Politika në ABCnews basti i ri i Lulzim Bashës

21:15 | 23/02/2019

Opozita dorëzoi në bllok mandatet parlamentare, si veprim ekstrem kundër kryeministrit Rama, duke krijuar një precedent të panjohur politik jo vetëm shqiptar. Akti ka sjellë kundërshtim të fortë ndërkombëtar, ndërsa Lulzim Basha vendos kështu një bast të ri politik për veten e opozitën.

Ndjekim Mimoza Kociun me Politika në ABC News.

Lulzim Basha u mbështet si nga forumet e PD,  ashtu dhe aleatët në krijimin e një precedenti jo vetëm shqiptar: për herë të parë një kamp politik, opozita parlamentare dorëzoi në bllok mandatet e deputetëve të vet. E bëri pas protestës së dytë numerike e paqësore, edhe pas një presioni të fortë të ndërkombëtarëve, që iu rreshtuan publikisht kundër. Akti gjeti të papërgatitur vetë Kryeministrin, që shpresonte në një mungesë konsensusi mes opozitarëve. Përveçse një precedent, kjo dalje nga sistemi është padyshim një bast i madh për Lulzim Bashën, por edhe vetë opozitën, në raport me të ardhmen e vendit.

Çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Pas mbylljes së papritur pas 5 orësh të protestës së 16 Shkurtit, me rezultat, prishjen e kërpudhës para Kryeministrisë e derën kryesore të saj, persona të lënduar nga gazi lotsjellës, 19 protestues nën akuzë për akte dhune, 6 nga të cilët në qeli, pikëpyetje të forta publike u ngritën mbi aftësitë opozitare të Lulzim Bashës. Opinioni u orientua me kujdes drejt prishjes së kërpudhës dhe dëmtimit të derës ballore të kryeministrisë, më shumë se tek masiviteti i atyre, që i ishin përgjigjur Lulzim Bashës në protestë. Të nesërmen ky i fundit paralajmëroi aktin ekstrem.

Paralajmërimi nuk u mor seriozisht. Lulzim Basha përmendi vetëm PD e jo LSI. Nuk e konsideroi as vetë mazhoranca, që reagimin indiferent ia besoi zëdhënëses së qeverisë. 

Djegia e mandateve është një proces i parashikuar në kushtetutën e republikës së shqipërisë. Në nenin 71, parashikohen 6 raste kur mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm. 

Paralelisht me grupin e PD, Edi Rama që kishte mbledhur deputetët e vet në takimin e përjavshëm, u thoshte se Basha po luante bllofin, e se nuk kishte konsensus për djegie mandatesh brenda opozitës.

Bindja e Ramës nuk rezultoi e saktë, por pikëpyetjet mbetën, kur Lulzim Basha e takoi veçmas Monika kryemadhin, e nuk pati një dalje me të, si me aleatët e tjerë. Krerët e partive kryesore aleate e kanë marrë mandatin nën logon e PD, pasi u përfshinë në listat e saj. Përjashtim bën agrari Agron Duka, që mbeti jashtë për shkak të pozicionit jo të favorshëm në listën e Durrësit. Aleatët nuk dukeshin njëlloj të bindur.

Konfirmimi i fundit erdhi nga LSI. Monika kryemadhi e shpalli vendimin nga selia e partisë së saj.

Ishte momenti kur nisi një aktivizim e reagim intensiv ndërkombëtar. Ambasadori I BE e zv ambasadorja e SHBA në Shqipëri shkuan në zyrën e Ramës. Sipas parimit të njohur e të përsëritur sistematikisht në 28 vjet se vendi debati e betejat politike bëhen në institucuine e parlament, Brukseli dënoi fort djegien e mandateve si një akt që minon demokracinë e pengon rrugën e integrimit të shqipërisë. Njëlloj dënuan edhe dhunën në protestën e 16 shkurtit. Lulzim Basha reagoi ashpër, duke i lexuar deklaratat në dy ekstremet: mungesë informacioni për arsyet që e kanë lënë Shqipërinë jashtë Europës, ose dashakeqësi.

Por reagimi më i fortë erdhi nga ambasada amerikane në Tiranë, e cila u bëri thirrje deputetëve të opozitës, të refuzonin thirrjet për dorëzim mandatesh.

Ish ministri i jashtëm, zgjodhi një përgjigje diplomatike. Në vend të një komenti, tha se SHBA dhe demokracia amerikane ishin frymëzimi i tij më i madh. Citoi një fragment nga mesazhi i presidentit të 16 të SHBA, Abraham Linkoln, që gjendet edhe në memorialin e tij në Uashington, i mbajtur në Gettysburg, në vitin 1863, në nderim të ushtarëve të rënë në betejën mes Veriut e Jugut.

Kryeministri zgjodhi të reagonte nga Puka, ku sqaroi akuzën e nxehtë që i bëhet, e për të cilën ka një hetim nga Krimet e rënda, abuzimin me votën në zgjedhje.

Basha nuk u tërhoq. Pas kryesisë mori mbështetjen edhe të KK. Efekt public bënë dokumentet e firmosjes së deputetëve për heqje dorë nga mandati. Në mënyrë të përsëritur, javën politike që lamë pas, sheshi i selisë blu, i ngjante atij të kohës kur PD drejtohej nga Berisha.

As ambasadori I BE e as ajo gjermane, nuk e kishin bindur Lulzim Bashën, pas takimeve të veçanta me të, ndërsa duket interesante që ambasadorja Shulc, mesazhet për Bashën i përcolli vetë, nuk ia besoi ambasadorit të BE, si kolegët e saj.

Dukshëm tek ndërkombëtarët ishte krijuar ndjeshmëri e lartë për përshkallëzim të akteve të dhunës të 16 shkurtit. Kishin sugjeruar anullimin e seancës parlamentare të të enjtes, ditën e protestës së dytë të opozitës, këtë herë para kuvendit. E konfirmoi Gramoz Ruçi, që i shtoi edhe informacionet për akte dhune.

Mes reagimeve që dënonin djegien e mandateve, spikati prezenca e OSBE, që me një gjuhë krejt të pazakontë për traditën e saj, foli për një grusht dhunuesish përfitues

Për skenar dhune foli edhe policia e shtetit. Këtë herë jo për persona me rekorde kriminale, si në dy deklaratat para protestës së 16 shkurtit.

Rrethimi me tela me gjemba i perimetrit të godinës së seancave plenare, i dha imazh jo të sigurt protestës. PD i dënoi deklaratat e konfirmoi mbajtjen e tubimit.

Sipas VOA, atë mbrëmje Lulzim Basha e Monika Kryemadhi kishin marrë një telefonatë nga Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Mattheë Palmer, që u kishte kërkuar distancim nga dhuna.

(efekt) E enjtja e protestës, nisi me një thirrje të ambasadës amerikane në Tiranë për protestuesit që të refuzonin dhunën, por edhe për qeverinë e forcat e sigurisë për vetëpërmbajtje. Pas saj edhe Komisioni Europian përmes shefes së diplomacisë Federika Mogerini dhe komisionerit për zgjerim Johanes Han, shpreheshin kundër çdo retorike e thirrje për dhunë nga udhëheqësit politikë, teksa dënonin djegien e mandateve. Kundër retorikës për dhunë erdhi edhe një deklaratë nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

Paralajmërimet publike me fjalë kyçe dhunën, nuk kishin cënuar fort numrat në sheshin para parlamentit. Por diçka kishte ndryshuar. Përveç luleve për forcat e rendit, ranë në sy personat me shirita të bardhë, sipas ligjit për tubimet, përgjegjës për mbarëvajtjen e protestës. Kryefjala e fjalimeve të deputetëve opozitarë, ishte dorëzimi i mandateve. Kryetarja e LSI ua dedikoi uniformave blu.

Lulzim Basha e kishte të qartë se vëmendja e të gjithëve, sidomos ndërkombëtare, ishte mbi atë tubim. Për ta e kishte mesazhin.

Teksa tubimi vijonte paqësisht prej një ore, pa asnjë lloj paralajmërimi,shërbimet e telefonisë celulare u ndërprenë në një perimetër jo të vogël të zonës së protestës.Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare sqaroi postfactum, se vendimi për ndërprerje shërbimi nga ora 11 deri në 16, vinte pas një kërkese të policisë së shtetit për sigurinë gjatë protestës. Akti pa asnjë lloj njoftimi paraparak, vuri në vështirësi raportimin e mediave në protestë, vendase e të huaja që e evidentuan.

Edi Rama ishte larguar para nisjes së protestuesve nga selia e kryesisë së kuvendit, ku kishte zhvilluar një takim me Gramoz Ruçin. Ishte kthyer në kryeministri, për t’u larguar pak më vonë. Mes masave të larta, edhe përforcimi i derës prej hekuri të Kryeministrisë, tek hyrja e zakonshme e eskortës së shefit të qeverisë.

Luzim Basha i tërhoqi të gjithë protestuesit drejt selisë blu, duke u prirë vetë në këmbë. Përmbylljen e protestës, e bëri me parullat e studentëve të dhjetorit 1990.

E nën peshën e emocioneve, të cilat politikani Basha ende nuk arrin t’i kontrollojë, erdhi mbyllja me tipare patriotike.

Zëri i amerikës zbardhi mesazhet që Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer u kishte përcjellë Bashës e Kryemadhit.

Mesazhet që ndërkombëtarët shpërndanin prej dy ditësh kundër retorikës së dhunës, morën kuptim, kur Sali Berisha postoi këtë video, e përgatitur sipas tij nga qeveria dhe e shpëndarë nëpër kancelaritë perëndimore. Ishte një kolazh i paralajmërimeve të Berishës kundër Ramës, i titruar në gjuhën angleze.

Kryeministri nuk e mohoi, e me këtë presion të fortë ndërkombëtar kundër opozitës, u shfaq komod në mesazhin publik.

Në fjalën 32 minutëshe, si përgjigje për akuzat për blerje të votave në zgjedhje, kishte përgatur rrëfimin, për kushtin e vetëm që i kishte vënë Lulzim Bashës në 17 Maj, mos kontestimin e zgjedhjeve, kusht i respektuar prej liderit të opozitës.

Me këtë siguri, nuk ka ndërmend të dorëzojë pushtet, e tregon edhe kushtet për dialog.

A do shndërrohet vallë ky realitet i ri politik në një déjà vu, ku do duhet sërish presioni ndërkombëtar, që palët të merren vesh në gjuhën shqipe? Duhet thënë se ndryshe nga herët e tjera, dy protestat numerike të opozitës kundër kryeministrit, kanë tërhequr vëmendje të lartë të mediave ndërkombëtare, edhe për shkak të protestave të ngjashme në vende të tjera, një vëmendje që nuk e kontrollon dot asnjëri prej aktorëve politikë. Opozita duket e interesuar t’i tregojë edhe faktorit ndërkombëtar, realitetin që ajo denoncon prej vitesh në Shqipëri. E nisi Basha me një vizitë pak orëshe në Vjenë të premten e javës politike që lamë pas, në asamblenë parlamentare të OSBE. Në vend të tij, në Tiranë mesazhet i përcolli Sali Berisha, me të njëjtin target, ndërkombëtarët.

Mes disa mesazheve që erdhën nga Gjermania, unanime kundër djegies së mandateve, spikati sugjerimi që akuzat për zgjedhjet të shqyrtohen nga drejtësia shqiptare. Të mërkurën e ardhshme, një delegacion i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian vjen në Tiranë për t’u takuar me aktorët politike e informuar në detaje mbi situatën e re politike në vend.

Vetë Lulzim Basha po mbështetet tek forumet e aleatët, e paralajmëroi të premten vazhdimin e protestave, e bashkë me to edhe organizimin politik të opozitës për zgjedhje.

Ka një ngutje nga mazhoranca që karriket e opozitës të mos lihen bosh. Brenda 24 orësh, kuvendi administroi dhe njoftoi KQZ për 56 vakançat e krijuara nga dorëheqjet e deputetëve të opozitës. Zyrtarisht janë dy deputetët që kanë refuzuar tashmë lënien e mandatit: Lefter Koka i LSI dhe Myslim Murrizi i PD. PD ka edhe tre deputetë që ende nuk kanë firmosur dorëzimin e mandatit, për shkak se nuk ndodhen në shqipëri: Rudina Hajdari e PD, Fatmir Mediu i PR e Nard Ndoka I PDK.

Sipas vendimit politik, pas deputetëve, duhet të heqin dorë nga e drejta e mandatit, edhe emrat pasues në listat e PD e LSI. Nëse nuk ka një akt me shkrim prej kandidatëve, hyn në lojë pika 3 e nenit 164 e kodit zgjedhor, që parashikon 30 ditë kohë për secilin kandidat të rradhës, për t’u paraqitur në kuvend, pra procesi do marrë kohën e vet. Kodi zgjedhor parashikon që kur mbaron lista, mandatet e mbetura i kalojnë partive në koalicion, e në kushtet kur PD e LSI kanë garuar pa koalicione, nuk ka një parashikim ligjor për fatin e mandateve të mbetura, për pasojë kuvendi vihet në pikëpyetje, pasi mund të mos plotësohet me 140 deputetë, siç e parashikon kushtetuta. Por pavarësiht vakuumit ligjor, mazhoranca synon t’i marrë vetë ato mandate, duke i dhënë parlamentit konfigurimin e para viteve 90.

Një luftë nervash do luhet ditët e javët e ardhshme mes mazhorancës e opozitës, tashmë pa mandate parlamentare. Lojën e hapi Kryeministri që po targeton mbështetësit e opozitës, që dy herët që u thirrën, dolën kundër tij në protestë masivisht.

Mbetet për t’u parë edhe lëvizja e rradhës e  Lulzim Bashës, ligjërisht pa kthim pas për mandatet e dorëzuara. Përballë ka mazhorancën e ndërkombëtarët, ndërsa në krah, qytetarët që iu përgjigjën në protesta./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono