Publikohet në Zagreb libri “Historia e Goli Otokut”  

17:00 | 01/03/2019

Në Zagreb është botuar libri “Historia e Goli Otokut” që hedh dritë mbi fatin e 13 mijë njerëzve të dënuar gjatë prishjes së miqësisë së Titos me Stalinin. Autori i tij, historiani Martin Previshiç, shprehet se midis të burgosurve ka pasur edhe rreth 350 shqiptarë.

Këto janë pamjet e njërit prej burgjeve më famëkeqe në botën komuniste, pamjet e Goli Otokut, në Kroaci, në të cilin për një periudhë shtatëvjeçare janë dergjur rreth 13 mijë njerëz. Drejtoria e Sigurimit Shtetëror jugosllav, më e njohur si UDB, e kishte ngritur burgun në këtë ishull të zhveshur, në vitin 1949, në kohën e qërimit të hesapeve të regjimit të Titos me ithtarët e Stalinit duke u dhënë nofkën “informbyroistë”.

Historiani i ri kroat, Martin Previshiç, është autori i parë që ka shfletuar arkivat e UDB-së dhe këtë fillim vit ka botuar një libër voluminoz “Historia e Goli Otokut” ku në mbi 600 faqe, e zbardh të vërtetën për fatet e hidhura të mijëra njerëzve. Një qërim i vrazhdët i hesapeve, thotë ai.

“Ishte i ashpër për shkak se metodat e përdorura në Goli Otok ishin shumë, shumë të rënda dhe tejet jo humane. Njerëzit kanë qenë të detyruar të punojnë edhe gjatë zhegut më të madh, të thyejnë e të mbajnë gurë, kanë pasur tri vakte të dobëta, disa filxhanë me ujë në ditë, bënin tri orë gjumë”.

Historiani Previshiç saktëson se atëbotë, në kohën e konfliktit Tito-Stalin, UDB-ja kishte identifikuar mbi 55 mijë e 600 “informbyroistë”, prej të cilëve ishin burgosur e dënuar 15 mijë e 737. Në kampet e përqendrimit dhe kazamatet e ndryshme, thotë ai, ishin vrarë 400 njerëz.

Duke folur për TV Klan, Previshiç zbardh edhe të vërtetën për shumë shqiptarë, nga Kosova, Maqedonia e Lugina e Preshevës, të cilët kishin përfunduar në Goli Otok:

“Unë kam arritur në shifrën prej rreth 350 shqiptarëve të cilët ishin në Goli Otok. Edhe ata janë trajtuar si dhe të gjithë të internuarit e tjerë”, thotë Martin Previshiç dhe shton:

“Ajo që është interesante në këtë rast është se nga dosjet e UDB-së, të cilat i kam studiuar, ka pasur shqiptarë të cilët kanë qenë kundër shkëputjes nga Stalini, por edhe kundër prishjes së marrëdhënieve me Shqipërinë. Ka pasur shumë shqiptarë, ithtarë të bashkimit të Jugosllavisë dhe Shqipërisë, apo edhe mbështetës të Enver Hoxhës”.

Sipas tij, sa i përket strukturës etnike të dënuarve, në burgun e Goli Otokut, më së shumti ka pasur serbë, por edhe malazezë. Në të përfundon Martin Previshiç nuk mbahej aq llogari për përkatësinë kombëtare sesa për atë ideologjike dhe kjo bëri që qërimi i hesapeve të ishte i pamëshirshëm./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono