Rama e Basha, llogaritë e fillimvitit

11:12 | 20/01/2019

Politika në ABC News na sjell këtë javë përllogaritjet e aktorëve kryesorë politikë në vend, më pak se 6 muaj nga zgjedhjet vendore. Edi Rama po përpiqet të ketë studentët në krah, ndërsa Lulzim Basha shpalli protestat popullore, e një objektiv të dytë, sa të njohur, aq edhe të diskutueshëm.

Një lëvizje që Lulzim Bashës i artikulohej prej kohësh, e që ishte zbehur, pasi u rikthye pas 6 muajsh në Kuvend funddhjetorin e kaluar, në prag të skadimit të mandateve parlamentare. Direkt e indirekt Lulzim Basha po mbështet prej javësh kundërshtarët e veprimeve të kryeministrit, e këta sa vinë e shtohen publikisht. Përveç studentëve, institucioni më i lartë në vend ka frenuar fuqinë e Kryeministrin. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti nuk po e hedh lehtë firmën në dekretet e ministrave të propozuar nga Kryeministri. Ky i fundit një konflikt ka hapur edhe me VOA-n, median me eksperiencë 75-vjeçare, që financohet nga Kongresi amerikan. Ç’ka bie në sy është se Edi Rama ka ulur ndjeshëm daljet e angazhimin publik.

Çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

I kërkoi parlamentit të mblidhej një javë para kohe, me atë që u quajt session i jashtëzakonshëm, me një pikë në rendin e ditës, miratimin e dekreteve të shkarkimit dhe emërimit të ministrave të rinj, përveç ministrit të Jashtëm, i padekretuar nga kreu i shtetit.  Opozita në konferencën e kryetarëve që miratoi mbajtjen e seancës, u duk e gatshme për të vijuar qëndrimin në parlament, pavarësisht se seancën e quajti të panevojshme.

Por kthimi në parlament nuk u duk i lehtë as këtë fillim viti. Shkuan me plan në seancën që kishte vetëm një pikë në axhendë, votimin e dekreteve për ministrat. Ishin depozituar emrat e të gjithë deputetëve të PD e LSI për të folur mbi qeverisjen e vendit. Por mazhoranca i kishte marrë masat të mos e lejonte zbatimin e asaj strategjie. Nenit 48 të rregullores së Kuvendit, që parashikon kohë diskutimi për programin politik e përbërjen e Kryeministrit, që paraqiti opozita, mazhoranca e kishte parashikuar e kishte bërë kërkimet e saj.

Protestat do nisin së shpejti, një vendim i Këshillit të ri Kombëtar që zgjodhi edhe strukturat e reja drejtuese të shtunën e javës politike që lamë pas. Për 4 vitet e ardhshme, Lulzim Basha do ketë në krah një kryesi më të vogël me 15 anëtarë të zgjedhur, e të tjerë pjesë sipas statutit. Votëbesoi dy nënkryetarët, Spaho e Paloka, por rifreskoi sekretariatin, duke nisur nga sekretari i përgjithshëm e sekretarët funksionalë. Ndërsa për herë të parë Këshilli Kombëtar do ketë një kryetar e Basha ka përzgjedhur ish-Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Edhe javën politike që lamë pas, opozita e shijoi edhe përplasjen aspak institucionale mes Presidentit e Kryeministrit, me refuzimin e emrit të Gent Cakajt. Me këmbënguljen për të mos propozuar tjetër emër në atë post përvec 28-vjeçarit, Edi Rama vendosi ta merrte përsipër vetë përkohësisht, edhe atë detyrë. Ndërsa kjo betejë vazhdonte, sa në mediat tradicionale, në ato sociale, erdhi një lëvizje e papritur. Ish-Kryeministri Berisha njoftoi se Klement Balili, ish-drejtori i LSI në Sarandë, prej dy vitesh në arrati, më akuzën për trafik ndërkombëtar droge, i emërtuar nga mediat greke si Eskobari i Ballkanit, ishte vetëdorëzuar. Pas një konfuzioni të parë të mediave e institucioneve që u përballën me interesimin e tyre, ishte Rama që konfirmoi se Balili ishte në prangat e policisë.

Në këtë panoramë, tensioni mes Presidentit e Kryeministrit u lexua fort tek betimi i 7 ministrave e i zv/Kryeministrit. Edi Rama, dekreti për të cilin ishte pezull në momentin e betimit, nuk shkoi në ceremoni, ndërsa mazhoranca u përfaqësua me nënkryetaren e Kuvendit, Vasilika Hysi. Ndryshe nga tradita protokollare e kësaj ceremonie, asnjë nga ministrat e as zv/kryeministri nuk bëri ndalesën për foton zyrtare me presidentin, pas marrjes së dekretit. Kjo dukej diçka e dakordësuar mes palëve, e zëvendësuar për të mos rënë në sy, nga një gjest familjariteti nga kreu i. E të nesërmen Ilir Meta e dekretoi shkarkimin e Bushatit e emërimin e ramës si ministër i Jashtëm, edhe pse për Kryeministrin kjo do jetë një detyrë provizore.

U kuptua edhe arsyeja e tërheqjes publike të Kryeministrit. Shkak kishin qenë përgatitjet për të paraqitur para studentëve Paktin për Universitetit. Kishte mbledhur studentë të ekselencës nga i gjithë vendi si dhe pedagogë-drejtues universitetesh, për t’u paraqitur një dokument 30 faqesh, që sipas tij përmbushte kërkesat e studentëve. U vuri përballë ministren e re të arsimit, e në sallë mes studentëve ishte vetë, e në radhë me të edhe ministrat e tjerë që do kenë në patronazh fakultete të ndryshme. U paraqit në krahun e studentëve e përballë pedagogëve, të cilëve u kaloi përgjegjësi.

Po shfaqet i pashqetësuar nga protesta e shpallur nga opozita, ndërsa me të e presidentin, do haset sërish më 21 Janar, në nisjen zyrtare e sesionit të ri, ku do votohet edhe dekreti për shkarkimin e Bushatit, e emërimin e tij edhe si ministër i Jashtëm. Ndërkaq i zgjedhuri i tij Gent Cakaj, pritet të jetë sërish shënjestër publike, pas kërkesës së Presidentit e opozitës, për ngritjen e një komisioni hetimor mbi DSIK, që i dha Cakajt një certifikatë sigurie për 24 orë.

Opozita do kërkojë zyrtarisht edhe shtyrjen e komisionit hetimor Tahiri, i iniciuar prej saj. Ndërsa në tryezë janë edhe dy ligjet e kthyera nga Presidenti për noterinë e kadastrën. Axhenda e këtij viti të ri politik duket e ngjeshur, e zgjedhjet vendore janë pak më shumë se 5 muaj larg. Strategjia e Bashës e miratuar në Këshilli Kombëtar përmban dy momente: përveç vendimit të shpallur më herët, të organizimit të protestave për largimin e qeverisë Rama, momenti i dytë i ngjan një déjà vu-je të Majit 2017.

A do vijë një rezultat ndryshe me një taktikë të përdorur edhe më herët? Kjo mbetet për t’u parë!/abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono