Pompeo: Nuk është planifikuar takim Trump-Kim

09:55 | 30/07/201909:550

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të hënën se shpreson që bisedimet në nivel grupesh pune për të rigjallëruar bisedimet e çnuklearizimit me Korenë e Veriut mund të ndodhin “shumë shpejt”, por theksoi se nuk është planifikuar ndonjë një takim tjetër mes udhëheqësve të dy vendeve.

“Shpresojmë se shumë shpejt mund të kemi diskutime në nivel grupesh pune,” i tha zoti Pompeo një audiende në Klubin Ekonomik të Uashingtonit, një ditë para se të nisej për në Azi.

I pyetur për mundësinë e një samiti tjetër midis Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, ai shtoi: “Nuk ka plane. Nuk ka asgjë të planifikuar”.

Zoti Pompeo dhe Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho, pritej të takoheshin në periferitë e një konference të ASEAN-it për sigurinë në Bangkok këtë javë.

Ndërsa një burim diplomatik i tha agjencisë së lajmeve Reuters javën e kaluar se ministri Ri e kishte anuluar udhëtimin e tij në konferencë, sekretari Pompeo shfaqi shpresën për një rrugë diplomatike, pavarësisht se Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi më 25 korrik.

Një takim Trump-Kim në Vietnam në muajin shkurt dështoi, pasi dy palët nuk arritën të sheshojnë dallimet ndërmjet kërkesave të Uashingtonit për një çnuklearizim të plotë dhe kërkesave të Koresë së Veriut për lehtësimin e sanksioneve.

Që nga takimi i tyre historik i 28 qershorit në Zonën e Çmilitarizuar që ndan të dy Koretë, Pheniani ka akuzuar Uashingtonin për shkelje të premtimit, pasi ka planifikuar të zhvillojë stërvitje të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut në muajin gusht.

Koreja e Veriut ka paralajmëruar se do t’i japë fund moratoriumit të provave bërthamore dhe të testimit të raketave me rreze të gjatë veprimi.

DIPLOMACIA DHE PHENIANI

Ministrat e Jashtëm të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) do të takohen në Bangkok më 2 gusht, për një forum rajonal. Krahas çështjeve diplomatike aty pritet të diskutohet edhe rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut. Ndërkohë fati i bisedimeve bërthamore mes Uashingtonit dhe Phenianit mbetet i paqartë, në kushtet kur Pheniani këmbëngul për lehtësim të saksioneve përpara çarmatimit të plotë e të verifikueshëm bërthamor.

Koreja e Veriut iu bashkua Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore në vitin 1985, por për vite të tëra nuk pranoi monitorim nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ndërsa i kërkonte forcave amerikane të tërhiqeshin nga Koreja e Jugut.

Në fund të vitit 2002, Pheniani i largoi inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe njoftoi se në uzinën e tij bërthamore do të riniste puna pasi Organizata e Gadishullit Korean për Zhvillim Energjitik (KEDO) pezulloi furnizimet me naftë, që ishte pjesë e kornizës për të cilin ishte rënë dakort më 1994-n. Në janar të vitit 2003, Koreja e Veriut u largua nga traktati bërthamor i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT).

“Qeveria jonë deklaron se tërheqja nga Traktati, i cili ishte pezulluar në mënyrë të njëanshme dhe të përkohshme, do të hyjë në fuqi automatikisht dhe menjëherë”, njoftoi tranmetuesi i Koresë së Veriut, KRT.

Por pas këtij momenti në Pekin në gusht të vitit 2003, filluan bisedimet mes dy Koreve, Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Rusisë dhe Kinës, për shkak të shqetësimeve se Veriu po rriste rezervat me armë me plutonium.

Në përfundim të katër raundeve të bisedimeve në shtator 2005, të 6 vendet ranë dakord për një marrëveshje kuadër sipas së cilës Pheniani do të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor në këmbim të një ndihme të madhe ekonomike dhe furnizim me energji elektrike si dhe di t’i jepej fund izolimit të tij diplomatik.

Një vit më vonë në tetor 2006 Koreja e Veriut kryen një provë me një pajisje bërthamore, ç’ka nxiti vendosjen e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Prej këtij momenti Koreja e Veriut kryen 6 prova me armë bërthamore më e fundit në vitin 2017.

Në prill të 2018, Kim Jong Un dhe Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in premtuan të punojnë për “çarmatimin e plotë të gadishullit Korean”, në takimin e parë ndër-korean pas më shumë se një dekadë.

Më 24 maj 2018 Koreja e Veriut njoftoi se kishte çmontuar tërësisht objektin e saj të provave bërthamore Punggye-ri. Të 6 provat bërthamore të Koresë së Veriut janë kryer aty, në tunelet e gërmuara nën malin Mantap në verilindje të vendit.

Aktualisht bisedimet bërthamore mes SHBA-së dhe Phenianit kanë ngecur.Më dy gusht Ministrat e Jashtëm të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) pritet të takohen në Bangkok, për një forum rajonal. Krahas çështjeve diplomatike pritet të diskutohet edhe rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Mbatja e këtij forumi vjen ndërsa më 23 korrik 2019-s, agjencia shtetërore e lajmeve e Phenianit njoftoi se Kim Jong Un inspektoi një nëndetëse të madhe të ndërtuar rishtazi, duke sinjalizuar çuarjen më tej të një programi raketash balistike (SLBM) që lëshohen prej nëndetëseve.

Njoftimi vjen ndërsa ka sërisht vonesa në rifillimin e bisedimeve mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni vazhdon të kërkojë që Koreja e Veriut të heqë dorë nga programet e saj të armëve bërthamore e të raketave.

Kim Jong Un po zbaton një moratorium për testimin e raketave balistike ndërkontinentale (ICBM) dhe armëve bërthamore, ndërsa është angazhuar në bisedimet për çarmatim bërthamor me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë ai ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me mungesën e lëshimeve nga pala amerikane dhe ka thënë se do të presë deri në fund të vitit që Uashingtoni të tregojë fleksibilitet.

Koreja e Veriut i ka ngrirë provat me armë bërthamore e raketave balistike ndërkontinentale prej vitit 2017. Presidenti Trump e ka përshëndetur vazhdimisht këtë gjë duke e cilësuar si një triumf të përpjekjeve të tij diplomatike, pavarësisht aktivitetit të vazhdueshëm ushtarak në Korenë e Veriut./VOA

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono