Rafael Nadal fiton titullin e 9-të në Romë, mund 2-1 Gjokoviçin

19:45 | 20/05/2019

Rafael Nadal fitoi turneun Masters të Romës duke triumfuar në finale ndaj Novak Gjokoviçit. Tenisti spanjoll shkon si favorit në Grand Slemin e radhës, që do të zhvillohet në Paris.

Në këtë sipërfaqe zakonisht nuk ka rivalë.

Rafael Nadal fitoi një tjetër titull në një turne në dhé të ngjeshur, duke thelluar një rekord, e duke u bërë gati siç duhet për Grand Slemin e radhës.

Tenisti spanjoll, numri 2 i botës, triumfoi në Turneun Masters të Romës, pasi ia doli në finale ndaj rivalit të tij kryesor, Novak Gjokoviçit.

Parashikimi ishte për një finale tepër të fortë në “Foro Italiko”, por Nadali realizoi një kryevepër në setin e parë, duke e fituar 6-0.

Kurrë më parë, në një duel mes tyre, nuk kishte ndodhur një gjë e tillë.

Gjokoviç reagoi duke fituar 6-4 setin e dytë, por Nadal u rikthye në të tretin, me suksesin e thellë 6-1.

Ishte ky titulli i tij i 9-të në kryeqytetin e Italisë, një rekord që vazhdon ta thellojë, duke qenë shumë larg nga ndjekësit, me Gjokoviçin që është i dyti me 4 kupa.

Jo vetëm kaq, por Nadali u shkëput nga rivali serb, duke pasur 34 turne Masters në karrierë, një më shumë sesa Nole.

Ky sukses, dhe sidomos mënyra sesi u arrit, e bën spanjollin sërish favorit në Grand Slemin e “Rolan Garosit”.

Tridhjetedyvjeçari shkon në Paris, më në fund në formë shumë të mirë e duke lënë pas dëmtimet që e penguin për një kohë të gjatë.

Ai do të synojë ta fitojë “Rolan Garosin” për herë të 12-të, diçka që nuk ka ndodhur kurrë. /ABC news Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono