlerësim tërësor të risqeve, por nuk shohim ende rezultate për trajtimin e këtyre risqeve që janë zbuluar”.

Kryetari i Moneyval theksoi se reforma në sistemin e drejtësisë është tejet e rëndësishme në këtë aspekt. Afatet e përcaktuara në standardet ndërkombëtare për zbatimin e masave janë vërtet shumë të rrepta. /abcnews.al

 



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono