Rama: Çfarë proteste? Këtë e organizon një establishment që u përzu nga populli

schedule13:39 - 21 Shkurt, 2019

schedule 13:39 - 21 Shkurt, 2019

Organizim të një grupi politikanësh që është përzënë nga populli pesë vite më parë. Kështu e komenton kryeministri Edi Rama protestën e opozitës në një intervistë për gazetën italiane “Il Messaggero”. Për kryetarin e qeverisë ky reagim parazgjedhor vjen sepse kundërshtarët e tij politikë e dinë që humbasin në zgjedhje.

E thotë edhe në gjuhën italiane se me vete ka qytetarët, protesta përfaqëson vetëm pushtetin e vjetër. Në një intervistë për gazetën italiane ”Il Messaggero”, kryeministri Edi Rama thotë se nuk bëhet fjalë për një protestë popullore.

“Çfarë proteste popullore! Këtu nuk jemi përballë jelekverdhëve apo studentëve apo sindikatave apo forcave të tjera shoqërore. Kjo është protestë e organizuar nga një establishment i pesë viteve e gjysmë më parë, që u përzu nga populli me një milion vota”.

E çudit fakti që media italiane i ka dhënë kaq shumë rëndësi një manifestimi të opozitës, ku sipas tij dhuna u nxit në mënyrë të paparë.

”Italianët duhet ta dinë se jemi në prag të zgjedhjeve lokale. Opozita është shumë mbrapa në sondazhe dhe e di se do të humbasë në të gjitha qytetet. Ajo kërkon që unë të dorëhiqem”.

Tashmë opozita e ka braktisur parlamentin. Përgjigjen e pyetjes se cfarë do të ndodhë më pas, kryeministri Rama e kërkon nga italianët.

“Ma thoni ju, pasi edhe ju keni kaluar një fazë të një opozite të re, të ndryshme, që sot është në qeveri, por kurrë nuk kam dëgjuar të ketë kërcënuar me djegien e mandateve parlamentare”.

I pyetur për akuzat e opozitës se ka mashtruar elektoratin dhe ka falsifikuar 20 përqind të votave, kryetari i qeverisë thotë se OSBE legjitimoi plotësisht rezultatin si fryt i zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare dhe kundërshtarët e tij politikë nuk kontestuan asgjë deri në tetor, kur filloi beteja për lidershipin e partisë së tyre.

“Janë ata që thonë se me Edi Ramën nuk kemi shansin të fitojmë. Dhe duan që unë të dorëhiqem për të bërë më pas një qeveri tranzicioni. Njësoj sikur të pyesësh Juventusin se, meqë është kaq i fortë, të pranojë që formacionin t’ia bëjnë të tjerët, jo trajneri i tij dhe të kthehet pas në klasifikim duke filluar nga e para kampionatin… pa Ronaldon!”.

Sipas kryeministrit Rama qeveritë e tranzicionit krijohen kur ka një problem përfaqësimi.

“Ndërsa ne kemi të vetëm mazhorancën absolute dhe jemi përpara në të gjitha sondazhet. Nuk kemi të bëjmë me një lojë, nuk kemi vetëm të drejtën, por edhe detyrën të përfaqësojmë vullnetin e zgjedhësve. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë në 2021”.

Kryeministri Rama e siguron qeverinë italiane të mos frikësohen nga një eksod i ri i shqiptarëve pasi kjo që po ndodh është vetëm një revoltë e politikës së atyre që janë larguar dhe që ëndërrojnë të pamundurën. Pra, të kthehen në pushtet pa kaluar nga vota./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!