Rama: Meta i hodhi benzinë zjarrit, në Shkodër kërkohet 2 Prill i dytë

13:14 | 20/06/2019

Nga salla e Parlamentit, kryeministri Rama akuzon opozitën se po kërkon në Shkodër një 2 prill të dytë, ndërsa u shpreh se Presidenti i hodhi benzinë zjarrit. Kreu i qeverisë thotë se përgjimet e Bild janë  koordinuar me opozitën, ndërsa kërkoi nga policia vetëpërmbajtje përballë revolucionit imagjinar siç i quajti ai reagimet e bashkive.

Përpara se të nisej në Shkodër, aty ku Voltana Ademi nuk i ka dhënë leje për mitting, Edi Rama doli në foltoren e parlamentit për të zbardhur skenarët e opozitës.

“Sot ne kemi planifikuar takimin elektoral në Shkodër. Çfarë po ndodh? Për herë të parë që nga viti 1991 qysh kur kemi nisur fushata elektorale rishfaqet fenomeni i dëshpëruar në shëmtinë e vet i anti-mitingashëve. Mbase plani është për të bërë një dy Prill tjetër sot pasdite”.

Kryebashkiakëve që po kërkojnë të shpërngulin KZAZ-të, Rama ju kujtoi ligjin e dekriminalizimit.

“Dekriminalizimin që e kemi votuar bashkarisht dhe me atë ligj do humbin të drejtën për t’u bërë kryepleq nëse vazhdojnë të bëjnë këtë që bëjnë”.

Faj të drejtpërdrejt i vendosi edhe Ilir Metës.

“Ky është edhe rezultati i përfshirjes skandaloze të atij që sot është në zyrën e Presidentit, por që e ka humbur të drejtën që të qëndrojë në zyrë duke i hedhur benzinë zjarrit”.

Kryeministri pranoi se edhe ai kishte pasur informacione shqetësuese për burgjet.

“Përpara dy ditësh morëm një informacion se njerëz që lehtësisht mund të verifikohen se me kë janë të lidhur në katërshen që i është kundërvënë fuqimisht zgjedhjeve për t’iu kundërvunë Europës kanë komunikuar me persona në burgje, duke i nxitur që të marrin në dorë pjesët e tyre të revolucioni të tyre imagjinar. Pas këtij informacioni del letra e Presidentit të shqetësuar për situatën në burgje. Nëse presidenti duhet të ishte i interesuar për situatën në burgje minimalisht nuk duhet të rendte për të publikuar letrën, të cilën e ka dërguar në adresën e gabuar. Pavarësisht se ai sot ndihet komandanti suprem në krah të liderit suprem”.

Përgjimet e Bild, Rama i cilësoi thjesht një aksion i sinkronizuar me opozitën dhe tha se është brenda afateve për të paditur në Gjermani gazetarin.

“Përgjime të paketuara, por të mbyllura në kasafortë. Gjetja e vendit pikërisht në Gjermani, kalendari i daljes së përgjimeve aspak çuditërisht i përputhur me kalendarin e protestave flasin vetë. Çdo bisedë tingëllon ndryshe kur del nga konteksti dhe ekspozohet”, tha ai.

Policisë i kërkoi vetëpërmbajtje, për të dëshmuar se nuk janë më uniformat blu të Berishës.

“Policia e Shtetit është vendosur në një trysni të pazakonte dhe meriton respektin, të gjithë solidaritetin dhe inkurajimin për të qenë të vetëpërmbajtur”.

Në fund, pati një mesazh për të gjithë ata që i kërkojnë të tërhiqet.

“Shteti nuk gjunjëzohet dot. Shteti do të fitojë. Ajo që ndodh sot në oborret e shkollave ndodh në Afganistan. Talebanët kanë ndërmarrë të njëjtën orvatje për të penguar fizikisht zgjedhjet në Afganistan”, tha Rama./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono