Rama përsërit ftesën për Bashën: “Eja flasim për Shqipërinë”


16:27 | 07/12/2017

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur ftesën drejtuar opozitës për një zgjidhje të përbashkët për Prokurorin e Pergjithshëm. Këtë e bëri fillimisht përmes një statusi në Facebook, ndërsa në një prononcim për media nga Bullgaria, shpjegoi se çështja e Kryeprokurorit mund të jetë pikënisja për një pakt kombëtar për Europën.

Kishin kaluar pak minuta nga reagimet publike të Ambasadorit amerikan dhe delegacionit të BE-së, që mbështesnin qëndrimin e mazhorancës për çështjen e Kryeprokurorit, kur Edi Rama përsëriti ftesën për dialog në adresë të kreut të opozitës.

“Lulzim Basha mos prit të ta lexojnë të huajt Kushtetutën e vendit, po eja të flasim shqip për Shqipërinë, siç e kemi për detyrë nga ata që na zgjodhën”, shkruajti Rama në Facebook pa harruar të mbyllë postimin me ikonën e flamurit shqiptar.

Pak orë më pas, të njëjtën ftesë e përsëriti me zë dhe figurë nga Bullgaria, gjatë një prononcimi për media.

“Ftesa ime është për një pakt kombëtar për Europën në funksion të çeljes së negociatave si një stacion i Shqipërisë dhe jo i qeverisë vetëm dhe për ta shfrytëzuar këtë çështje të Kryeprokurorit të Përgjithshëm, pikënisjen e rëndësishme duke u nisur nga fakti se pavarësisht se ne kemi mundësinë kushtetuese të një zgjedhjeje me shumicë të thjeshtë të krijojmë kushtet që të kemi një zgjedhje të mirëkuptuar me opozitën dhe nga ana tjetër, që opozita të përfshihet plotësisht në procesin e mbështetjes së Shqipërisë për të çelur negociatat”.

Ftesën e parë ndaj Bashës, Rama e bëri mbrëmjen e së mërkurës, kur po nga Facebook-u, i tha opozitës se i njihte pikat, ku kjo e fundit ndahet me Qeverinë, por pavarësisht të gjithave, ishte i gatshëm të dialogonte për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, në një funksion të një marrëveshjeje që do të bashkërendonte qëndrimet e mazhorancës dhe opozitës për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian./abcnews.al

 

 

 



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono