Protestuesit mbërrijnë në selinë e PD-së

00:19 | 12/05/201900:190

00:17 – Basha mbërrin në selinë e Partisë Demokratike dhe nis takimin urgjent me kryesinë e partisë, grupit parlamentar dhe Kolegjit të Kryetarëve.

23: 45– Edhe përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës ka pasur tensione mes policisë dhe protestueseve.  Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe kapsolla, molotov si dhe u kanë vënë zjarrin koshave të plehrave. Nga ana tjetër policia ka bërë ndalimin dhe shoqërimin e disa militantëve. Në një moment ka ndërhyrë edhe ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi e cila përpiqej të ndalonte efektivët që të mos arrestonin protestuesit. Militantet e opozitës u drejtuan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës pas shoqërimit dhe dhunës që Policia ushtroi ndaj Sait Dollapit, Sekretarit Organizativ të Partisë Demokratike.

22:45 – Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe mbështetës të shumtë mbërritën pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranë pas shoqërimit të sekretarit organizativ të PD, Sahit Dollapi. Në hyrje të drejtorisë së Policisë së kryeqytetet protestuesit hodhën tymuese.

Një situatë kaotike mbizotëron në zonë nga hedhja e mjeteve piroteknike dhe tymueseve. Policia ka afruar edhe një autobot uji dhe fillon hedhja e ujit drejt protestuesve. Policia shpërndan protestuesit me gaz lotsjellës. Në mes të rrugës është vendosur një kordon policor.

22:17 – Lulzim Basha i bën thirrje protestuesve që t’i drejtohen Drejtorisë së Policisë së Tiranës pas shoqërimit të sekretarit organizativ të PD-së, Sahit Dollapi.

“Është dhunuar në mënyrë të pashembullt, sekretari organizativ i PD, Sahit Dollapi, i cili gjatë gjithë protestës ka bërë gjithçka për të mbrojtur efektivët e policisë. Ka dalë para gurëve, para fishekzjarrëve, por me urdhër të Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt është dhunuar në mënyrën më barbare të mundshme dhe është shoqëruar drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në emër të opozitës i bëj thirre Ramës ta lirojë një orë e më parë, ndërkohë që ju bëj thirrje të gjithëve ju të më ndiqni një drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës”, tha ai.

22:05– Tension para Parlamentit, policia largon protestuesit me gaz lotsjellës.

21:48 – Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dalin në rrugën para godinës së Kuvendit, duke ecur në drejtim të protestuesve të shoqëruar nga autobotë që hedhin ujë me presion. Protestuesit janë zhvendosur dhe situata është nën kontrollin e plotë të forcave të rendit. Në pamjet e ABC News shihet edhe momenti që policia shoqëron dhe dhunon sekretarin organizativ të PD-së, Sahit Dollapi.

21:30 – Sulmohet grupi i xhirimit të ABC News. Disa protestues dhunojnë operatorin dhe thyejnë kamerën.

21:12 – Protestuesit mbërrijnë para parlamentit. Hedhin molotov në drejtim të hyrjes.

20:50 – Flamur Noka u bën thirrje protestuesve t’i drejtohen parlamentit. Protestuesit marshojnë drejt saj.

20:30 – Skadon afati i lejes për protestë nga Policia e Tiranës, e cila kërkesës së opozitës i ishte përgjigjur duke i vënë afatet kohore 18:30 – 20:30.

20:20 – Protestuesit ndezën dritat e celularëve duke ndriçuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

19:45 – Pasi u shpërndanë për pak minuta, protestuesit bashkohen sërish dhe kryedemokrati Basha vazhdon fjalimin e tij. Ai theksoi se më 30 Qershor nuk do të ketë zgjedhje.

“2 javë më parë, Shqipëria e frikës, e territ, e arrogancës, korrupsioni mbizotëronte si një natë e zezë anembanë vendit. Shikoni çfarë keni arritur dhe jini krenarë. Bashkimi më i madh, më historik i qytetarëve shqiptarë në vetëm 12 javë.

Në vetëm 12 javë është zgjuar shpresa e një populli të tërë. Është kthyer besimi se ky vend mund të bëhet dhe do të bëhet. Se për të shkuar në Europë nuk mund të jetë më largimi nga vendi. Se Europën mund ta bëjmë këtu falë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Jemi këtu jo për një betejë pushteti, por për një transformim të thellë politik. Një transformim politik, kushtetues, zgjedhor, të standardeve të Europës, Amerikës, ku kurrë më krimi mos të diktojë më zgjedhjet. Prandaj jemi të vendosur, zgjedhje me Edi Ramën nuk do ketë. Nuk do ketë zgjedhje me 30 Qershor, Rama ik”, tha Basha.

19:33 – Policia hedh gaz lotsjellës

19:32- Basha bën thirrje që protestuesit të mos cënojnë efektivët e policisë.

“Efektivët janë vëllezërit tanë, ata janë po aq të kërcënuar nga krimi sepse krimi është komandanti i vërtetë i Policisë së Shtetit. Mos cenoni efektivët e policisë. Beteja jonë është me krimin. Është me qeverinë e lidhur me krimin”, tha Basha.

19:30 – Ndërkohë që lideri demokrat mban fjalim, protestues të ndryshëm përleshen me policinë.

19:20 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mban fjalimin e tij para Kryeministrisë.

Gjatë fjalës së tij në protestën kombëtare të opozitës përpara Kryeministrisë, kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi se sot Shqipëria është në një udhëkryq, produkt i qeverisë Rama. Ndaj sipas tij, sot i jepet një mesazh kryeministrit, që protestuesit nuk do ta lenë të bllokojnë rrugën evropiane.

“Ne jemi sot përsëri në një udhëkryq të tmerrshëm, produkt i një njeriu që ka dhënë interesat e tij dhe klanit të tij mbi interesat e fëmijëve tuaj dhe gjithë Shqipërisë. Jemi për t’i dhënë një mesazh të qartë dhe të prerë. Nuk të lëmë më ta bllokosh rrugën tonë drejt Europës. Rama ik! Rama ik!

6 vite e gjysmë të sundimit kriminal të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale e kanë lënë Shqipërinë jashtë Europës. Ora e lojës me popullin ka marrë fund. Tani ka një dhe vetëm një rrugë, të çlirojmë Shqipërinë nga qeveria e krimit. Të çlirojmë zgjedhjet nga krimi. Kjo është beteja për Europën. Nuk ka Europë pa demokraci. Nuk ka Europë pa dënuar Edi Ramën dhe politikanët që vodhën zgjedhjet”, tha Basha.

19:14 – Protestuesit përleshen me policinë dhe shkatërrojnë kordonin metalik. Ndërkohë drejt godinës së kryeministrisë janë lëshuar bomba molotov dhe flakadanë.

19:00 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, del nga selia blu dhe marshon drejt godinës së Kryeministrisë.

18:30 – Opozita shqiptare proteston këtë të shtunë për herë të katërt para Kryeministrisë. Ashtu siç ishte paralajmëruar, qytetarët marshuan drejt godinës së qeverisë në orën 18:30.

Bëhet me dije se kësaj proteste do t’i bashkohen edhe 300 studentë evropiane të partive popullore. Ndërsa për ruajtjen e rendit pritet të angazhohen rreth 1500 forca policore.

Kryedemokrati Basha ka bërë vazhdimisht thirre për pjesëmarrje masive, ndërsa mësohet se disa qindra persona janë nisur nga rrethe të ndryshme të vendit, drejt Tiranës.

Një ditë më parë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bëri thirrje qytetarëve të refuzojnë dhunën dhe të garantojnë një protestë paqësore dhe konstruktive./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono