Premier Liga fiton ndaj Bundesligës gjermane

11:39 | 14/03/2019

Liverpool-i vlerësohet lart pas fitores ndaj Bayernit në Mynih. Premier Liga angleze e fitoi duelin me Bundesligën gjermane, duke arritur të tre kualifikimet.

Në përplasjen e gjigandëve dikush do të rrëzohej. Fati i keq, veçse i merituar, i takoi Bayernit, që nuk mundi ta fitonte betejën për çerekfinalet e Championsit ndaj Liverpulit. Duket qartë se një epokë e madhe po mbyllet në Mynih, dhe nuk është e qartë se kur do të nisin fitoret e një epoke tjetër.

Pas Manchester United, Tottenham-it e Manchester City-t, të kuqtë e Jurgen Klopit nuk mund të mbeteshin prapa dhe Anglia ka katër ekipe nga 8 gjithsej. Po ashtu, Premier Liga fitoi duelin ndaj Bundesligës, 3-0, por pavarësisht nga vlerësimet për City-n e Tottenham-it, triumfi më i madh ishte ky, pasi u arrit ndaj Superfuqisë së Gjermanisë e të Europës.

Liverpool-i bëri detyrën në “Allianz Arena”. Fitoi 3-1 pas barazimit 0-0 të ndeshjes së parë në “Anfield”, duke treguar klasin, por edhe forcën psikologjike për të përballuar një nivel të tillë sfide.  Duket se ishte kalitur mirë nga sezoni i kaluar, me sprovat ndaj City-t, Romës e Realit, edhe pse kjo e fundit u humb në finale.

Gjithsesi, trajneri Klop, është me parimin “sa të rrosh, do të mësosh”.

“Ky ishte një hap përpara për ne, – tha gjermani, – le të shikojmë se çfarë mund të arrijmë, por është kënaqësi të jesh mes më të mirëve të Europës. Fituam në një stadium ku vështirë të fitojë Reali, Barcelona apo City. Gjithsesi, kemi ende shumë për të mësuar”.

Vështirë të zgjidhej lojtari më i mirë i ndeshjes, mes Sadio Manesë dhe Virgil Van Dijk-ut.

“Ishte një fitore tërësisht e merituar, – tha mbrojtësi holandez, – ishte një mbrëmje e madhe, dhe një ndeshje e vështirë. Ishim të pafat që pësuam një gol, por e bëmë detyrën siç duhet”.

Van Dijk shënoi golin e dytë, tepër të rëndësishëm duke i dhënë sërish avantazhin ekipit të tij. Gazeta “Daily Mail” dha këtë vlerësim: Golat e Mane dhe i Van Dijk-ut kualifikojnë djemtë e Klopit, me katër klube anglezë në çerekfinale të Championsit!

Ja edhe “The Guardian”: Pjekuria e Van Dijk-ut, vendimtare për Liverpool-in që pati një mbrëmje prej Las Vegasi! Skuadra e Klopit në lartësinë e detyrës, falë holandezit në një fitore thuajse totale! Bayern nuk mundi të bënte shumë, duke ndjerë mungesën e Joshua Kimich dhe të Thomas Mullerit. Madje, edhe goli i barazimit të përkohshëm, 1-1, ishte një autogol i mbrojtësit Matip.

“Ne donim të fitonim, por nuk bëmë ndeshjen e duhur, – tha Neuer, – nuk krijuam raste sa duhet, edhe pse në mbrojtje luajtëm siç duhet, në pjesën më të madhe të kohë”.

Gazeta “Bild” vlerëson suksesin e madh të Klopit ndaj Bajernit, dhe lajmëron kritikat e sulmuesit Robert Levandovski për trajnerin Kovaç, për lojë shumë mbrojtëse, dhe për mungesën e guximit për të rrezikuar!

“Ne nuk patëm raste sa duhet në të dyja ndeshjet, – u shpreh polaku për kamerat, – pra nuk mund të habitemi pse nuk u kualifikuam”.

Trajneri kroat pranoi epërsinë e rivalëve.

“Ajo që ndodhi ishte e drejtë, – pohoi edhe trajneri Kovaç, – Liverpool ishte më lart se ne dhe e meritoi. Ishte e qartë se ne nuk jemi në nivelin e duhur, por gjithsesi le ta lemë humbjen prapa dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës. Duhet të fitojmë Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë”.

Gazeta tjetër gjermane, “Tagesshpil”, titullon që “Klopi nxorri Bajernin jashtë”, dhe vazhdon se “bavarezët u detyruan të pranonin humbjen 1-3, me të gjithë golat shënuar nga britanikët”. Liverpool tani mund të synojë dy trofetë e mëdhenj të sezonit, pasi është vetëm 1 pikë prapa Manchester City në renditjen e Premier Ligës./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono