Rama e Basha përballë refuzimit të negociatave

18:44 | 19/10/201918:440

BE refuzoi të hapte negociatat e antarësimit si me Shqipërinë ashtu edhe Maqedoninë e Veriut. Mosndarja e dy vendeve aspirante, ndikoi në reagimin e Tiranës zyrtare, si në justifikimin e Edi Ramës, ashtu edhe në apatinë e Lulzim Bashës. Ndjekim Mimoza Koçiun me Politika në ABC News.

Për herë të katërt, që prej 2014, kur mori statusin e vendit kandidat, Shqipëria e humbi shansin e hapjes së negociatave. Franca frenuese e zgjerimit mori pas vetes edhe vende të tjera, që ishin për lënien në klasë të Shqipërisë, por jo të Maqedonisë së Veriut, duke bërë që të dy vendet të mbeten në vend numëro. Në Tiranë Edi Rama e Lulzim Basha po bashkëjetojnë çuditshëm me krizën politike 9 mujore, një realitet absurd që u evidentua edhe nga Kryeministri italian, vend mbështetës i fortë i Shqipërisë për hapjen e negociatave. Refuzimi i BE për hapjen e negociatave duket se nuk do e prishë këtë status quo, të paktën së afërmi. Duket se nuk do shohim as modelin e fqinjit tone, Maqedonisë së Veriut, ku zgjedhjet e parakohshme u shfaqën nga Zaev, si opsioni më i parë pas dështimit në hapjen e negociatave.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

16 muaj pasi kishin vënë disa kushte, si për Shqipërinë e Maqedoninë, Këshilli Europian nuk gjeti dot unanimitetin e kërkuar, për të nisur bisedimet e anëtarësimit me këto dy vende. Në Tiranë ky vendim u parapri me një klimë stanjacioni. Kriza politike e institucionale vijon prej 9 muajsh e aktorët kryesorë po bashkëjetojnë me të, pa vullnetin për ta zgjidhur. Ua vuri në pah, Km italian në pak orë qëndrim në Tiranë, duke premtuar se si pjesë e Këshillit Europian do bënte gjithcka mundej që Shqipërisë t’i hapen negociatat. Por Giuseppe Conte nënvizoi pritshmërinë për zgjidhjen e krizës politike, duke i thënë KM se duhej të bënte lëvizje konkrete.

Nuk pati një reagim nga Kryeministri, por i njëjti mesazh duhej të ishte përcjellë edhe në takimin me presidentin Meta e kreun e opozitës Basha. Të dy i bashkoi 10 vjetori i Kastiftung në Shqipëri, fondacioni politik i Unionit Kristian-Demokrat të kancelares Merkel, mazhoranca që e orietoi Bundestagun drejt hapjes me kushte të negociatave për Shqipërinë, pasi në mënyrë të përsëritur ishte ofruar për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës. Ilir Meta ripërsëriti apelin për dialog mes palëve.

9 kushtet gjermane Lulzim Basha thotë se i ka kauzë të vetën. Por asnjëra palë nuk shkoi përtej deklaratave. Kjo panoramë mbeti kokëfortë në Tiranë, teksa në Bruksel sinjalet e refuzimit qartësoheshin ditë pas dite: të parët ambasadorët e përhershëm që dështuan për të gjetur gjuhën në tre takime të përjavshme. Pas tyre, njëlloj edhe ministrat e jashtëm të vendeve anëtare. Refuzimi i Francës kishte ndikuar edhe vendet e tjera, Holandën e Danimarkën. Në siklet së pari u vu Komisioni Europian, rekomandimi i të cilit nuk konsiderohet nga Këshilli, prej të paktën 4 vitesh.

Pavarësisht atij mesazhi paralajmërues, Rama u shfaq optimist në një videomesazh nga makina e tij, teksa njoftonte se po shkonte në Bruksel bashkë me Zaev. Shefi i ekzekutivit njoftoi shqiptarët se Merkel do takonte Macronin skeptik, për ta bindur për një PO për negociatat. Sipas informacionit zyrtar në faqen e presidencës franceze, mikpritëse e takimit, në fokus ishte bashkëpunimi mes dy vendeve për mbrojtjen, klimën, inovacionin, hapësirën dhe kulturën. Disa prej tyre do ishin edhe objekt i Samitit të KE. Kjo duket arsyeja se pse takimit Merkel-Makron, i ishte bashkuar edhe presidentja e zgjedhur e KE Ursula von der Leyen.

Ish-ministrja e Mbrojtjes e Merkel mbështetet nga Franca, pasi sic thuhet në faqen zyrtare të presidencës franceze, programi i Von der Leyen është frymëzuar nga vizioni i Francës për risktrukturimin e BE, i paraqitur nga Macron në Shtator 2017 e i detajuar në Mars 2019, sipas të cilit nuk duhet të ketë zgjerim me vende të reja, pa reformuar në thellësi BE-në. Për pasojë vendimmarrja për Shqipërinë e MV, doli në konferencën për shtyp Makron-Merkel, vetëm pas pyetjes që bënë gazetarët. Presidenti francez e ilustroi me Shqipërinë arsyen se përse nuk duhet lejuar zgjerimi, pa e reformuar si proces.

Kancelarja Merkel u përpoq të merrte kohë. Por të nesërmen para nisjes për në Bruksel, para Bundestagut, Merkel nuk u shfaq optimiste. A po përgatiteshin vallë për këtë vendimmarrje dy vendet në pritje? Në Bruksel dy ditë para Samitit u shfaq Km Zaev, që pati takime me kreun e PE David Sasoli, presidentin në largim të KE Donald Tusk dhe një takim e konferencë për shtyp me komisionerin për zgjerimin Johannes Hahn, që konfirmoi deklaratën e dhënë më herët, se qeveria e tij mund të rrëzohej në rast të një refuzimi nga KE për hapjen e negociatave.

Siç kishte njoftuar, në Bruksel kishte mbërritur edhe Rama. Takim me Tusk, Mogherinin e Hahn, e në vend të një konference për shtyp si me Zaev, një mesazh përmes gojës së komisionerit, se një JO për hapjen e negociatave, nuk ishte faji i qeverisë. Arritja e marrëveshjes për Brexit me Britaninë e Madhe, pika e parë në axhendën e Samitit të Këshillit Europian, nuk e cliroi dot vendimmarrjen për një dritë jeshile për Shqipërinë e RMV. Madje as lehtësimi për një armëpushim të Turqisë ndaj kurdëve në Veri të Sirisë, i arritur pas një takimi 4 orësh të zv/presidentit amerikan Pence me presidentin Erdogan në Ankara.

Në tryezën e KE mbetën vetëm çështjet e BE në vazhdim, buxheti, klima e zgjerimi, por nuk pati dritë në fund të tunelit për Shqipërinë e MV. E para që reagoi nga tryeza e udhëheqësve ishte kancelarja Merkel e cila tha se kjo qasje do zhgënjente dy vendet. Ai që i kishte prerë shpresat edhe për MV ishte presidenti Francez. I kishte vënë veton dritës jeshile, që disa vende do i hapnin Shkupit.

Kush ia kishte vizatuar vallë Presidentit Macron, atë skenar dhune, në rast të ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria? SHBA shohin një tjetër rrezik nga vendimi i KE që e vlerësojnë zhgënjyes. Në një deklaratë të DASH thuhej se një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së këtyre vendeve për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik. Lënia në klasë e dy vendeve është një lehtësim politik për Ramën, që paraprakisht e ka lexuar atë qasje, si problem të vetë BE, edhe pse për Shqipërinë rezervat ishin materializuar tek 9 kushtet gjermane. A e ndjen vallë Kryeministri se duhet të ndryshojë dicvka, qoftë edhe të testojë veten në kuvend?

Opozita duket që kishte pritshmëri për hapjen e negociatave me 9 kushtet gjermane, të cilat do ta ulnin në tryezë me Edi Ramën. Tonaliteti i zbutur politik i Bashës dhe përcaktimi i reformës zgjedhore si prioritet, duket orientimi që bashkon PD me PS, i nxitur apo jo nga ndërkombëtarët. Roli i tyre në Tiranë mbetet i zbehtë, sidomos pas situatës në të cilën u përfshi javën politike që lamë pas, iniciuesi i tryezës zgjedhore edhe me opozitën politike, ambasadori i OSBE Bern Borchardt.

Mbrëmjen e 13 tetorit, kreu i prezencës së OSBE po kalonte në trotuarin ku po qëndronin familjarë e mbështetës të protestuesve të arrestuar, kur drejt tij është lëshuar thirrja “shame on you”, “turp të kesh”, e cila 5 muaj më parë ishte shkruar në hollin e pallatit ku ai jetonte, e që u lexua gjerësisht si kërcënim ndaj ambasadorit për shkak të deklaratave të tij kundër dhunës në protestat e opozitës. Rikthimi i kësaj shprehje, duket i ka humbur vetëpërmbajtjen gjermanit Bernd Borchard ndërsa ky gjest i tij si përgjigje, bëri xhiron e mediave e rrjeteve sociale. Prezenca e OSBE ne Shqipëri postoi në llogarinë tuiter një mesazh ndjese të ambasadorit.

Këshilli i Ambasadorëve shqiptarë dënoi gjestin dhe kërkoi nga OSBE marrjen e masave disiplinore ndaj diplomatit të lartë, ndërsa vetë banorët e unazës së re iniciuan një peticion ku kërkohet shkarkimi i ambasadorit. Njëlloj si në rastin e shkrimit në banesë, politika ishte e ndarë në leximin e ngjarjes. Por Parlamenti prej muajsh me 122 deputetë nga 140 që parashikon kushtetuta, vijon të humbasë së pari solemnitetin e vet. Një situatë në kufijtë e një telenovele u prodhua brenda grupit Demokrat 9 anëtarësh, deputetë të dalë nga listat e Lulzim Bashës, që thyen vendimin politik për djegien e mandateve. Një tentativë për të larguar Rudina Hajdarin nga kreu i grupit, duke e zëvendësuar me Korab Litën dështoi, ndërsa të paktën dy deputetë që kishin firmosur për shkarkimin e Hajdarit, ndryshuan mendje. Kjo e fundit ia faturoi Lulzim Bashës atë tentativë, ndërsa siguroi votat e 5 deputetëve të tjerë duke shpëtuar postin e vet, por dhe grupin nga shkrirja.

Energjitë politike në Tiranë mbeten të fokusuara tek axhendat respektive, të orientuara më shumë drejt ndarjes, të paktën publikisht, sesa drejt bashkimit. E tillë duket iniciativa e socialistëve për të shkarkuar presidentin e Republikës, pas anullimit prej tij të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. C’ka i bashkoi në orientimin që komisioni i Venecias të interpretonte vendimin e Ilir Metës, i ndau sërish në leximin e konkluzioneve. Për herë të parë opinioni përfundimtar i komisionit pësoi ndryshime të ndjeshme nga varianti paraprak. Në dokumentin final konstatimet ishin zëvendësuar me vlerësim hipotetik, duke ia lënë fjalën e fundit parlamentit e Gjykatës kushtetuese.

Dy janë momentet ku spikasin këto ndryshime të lidhura me aktet e kreut të shtetit. Në draft dokument në pikën 99 të konkluzioneve thuhej se  “Presidenti i tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës, fillimisht duke anulluar e më pas, duke shtyrë zgjedhjet lokale dhe se i takon parlamentit e GJK të vlerësojë peshën e shkeljeve të rënda, që do çonin në shkarkimin e presidentit”.

Ndërsa në opinionin përfundimtar fraza konstatuese e tejkalimit të kompetencave është hequr, por duke u plotësuar pjesa vijuese me specifikim të njëjtë. Ndryshim ka pësuar dhe pika 101 e përfundimeve të Komisionit të Venecias. Konstatimi i draftit paraprak se “Presidenti tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anulluar dhe shtyrë më pas zgjedhjet lokale, përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, pa një bazë të veçantë ligjore”, është riformuluar, duke e sjellë si akt hipotetik, në konkluzion të parashtrimeve të mëparshme.

Këto ndryshime nga drafti paraprak, të cilin e pati kritikuar ashpër, i evidentoi i pari Presidenti Meta. Por pika e pandryshueshme e ekspertëve se gjesti i Metës nuk justifikon shkarkimin e tij, nuk arriti t’i bashkonte palët, mazhoranca kundër e opozita politike pro Presidentit. JO-ja e KE për hapjen e negociatave, iu shtua kësaj situate absurdi Kafkian, ku kriza politike po përjetohet si normalitet. “Jeta vazhdon” duket filozofia e Tiranës zyrtare, që po arshivon dështimin e radhës pa reflektim. Krejt ndryshe nga Maqedonia, ku KM Zaev, edhe pas presionit të Opozitës mori përgjegjësinë për refuzimin e KE, dhe tregoi gatishmëri për ta cuar vendin në zgjedhje të parakohshme. E paqartë nëse palët në Tiranë do impenjohen të paktën për një strategji për vendin, ndërsa hapja e negociatave do të shqyrtohet sërish vitin e ardhshëm, para Samitit BE-BP, që do mbahet në Zagreb të Kroacisë në Maj 2020./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono