Rama, Meta, Basha pas 30 Qershorit

13:24 | 13/07/201913:240

Situata politike pas 30 qershorit nuk ka ndryshuar edhe pse palët kanë ulur tonet e retorikës politike. Përtej nisjes së punës për shkarkimin e presidentit, ky i fundit bashkë me opozitën flasin për vullnet popullor për ndryshim. Dritëhijet e lëvizjeve të palëve na sjell këtë javë Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Më pak se 23% ka mbetur prej dy javësh rezultati paraprak i pjesëmarrjes në procesin vendor të 30 qershorit. Ajo shifër që për opozitën është vetëm 15%, duket baza për sjelljen e aktorëve politikë në javët e ardhshme. Mbi 45 mijë votat e pavlefshme janë sinjal mbështetjeje për opozitën sipas Lulzim Bashës, e një temë për t’u anashkaluar për Edi Ramën. Por Rama mbetet kryeministri në fuqi, e me ndikim të pandryshuar edhe në parlament ku ka nisur puna për shkarkimin e presidentit Meta, të cilit shefi i qeverisë i faturon tensionin parazgjedhor që ndikoi në pjesëmarrjen e zgjedhësve në 30 qershor.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Si rrallëherë, të hënën e 8 korrikut, salla e seancave plenare kishte pjesëmarrje pothuaj të plotë nga mazhoranca. Asnjë karrige bosh tek pjesa e qeverisë e rradhët dukeshin të plota edhe në sallë, në pjesën ku ulen deputetët socialistë e aleatët e tyre. Një javë pas 30 qershorit ishin thirrur seancë e posaçme për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Ilir Metës si President i Republikës, për shkak të aktit të zhdekretimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai dekret nuk i kishte ndalur votimet, të cilat përveç pjesëmarrjes patën një element që u verifikua për herë të parë: numri i lartë i votave të pavlefshme: sipas KQZ mbi 45 mijë për kryetarët e bashkive e gati 50 mijë për këshillat bashkiakë. Lulzim Basha i lexon si vota kundër Ramës të qytetarëve të detyruar të shkojnë të votojnë për të ruajtur vendin e punës. Vetë kryeministri preferon ta shmangë si fenomen për t’u shpjeguar, por qëndron tek pjesëmarrja, afro 23% sipas KQZ e vetëm 15% sipas PD.

E ka të qartë se raporti i vëzhguesve të ODIHR do bëhet pjesë e cdo raporti të rëndësishëm ndërkombëtar për Shqipërinë, por i ka identifikuar fajtorët.

A po pranon vallë Edi Rama përmes këtij argumentimi, se opozita e presidenti, pa fuqitë ekzekutive e legjislative të Kryeministri e shumicës së tij, por edhe mbështetjes unike ndërkombëtare për qeverinë, kanë patur më shumë ndikim tek shqiptarët?

I njëjti Kryeministër pranon përdorimin e fuqisë së shumicës, konkretisht përmes kartonëve të 4 anëtarëve të majtë në KQZ.

21 të kaluara në politikë me Ilir Metën, herë aleatë e herë kundërshtarë, tani Edi Rama e identifikon si armik, e kërkon votën unanime të deputetëve, jo thjesht për ta hetuar, por edhe ndëshkuar Ilir Metën.

E pandryshueshme mbetet diangoza se kundërshtarët e tij politikë, përfshi Ilir Meta kanë frikë nga përballja me drejtësinë. Po aq e pandryshueshme duket edhe perspektiva pa frikë për veten, Kryeministri prej 6 vitesh e 11 si kryetar bashkie.

Prej kohësh kjo tabelë regjistron vetëm votime unanime në rradhët e deputetëve të Edi Ramës, ndërsa numri 102 pro hetimit të Metës, teksa formalisht ka 79 deputetë, duken sinjali i garancisë se 94 votat që i duhen për shkarkimin e presidentit janë aty, pavarësisht se në komisionin hetimor 9 anëtarësh, asnjë nga deputetët e dalë nga listat e LSI, nuk pranoi të ulej në 4 vendet e opozitës.

Ilir Meta që dukej se po e ndiqte atë seancë, nuk vonoi reagimin, pa një referim direkt për vendimin ndaj tij, por me një rreshtim të hapur, befasues për një kryetar shteti, krah opozitës. Në të njëjtën pasdite me seancën parlamentare, opzita kishte thirrur protestën e 10 kombëtare, të cilën Meta e përshëndeti që në nisje, me dedikim për ata që i quan 85% e qytetarëve që bojkotuan një proces fals si ai i 30 qershorit.

Por çka nuk dukej në këtë betejë deklaratash politike e numrash të mbështetësve të opozitës në shesh, ishte mungesa e masave të shtuara të sigurisë në nivelin e zakonshëm të protestave të opozitës. Njëlloj mungoi edhe thirrja tradicionale e ambasadave kryesore për zhvillim paqësor të protestës. Përse vallë ajo lloj qetësie, për herë të parë që prej protestës së parë të 26 shkurtit të këtij viti? Këto sinjale ngrenë edhe pikëpyetjet: a ka nisur vallë një proces ndërmjetësimi vendas a ndërkombëtar mes qeverisë e opozitës? Përtej simbolikave, një element i qëndrueshëm i protestave të Bashës, fjalimi i kreut të PD, lëvizja para kuvendit e grumbullimi në oborrin e selisë blu për mbylljen e protestës, u zhvillua në pak më shumë se 2 orë. Fjala e Bashës ishte një falenderim për qytetarët që nuk shkuan të votonin në 30 qershor, e më tej ishte shpalosje programi e premtimesh prej fushate parlamentare.

Një tiradë e Ramës në tuiter, përmes shprehjes së një filozofi ushtarak kinez tregoi vëmendjen e kryeministrit për atë protestë, ndërsa vendosmëria për të larguar Metën dukej tek nisja e punës së komisionit hetimor parlamentar, me premtimin se raportin do ketë gati në shtator, pasi të ketë ftuar edhe Presidentin për të dhënë shpjegimet e veta. Megjithatë vëmendja mbeti tek KQZ që vijon prej gati dy javësh procesin e nxjerrjes së rezultateve, finalizimi i të cilit nuk duket ende të ketë një afat, pasi kandidatët socialistë fitues në të gjitha bashkitë e vendit, po detyrohen të konfirmojnë rezultatin edhe në gjykatat lokale. Për më tepër vota kundër e kreut të KQZ që nuk njeh zgjedhjet e 30 qershorit, bën që çdo vendim i KQZ, i marrë me më pak se 5 vota, të kalojë detyrimisht në Kolegjin zgjedhor. Pikërisht gjykatësve u bëri thirrje publike PD.

PD e aleatët e saj vazhdojnë të lëshojnë akuza për manipulim të rezultatit, nisur nga publikimet paraprake të KQZ, ku në të paktën 16 bashki, rezultonin vota në shumë se qytetarë votues. Për të vërtetuar akuzat e saj PD i kërkoi zyrtarisht KQZ dokumentacionin zgjedhor, përfshi listat e votuesve.

Kontestimin e PD e aleatëve se kutitë e votimit janë mbushur në mënyrë fiktive nga komisionerët e Partisë Socialiste, e materializoi Bindja Demokratike e cila kërkoi nga KQZ hapjen e kutive të votimit në 41 bashki të vendit. Kërkesa u rrëzua nga katër anëtarët e majtë në KQZ përfshi juristin e PS, sipas tyre për mungesë provash.

Por ç’ka i refuzuan partisë së Astrit Patozit, ia pranuan Eduard Ndocajt me partinë konservatore, që kërkoi numërimin e 11 kutive në Lezhë me të njëjtin pretendim si të BD se kishte më shumë vota se votues.

Ishte koha që KQZ t’i jepte një përgjigje PD, se nuk do hapte kutitë e materialeve zgjedhore e t’i vinte në dispozicion listat e votuesve sipas kërkesës.

Opozita nuk ka ende një strategji publike se si do vijojë aksioni i saj, por  Lulzim Basha që ka nisur një tur takimesh me degët lokale, mbështeti javën e kaluar politike në Mallakastër idenë e kryebashkiakëve të djathtë se ata janë legjitimë në zyrat e tyre, deri në mbajtjen e zgjedhjeve legjitime. Duket e paqartë se cfarë do ndodhë pas 10 gushtit, kur mbaron mandati i kryebashkiakëve të zgjedhur 4 vite më parë. A mbështetet Basha tek 13 tetori, data e dekretuar nga Meta si datë për zgjedhjet vendore e i propozuar për mbajtjen edhe të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e presidenciale? Në fakt kreu i PD vijon të bëjë premtime fushate parlamentare.

E paqartë nëse ka llogaritur aktorin tjetër në lojë, kryesorin, kryeministrin e vendit, i cili pas seancës parlamentare të të hënës, ka shmangur komentet politike, edhe kur Ilir Meta e portretizonte në të përditshmen greke Kathimerini.

Edhe kur organizata të medias reaguan për ndryshimet në ligjin për median audiovizive, ndërsa OSBE publikoi rezervat zyrtare, më kryesorja se një autoritet publik i propozuar nga qeveria nuk mund të marrë atributet e gjykatave ndaj medias.

Njëlloj nuk reagoi as kur raporti i fundit i DASH fliste për klimë të errët te biznesit në Shqipëri.

Një reagim virtual erdhi në emër të opozitës, e një frazë e Bashës për atë raport, që flet për gjendjen ekonomike të vendit.

Java e ardhshme pritet të shënojë fundin e këtij sesioni parlamentar e deputetët do të marrin zyrtarisht pushimet. Panorama është e njëjtë edhe për ndërkombëtarët, çka do thotë se edhe protestat e opozitës mund të ndërpriten në këtë periudhë. Qetësia që reflektojnë palët përtej retorikës agresive apo shpotitëse, i ngjan përgatitjeve e komunikimeve pas kuintave për lëvizje konkrete në shtator, duke përdorur secila si armë të re, legjitimitetin e 30 qershorit.

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono