Rama: Berisha dhe Meta duan të më largojnë nga detyra!

12:30 | 13/06/2019

Nga Kuvendi Kryeministri Edi Rama pretendon se ka një plan midis ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Ilir Meta për ta larguar nga pushteti.

Gjatë fjalës në Parlament, Rama tha se ta harrojnë se e largojnë nga detyra me molotovët e Lulit dhe mallkimet e Monikës.

Rama: Pse Meta e bëri këtë ndërhyrje antikushtetuese? Nuk është kërcënim vetëm për Republikën parlamentare por për logjikën njerëzore. E bëri pikërisht atë ditë kur SHBA dënuan dhunën duke treguar me gisht Bashën dhe Kryemadhin si përgjegjës.  E vërteta e dalë nga ky akt marrëzie është se veprimi i Metës nuk ishte një rrufe në qiell të pastër por një hap për të marrë peng jetën demokratike të vendit dhe për të minuar rrugën drejt BE. Berisha dhe Meta kujtojnë se mund të më largojnë mua me molotovët e Lulit dhe mallkimet e Monikës, por e kanë gabim! Këta janë instrumente në duart e tyre. Dy ustallarët e rrëmujës dhe intrigave e kanë qitjen më të largët. Unë jam shënjestra që dukem, koka që i duhet turmës për ta sjellë në bulevard, iluzioni që i duhet artistit dhe fallxhores, ndërsa preja nuk jam unë por Shqipëria. 4 aventurierë që duan të ndalin shtetbërjen. Doni të dini si do të ishte Shqipëria e tyre, shikoni ata. Doni që Shqipëria t’i ngjajë atyre të katërtëve.

Pjesë e këtij plani ishte dhe publikimi i përgjimeve në tabloidin gjerman të cilat mbaheshin nga një mirënjohës i Saliut në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Luli dhe Mona kanë marrë përsipër shpëtimin e vendit me doçkat  e tyre. Meta dhe Berisha duan ta nxjerrin vendin jashtë procesit demokratik. Janë në të drejtën e tyre të kërkojnë një Shqipëri të qeverisur ndryshe, por ata duan që në vend që Shqipëria të luftojë për të kapur trenin e 2025, të rrijë të sfilitet dhe të mendojë për makthin e ’97.

Ata janë në një hall të madh dhe duan që halli i tyre të kthehet në problemin e të gjithë Shqiptarëve. Merreni vesh si të doni por veshët aman mos na i çani më se ky vend kështu e paska pas taksiratin. Por jo, unë jo njëherë, sa të jem unë kryeministër. Sikur unë mos të besoja te Shqipëria dhe e drejta e fëmijëve tanë për të trashëguar një vend më të mirë asnjë sekondë nuk i jap”./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono