Rama-Basha, taktikat e një krize politike

17:16 | 02/03/2019

Opozita e mori në Tiranë mesazhin e Brukselit, se heqja dorë nga mandatet parlamentare, dëmton vendin në pritje të vendimit për hapjen e negociatave. Por nxitja ndërkombëtare për t’i zgjidhur problematikat me dialog të brendshëm, nuk po ngjit tek asnjëra palë, ndërsa taktikat diversive mund të sjellin efektin e kundërt në panoramën e tensionuar politike në vend. Detajet i sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News. 

Opozita tashmë pa mandate e në protestë, është realiteti i ri politik, që po provokon kundërshti që në parim nga ndërkombëtarët, e lëvizje pas kuintave për ta trajtuar e zgjidhur si problem politik të brendshëm. Panorama është e njëjtë në Serbi, Mal të Zi e Bosnjë, por në asnjë nga këto vende ku protestohet kundër qeverisë, nuk ka një dorëzim mandatesh si në Tiranë. Në kushtet kur BE nuk do të përfshihet, në Tiranë një zgjidhje po përgatitet me zëvendësimin e vendeve të opozitës në kuvend. Ndryshe nga Lulzim Basha që vendosi papritur dorëzimin e mandateve, Edi Rama po i përgatit ndërkombëtarët për atë lëvizje.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Opozita dominoi zhvillimin politik të javës që lamë pas, por taktikat reaguese të qeverisë, ishin zhvillimi jo i dukshëm i saj, e gjitha për të relativizuar arsyet që cuan në atë vendim. Edhe pse dorëzimi i mandateve u heq secilit prej opozitarëve imunitetin parlamentar para drejtësisë, Edi Rama edhe javën politike që lamë pas, e ricikloi akuzën e vjetër.

Narrativa që po ndërtohet me kujdes është ajo e një vendi me problematika të zakonshme, se krizë nuk ka vendi, por vetëm opozita.

Me ndërkombëtaret sic pritej kundër bojkotit, fokusi i parë i Kryeministrit janë vendet bosh në Kuvend, që ndikojnë edhe tek qytetarët në shesh. Zgjidhjen po e orienton në disa drejtime. Së pari u ndaloi të vetëve daljen në debate televizive me deputetët e larguar të opozitës. Kjo padyshim që sjell reduktim të riaktivizimit të akuzave.

Njërën prej arsyeve me ndjeshmëri të lartë publike, vjedhjen e zgjedhjeve, Lulzim Basha ia solli javën politike që lamë pas, përmes një paralajmërimi që tingëlloi si lajm.

Prokuroria reagoi disa orë më vonë.

Në fakt deklarata është një riciklim besnik i asaj që prokuroria lëshoi 4 muaj më parë, kur sapo u publikuan përgjimet e dosjes 339 të prokurorisë, pjesë e të cilave janë edhe komunikimet e dakos, me anëtarë të bandë së avdylajve.

Ndërsa pikëpyetje të forta mund të ngriheshin se përse organi i akuzës nuk ka gjë të re për të thënë, spikati reagimi i Kryeministrit për herë të parë për Vangjush Dakon, një reagim krejt komod për atë lloj akuze

Lulzim Basha ndërkohë jashtë kuvendit, pas koordinimit me strukturat, shpalli kalendarin e protestave të afërme.

Ambasadori i BE në Shqipëri përsëriti thirrjen e Brukselit për dialog.

Por planet duken krejt të tjera, e dialogu nuk është në axhendë. Reagimi i shumicës ishte një lëvizje akrobatike për të zhvendosur seancën plenare nga e enjtja tradicionale, ku ishte njoftuar edhe protesta e rradhës e opozitës, në dy ditë më herët. U njoftua papritur të martën e javës politike që lamë pas, 4 orë para mbajtjes së seancës. Dukshëm synimi ishte ç‘orientimi i protestës. Pas ç‘orientimit të parë, opozita njoftoi afrimin e protestës së saj, atë ditë.

Dukej e vështirë që një protestë të organizohej në 4 orë. Kënaqësia e Bashës për atë përgjigje numerike qytetare në pak orë ishte e dukshme.

Njëlloj si herën e fundit, protesta nisi me fjalime deri kur protestuesit e unazës së re, kryen aktin e parë.

Më pas erdhi ndeshja me kordonin e parë të policisë, por pa nevojën e ndërhyrjes aktive të forcave speciale.

E më pas, në në gjest të pahasur nga homologët e tij në Shqipëri, iu afrua rreshtit të parë të protestuesve që po ndeshej me policinë.

Kordoni i policisë u thye, e nisi hedhja e gazit lotsjellës, që solli tërheqjen e protestuesve.

Me një disiplinë të admirueshme, socialistët vijonin seancën parlamentare, edhe pse kryetari kryeministër kishte zgjedhur të ishte jo me ta, por diku tjetër.

Kryeministri ndodhej kilometra larg, në Divjakë, por vëmendja ishte tek ai aksion dhe kërkesa e opozitës për largimin e tij.

Të vetët e mbajtën seancën me tre orë diskutime, ndërsa motivimin e bënte kreu i grupit parlamentar.

72 deputetët në sallë votuan pro strukturën e dy institucioneve të reja të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ishte momenti që protesta të përfundonte, e Lulzim Basha të karikonte sërish të vetët për vazhdimin.

Ndryshe nga protestat e tjera, ishte OSBE zëri i vetëm që lexoi publikisht dhunë nga protestuesit, por kishte një frazë që u duk referencë për përdorimin e gazit lotsjellës e nxisim policinë të reagojë në mënyrë përpjestimore!”, -thuhej në reagim.

Në fakt opozita mori një shuplakë publike javën politike që lamë pas nga delegacioni faktmbledhës i komisionit të jashtëm të PE, në përbërje të të cilit një njohës i mirë  i vendit, raporteri për Shqipërinë, Knut Fleckenstein. Eurodeputetët kishin një vizitë të programuar në shqipëri e maqedoninë e veriut, dy vendet që janë në pritje të një vendimi për hapjen e negociatave. Pas takimit me ta bashkë me aleatët e vet, Lulzim Basha vlerësoi se ishin të painformuar, e se opozita nuk do tërhiqej.

Për takimin mbi një orësh që eurodeputetët me Kryeministrin nuk pati një komunikim zyrtar, por qëndrimi i mazhorancës mund të lexohet përmes takimit që eurodeputetët patën me kreun e Kuvendit Ruçi. Mes mesazheve nga ai takim i mbyllur, që Kuvendi shpërndau në media, e pastaj i tërhoqi, pati qëndrime interesante. Mes deklaratave të Ruçit se mazhoranca ka kryer reformat, i ka lënë hapësirë opozitës e ajo ka refuzuar të përdorë kontrollin parlamentar, spikatën qëndrimet e shprehura nga Fleckenstein e shigjetimi nominal për Monika Kryemadhin, jo si kryetare e LSI në opozitë, por si bashkëshortja e Presidentit.

Duhet thënë se mesazhet e raportuara nga kuvendi si të thëna në takimin me Rucin, u konfirmuan nga 7 eurodeputetët gjatë konferencës me gazetarët. Çka spikati ishte se pavarësisht prejardhjes nga PPE ku PD është anëtare apo PSE ku bën pjesë PS, u shfaqën të unifikuar se largimi i opozitës nga vendi, nuk zgjidh problematikat në vend, e se për ta ky është sherri i radhës, ku nuk duan të përfshihen.

Përgjigja e Bashës erdhi nga Shkodra, ku kishte shkuar për një takim me strukturat vendore partiake.

Po cfarë po ndodh pas kuintave është zëvendësimi i deputetëve të larguar. Mazhoranca po nxiton të plotësojë vendet bosh, duke i dërguar 57 vakanca në KQZ,  pa kaluar përmes këshillit të mandateve e seancës plenare siç e parashikon kodi zgjedhor.

Në fakt vendet bosh do ishin kujtesa e fortë për një parlament njëngjyrësh, si para viteve 90, e me vendimarrje të kufizuar vetëm për vitimet me shumicë të thjeshtë.

Përveç deklarimit publik për mosdorëzim mandati nga Lefter Koka i LSI e Myslim Murrizi i PD, me mandat është ende Rudina Hajdari. Deputetët rebelë kanë tërhequr vëmendjen edhe të Kryeministrit.

Të premten e javës politike që lamë pas, 4 kandidatë në listat e LSI dorëzuan në KQZ formularin e dekriminalizimit, hapi i parë për marrjen e mandatit, e të tjerë kanë shprehur gatishmërinë duke konfirmuar se janë nxitur nga ndërkombëtarët. Kujtim Gjuzi i Partisë Konservatore në listën e Bashës e konfirmoi për Top Channel.

Qeveria u kujdes ta paraqiste si akt me mbështetje ndërkombëtare. Ndërsa vetë Kryeministri e çoi më tej. Në samitin për Diasporën, premtoi një akt që në Kuvend kërkon 84 vota, ndryshimin e kodit zgjedhor për votën e emigrantëve.

Ndërsa thirrjes ndërkombëtare që si Kryeministër të nxisë dialog me opozitën, iu përgjigj duke e ftuar me batutën që u drejtonte studentëve dy muaj më herët.

Edhe këtë herë, ishte mbresuese aftësia olimpike e mazhorancës, që nën zhurmën e tensioneve politike, t’u jepte drejtim çështjeve, që në kushte normale do shkaktonin së paku debat publik. I tillë rasti i kandidimit të kryebashkiakëve me 3 mandate. Ligji i qeverisjes vendore, i ndryshuar në 2015, parashikon që pas tre mandateve rradhazi, një kryebashkiak nuk mund të rikandidojë.  Kjo i heq të drejtën të paktën katër emrave të spikatur nga dy kampet politike: Vangjush Dakos në Durrës, Qazim Sejdinit në Elbasan, Xhelal Mziut në Kamëz e Fiqiri Ismailit në Vorë. Edhe pse ligji është i qartë, socialistët i kërkuan një vendimmarrje të KQZ për të mos lejuar kandidimin e kryebashkiakëve me të paktën 3 mandate. Miratimi i kësaj kërkese kërkonte pesë vota nga KQZ, por u morën vetëm 4 pro, pasi kreu Klement Zguri votoi kundër. Në këtë nënyrë, pa shumë zhurmë, vendimi do legjitimojë kandidimet edhe pas tre mandateve radhazi. Në fakt, disa orë më vonë, në një intervistë për News 24, nr 2 i socialistëve deklaroi se kryebashkiaku i Durrësit Dako, e meritonte të rizgjidhej. Situata duket është e pëlqyeshme edhe për opozitën, që e kaloi në heshtje atë moment procedurial.

Lulzim Basha dëshmoi javën politike që lamë pas, se arrin të frymëzojë njerëz për të qenë në shesh kundër Kryeministrit, e vetë u kujdes të mohonte një komunikim me Ramën.

Tradita 28 vjeçare na ka treguar se palët arrijnë të merren vesh, kryesisht me ndihmën e ndërkombëtarëve.

Por këtë herë nuk është aq e thjeshtë. Parlamenti do rinovohet në zgjedhjet e 23-26 maj, e mund të ndryshojnë ekuilibrat politikë në BE, për pasojë vëmendja është modeste për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por një prej eurodeputetëve që ishte në Tiranë, profesor i shkencave politike, tregon se sfida e korrupsionit është e ngjashme në vendet ish komuniste.

Ka një nxitje të dukshme që kjo krizë politike të zgjidhet brenda vendit, por edhe me zhvillimet e javës politike që lamë pas, në horizont nuk ka një iniciativë serioze, por protesta të tjera qytetare të paralajmëruara e taktika pas kuintave, të cilat i largojnë më shumë palët, e çojnë në thellim konflikti politik. /abcnews.al

 

 


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono